BallinaPertejNë muajin zgjedhor u disbursuan më shumë para për rindërtimin

Në muajin zgjedhor u disbursuan më shumë para për rindërtimin

Fondi i rindërtimit për këtë vit, i planifikuar nga qeveria është 28 miliardë lekë, nga 62 miliardë që është totali (i përditësuar nga qeveria) për procesin, të ndarë në tre vite (2020-2022). Gjatë verifikimit të Faktoje për shumat e disbursuara në 5 muajt e parë të këtij viti, bie në sy se gjatë muajit prill, që përkon me fushatën zgjedhore, është disbursuar shuma më e madhe në krahasim me muajt e tjerë.

Fondi i planifikuar nga qeveria shqiptare për procesin e rindërtimit ka pësuar disa ndryshime, ashtu siç kemi raportuar më parë, nga 65 miliardë lekë që deklaroi ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, në shtator 2020, në 62 miliardë që u deklaruan në shkurt 2021 po prej tij.

Marrë nga prezantimi i ministrit të Rindërtimit Ahmetaj, 2 shkurt 2021

Në bazë të të dhënave të bëra publike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në 5-mujorin e parë të vitit 2021, nga fondi i rindërtimit prej 28 miliardë lekë që është buxhetuar për këtë vit, është disbursuar rreth 33% e kësaj shume. Konkretisht, në periudhën janar-maj të vitit 2021 janë përdorur 9,169 miliardë lekë nga fondi i rindërtimit.

Periudha në të cilën janë disbursuar më shumë para nga ky fond rezulton të jetë muaji prill, që përkoi edhe me fushatën zgjedhore për Kuvendin e ri. Në këtë hark kohor janë shpërndarë rreth 4 miliardë lekë, pothuajse dyfishi i muajit maj, në të cilin u përdorën 2,265 miliardë lekë.

Shuma prej mbi 9 miliardë lekësh, e disbursuar në këtë 5-mujor është ndarë sipas muajve përkatës:

  1. Janar 2021 – 6 milionë lekë
  2. Shkurt 2021 – 901 milionë lekë
  3. Mars 2021 – 2,048 miliardë lekë
  4. Prill 2021 – 3,949 miliardë lekë
  5. Maj 2021 – 2,265 miliardë lekë

Tabela e mësipërme ilustron shumat e disbursuara përgjatë 5 muajve të parë të 2021, ku qartazi prevalon muaji prill. Interes paraqet edhe trendi i këtij 5-mujori, nga një shumë e papërfillshme e disbursuar në muajin janar, ka ardhur në rritje progresive në shkurt dhe mars, është dyfishuar në prill dhe më pas është përgjysmuar sërish në maj.

Tabela e mësipërme ilustron ndarjen në përqindje, për secilin nga 5 muajt e parë të vitit 2021, shuma prej 9,169 miliardë lekë. 43% e kësaj shume është disbursuar në muajin prill, 25% në maj, 22% në mars, 10% në shkurt dhe një shumë minimale krahasimisht me muajt e tjerë, në janar.

Më 14 maj, Faktoje i dërgoi Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë një kërkesë për informacion mbi zbatimin e procesit të rindërtimit, ku ndër të tjera, kemi kërkuar dhe listën e pagesave të kryera nga sistemi i thesarit për 3-mujorin e parë të vitit 2021. Ky informacion do na mundësonte të kuptonim se si janë disbursuar paratë, sa prej tyre janë pagesa direkte për individët si dhe sa të tjera janë për subjektet.

Kërkesa dërguar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, 14 maj 2021

Më 17 maj na ka ardhur një e-mail nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila e delegonte për kompetencë këtë kërkesë për informacion tek Ministria e Rindërtimit.

Përgjigjja nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 17 maj 2021

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë asnjë përgjigje në lidhje me këtë kërkesë për informacion që është deleguar tek Ministria e Rindërtimit saktësisht 1 muaj më parë.

Më 17 qershor, ne dërguam një tjetër kërkesë për informacion tek Ministria e Financave dhe Ekonomisë si dhe Ministria e Rindërtimit, ku kërkonim të njëjtat të dhëna, por këtë herë 5-mujorin e parë të 2021, periudhën Janar-Maj. Aktualisht jemi në pritje për një përgjigje nga këto dy institucione.

Kërkesa dërguar MFE dhe Ministrisë së Rindërtimit, 17 qershor 2021

Deri në maj 2021 janë disbursuar 25,76 miliardë lekë në total nga fondi i rindërtimit, shifër nga e cila 16,591 miliardë janë disbursuar në vitin 2020, ndërsa 9,169 miliardë janë disbursuar në 5-mujorin e parë të vitit 2021. Kjo shifër përbën 41,5% të fondit total të rindërtimit për 3 vite (62 miliardë lekë), siç është treguar në grafikun e parë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img