BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorA bëri xhiro restoranteve Albin Kurti me dy ish-politikanë pa rëndësi?

A bëri xhiro restoranteve Albin Kurti me dy ish-politikanë pa rëndësi?

Një takim pune i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Greqi është intepretuar si “xhiro nëpër restorantet e Greqisë me ish-politikanë pa rëndësi”. Një verifikim i Faktoje tregon se në fakt Kurti është takuar me raportuesen për antarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, Dora Bakoyannis, si dhe themeluesin e simpoziumit ku ishte i ftuar, ish-kryeministrin e Greqisë, George A. Papandreou.

Jona Plumbi

Situata e tensionuar në veri të Kosovës, që arriti kulmin e saj në mesin e muajit Maj kur pati përplasje fizike mes protestuesve të minoritetit serb dhe forcave të KFOR, si dhe reagimi i kryeministrit Kurti ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve për çtensionuar situatën, e kanë ndarë opinionin publik në Kosovë në dy kampe, atë pro dhe kundër kryeministrit Kurti.

Kjo mbështetje apo refuzim që i bëhet qëndrimit të qeverisë së Kosovës, shpesh pasqyrohet përmes publikimit të informacioneve të pavërteta vetëm me qëllimin e goditjes së kryeministrit Kurti si dhe nxitjen e reagimeve të lexuesve kundër tij. Ky është rasti i publikimit në portalin Periskopi me titull “Kurti vazhdon shëtitjet nëpër restorantet greke, flet me dy ish-politikanë pa rëndësi”.

Artikulli informon lexuesit se takimi është njoftuar vetë kryeministri Albin Kurti përmes një publikimi në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar dy ish-zyrtarë të lartë grekë, Dora Bakojanis dhe George Papandreu, gjatë vizitës së tij në Greqi.” – shkruan Periskopi.

Ajo që artikulli nuk njofton është fakti se Dora Bakoyannis, jo vetëm nuk është ish-politikane, pasi aktualisht shërben si deputete në parlamentin grek, por ajo që është edhe më e rëndësishme është se prej qershorit të këtij viti ajo është zgjedhur të raportojë në këshillin e Europës lidhur me aplikimin e Kosovës për antarësim në këtë organizëm.

Aktiviteti politik i zonjës Bakoyannis përfshin shërbimin si nënsekretare e shtetit (1990- 1992) dhe nga viti 1992 deri në 1993 si ministre e Kulturës në kabinetin Mitsotakis. Ajo ka qënë kryetarja e parë femër e bashkisë së Athinës (2002 – 2006) dhe e para femër që shërbente si ministre e jashtme e Greqisë (2006 – 2009). Bakoyannis u nderua me medaljen e OSBE-së për kontributin e saj në qasjen ndërmjet NATO-s dhe Rusisë në Samitin e Kofruzit, gjatë kryesimit të saj në OSBE në 2009-ën.

Personi tjetër në foton e shpërndarë nga Kurti, është ish kryeministri i Greqisë, George A. Papandreou. sot anëtar i parlamentit grek. Papandreou është njëkohësisht edhe themeluesi i Simpoziumit Symi, aktiviteti për të cilin Kurti udhëtoi drejt Greqisë.

Postet që ai ka mbajtur në qeveri prej nisjes së karrierës politike përfshijnë atë si Ministër i Punëve të Jashtme (1999 – 2004), Zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme (1996 – 1999), Ministër për Arsimin dhe Çështjet Fetare (1988-1989 dhe 1994-1996), Zëvendësministër i Kulturës (1985-1987) si dhe Zëvendësministër i Punëve të Jashtme (1993-1994).

Edhe pse këta dy politikanë karriere mund t’i duken “të parëndësishëm” Periskopit, faktet tregojnë të kundërtën. Njëkohësisht, takimi i kryeministrit Kurti me dy personazhet e politikës aktive në Greqi, njëra në krye të raportimit për antarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe tjetri themelues i samitit ku ai ishte ftuar të marrë pjesë për herë të 6-të, nuk mund të konsiderohet si “xhiro restorantesh me ish-politikanë pa rëndësi”.

Nisur nga këto të dhëna publike rezulton se artikulli i informacionit të shpërndarë nga Periskopi është i pavërtetë.

Redaktoi: Aimona Vogli dhe Viola Keta

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img