BallinaFaktometerE PavërtetëAeroporti i Kukësit nuk ishte funksional as pas 17 qershorit siç deklaroi Balluku

Aeroporti i Kukësit nuk ishte funksional as pas 17 qershorit siç deklaroi Balluku

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka deklaruar se Aeroporti i Kukësit do të jetë totalisht i përdorshëm nga të gjitha kompanitë ajrore, duke filluar nga 17 qershori. Në përfundim të këtij afati, Faktoje konstatoi se punimet vazhdonin ende në aeroport dhe fillimi i fluturimeve ndërkombëtare në rastin më të mirë, pritet të ndodhë më 15 korrik.


Më 19 prill Ministrja Belinda Balluku gjatë një interviste televizive deklaroi

“Aeroporti i Kukësit me 17 qershor është totalisht në funksion”.

Duke iu referuar kësaj deklarate, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkisë Kukës, për të marrë informacion se kur do të jetë gati aeroporti i Kukësit, kur do të jetë fluturimi i parë dhe në cilin destinacion. Po ashtu ne pyetëm se cilat do të jenë kompanitë e fluturimit të cilat do të operojnë në këtë aeroport.

       Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Enërgjisë, 9 qershor 2021

Ministria e Infrastrukturës, përtej afateve kohore, në shkelje të ligjit të së drejtës për informim, nuk ktheu përgjigje për pyetjet e “Faktoje”.

Ndërsa Bashkia Kukës u përgjigj duke konfirmuar se aeroporti i Kukësit do të jetë gati për fluturime ndërkombëtare duke filluar nga 15 korriku. Destinacioni, sipas kësaj përgjigjeje do të jetë Zyrihu dhe Sambolli. Kompania e cila do të operojë në fluturime është “Air Albania”.

                                                     Përgjigje e Bashkisë Kukës, 14 qershor

Më 18 qershor, ne shkuam në terren për të verifikuar në terren nëse aeroporti ishte gati për t’u vënë në funksion.

                                          Pjesa hyrëse në Aeroportin e Kukësit, 18 qershor 2021

Në hyrjen e Aeroportit të Kukësit, na u ndalua hyrja. Aty Faktoje komunikoi me një punonjës i cili tha se nuk mund të përgjigjej pasi nuk ishte i autorizuar. Megjithatë ai pohoi se punimet ishin në në fazën përfundimtare.

                                               Punimet për Aeroportin e Kukësit, 18 qershor 2021

Faktoje arriti të komunikojë me disa punonjës të tjerë në këtë aeroport, të cilët nuk pranuan të identifikoheshin.

“Fluturime nuk do të ketë deri më datën 15 korrik, po bëhen testime për momentin dhe sot më 18 qershor është bërë çertifikimi”-i thanë ata në mënyrë konfidenciale Faktojes.

                                               Punimet për Aeroportin e Kukësit, 18 qershor 2021

Në aeroportin e Kukësit nuk kishte asnjë avion dhe pista ishte ende e mbyllur.

Nisur nga informacioni i grumbulluar dhe verifikimi në terren, vendosëm që deklaratën e Ministrss së Infrastrukturës Belinda Balluku, se më 17 qershor Aeroporti i Kukësit do të jetë totalisht funksional, do ta kategorizojmë “Të Pavërtetë”.

Më 30 prill Faktoje bëri verifikimin e parë nëse aeroporti i Kukësit ishte funksional, ashtu sikurse kishte deklaruar kryeministri Rama një javë para zgjedhjeve të 25 prillit, kur u bë edhe ceremonia e përurimit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img