BallinaPertejFaktoje fiton gjyqin për faturat me kryeministrinë, në shkallën e parë

Faktoje fiton gjyqin për faturat me kryeministrinë, në shkallën e parë

VIOLA KETA

Gjykata Administrative vendosi në favor të Faktoje, duke i dhënë të drejtë asaj për marrjen e dokumentacionit nga kryeministria për faturat e shpenzimeve të udhëtimeve të titullarit jashtë vendit. Ndërkohë Presidenca dhe Ministria e Jashtme që refuzojnë dhënien e faturave të udhëtimeve, janë gjobitur dhe në rast se shkelja vazhdon, çështja do bëhet objekt gjykimi nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Faktoje ka korrur një tjetër fitore në betejën gjyqësore me institucionet shtetërore. Gjykata Administrative e shkallës së parë vendosi në favor të kërkesës që kryeministria të dorëzojë faturat e shpenzimeve të udhëtimeve jashtë vendit të kryeministrit Rama, për periudhën janar 2018 – qershor 2019. Vendimi u mor në datën 28.04.2021.

Ndryshe nga vendimet me ekzekutim të menjëhershëm që Gjykata Administrative dha për disa prej ministrive, në rastin e kryeministrisë, do të duhet përfundimi i procesit në të gjitha shkallët e apelimit për ekzekutimin e vendimit përfundimtar. Megjithatë përfaqësuesja ligjore e Faktoje në këtë betejë, avokatja Irena Dule e konsideron këtë vendim një fitore:

“Nuk është hera e parë që gjykata vendos në favor të informimit publik, përkundrejt të drejtës për mbrojtje të të dhënave personale, që edhe këtë herë u përdor si justifikim për të mos bërë publik informacionin mbi shpenzimet e financave të shtetit. E përsëri është për t’u vlerësuar, pasi Gjykata ka mbetur e vetmja zgjidhje për gazetarët dhe publikun që duan të informohen  për informacione sensitive. Por në kohën kur kjo zgjidhje duhej të ofrohej më shpejt dhe pa kosto nga zyra e Komisionerit, për fat të keq ai rregullisht bën avokatinë e institucioneve, që nuk duan të bëjnë transparente veprimtarinë publike.”

Kryeministria ishte një ndër institucionet që u padit nga Faktoje në Gjykatën Administrative, pasi dërgoi një përgjigje të paplotë në shtator 2019 (rreth 3 muaj pas kërkesës për informacion) për udhëtimet e kryeministrit. Padia e parë ndaj këtij institucioni, e depozituar në shtator 2020, u rrëzua nga gjykata me argumentin e tejkalimit të afateve, por një padi e re me të njëjtin objekt u dorëzua nga qendra Res’ Publica.

Nga 11 institucionet e paditura, Gjykata Administrative ka urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm (dhënien e dokumentacionit pas përfundimit të procesit në shkallën e parë, pa pritur vendimet e shkallëve të apelimit) për këto institucione:

Ministria e Brendshme

Ministria e Bujqësisë

*Ministria e Kulturës

Ministria e Jashtme

*Kuvendi i Shqipërisë

Presidenca

Presidenca dhe Ministria e Jashtme ‘dërgohen’ në gjykatë për gjobë,  penguan përmbarimin të ekzekutojë urdhërin e gjykatës për faturat

Presidenca e Republikës së Shqipërisë vijon të refuzojë dhënien e faturave me shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit të zotit Ilir Meta. Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni pritet të gjobitet për këtë shkelje dhe zyra e përmbarimit sipas njoftimit zyrtar, po ndjek procedurat për marrjen e masës së gjobës nga gjykata.

Presidenca shënoi një rast unik jo vetëm me shkeljen e vendimeve të institucioneve të drejtësisë, por ushtroi presion ndaj tyre, përmes shkresave zyrtare.

Mes institucioneve për të cilat është kërkuar nga gjykata marrja e masës së vënies së gjobës, pasi refuzuan të ekzekutojnë vullnetarisht vendimin e gjykatës, është edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Zyra e Përmbarimit i kërkoi gjykatës vendosjen e gjobës ndaj MEPJ, për këtë shkelje. Gjykata vendosi të mos e pranojë kërkesën, sepse sipas saj vetë Zyra e Përmbarimit ka autoritetin e vendosjes se gjobës.

Sipas avokates Dule, edhe për këtë ministri, Zyra e Përmbarimit po ndjek procedurat për marrjen masave administrative.

Çfarë ndodh nëse pas gjobës institucionet nuk japin dokumentet?

“Nëse edhe pas vendosjes se penaliteteve, organet nuk e zbatojne vendimin, siç mund të ketë ndodhur edhe në raste të tjera, mund të kërkohet ekzekutimi i vendimit mes Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo sigurisht zgjat në kohë dhe e bën te paefektshëm edhe vetë vendimin e Gjykatës.”- tha për Faktoje avokatja Dule, e cila argumenton:

“Çdo gjë pas kësaj, vlen të komentohet si një skandal, ku ekzekutivi pasi shkel ligjn, nuk pyet as për vendimet e gjykatës, tej çdo parimi të një shteti të së drejtës, ku parimi i ndarjes së pushteteve duhej të gjente zbatim.”

Në çfarë faze është procesi për 5 ministritë e tjera

Për disa ministri vijon procesi gjyqësor në shkallën e dytë, atë të apelimit.

Ministria e Mbrojtjes ka apeluar vendimin e shkallës së parë që vendosi në favor të Faktojes për dhënien e dokumentacionit të kërkuar.

Ndërkohë, është pranuar plotësisht padia e Faktojes ndaj Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Shtetit për Diasporën, por pa detyrimin për ekzekutimin e menjëhershëm, çka do të thotë se do të pritet fundi i procesit në të gjitha shkallët e gjykimit (që mund të marrë deri në disa vite kohë), nëse lihet në fuqi vendimi në favor të Faktojes.

Faktoje e ka apeluar edhe këtë vendim pasi kërkon ekzekutimin e menjëhershëm të tij.

Paditë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë, janë pranuar pjesërisht, me arsyetimin se faturat nuk mund të jepen pasi përbëjnë cënim të të dhënave personale, një standard i dyfishtë po ta krahasosh me vendimet për 8 institucionet e tjera, për të cilat e njëjta gjykatë urdhëroi vendosjen në dispozicion të faturave.

Për institucionet që janë në proces apelimi, avokatja Irena Dule thote se ende nuk ka një datë të caktuar për seancat, dhe nuk priten të tilla, para se të kalojnë 3-4 vite.

*Shënim: Për Ministrinë e Kulturës dhe Kuvendin e Shqipërisë, qendrës Faktoje i është vënë në dispozicion dokumentacioni për faturat pas një kërkese të re dhe më të detajuar për informacion drejtuar të gjitha institucioneve të ekzekutivit, këtë herë për periudhën Janar 2018- Shkurt 2021.

Foto e parë është marrë nga ATSH

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img