BallinaPertejUdhëtimet e ministrave të Bujqësisë, më shumë bileta avioni sesa hotele

Udhëtimet e ministrave të Bujqësisë, më shumë bileta avioni sesa hotele

INVA HASANALIAJ & ILDA KURTI

Ministria e Bujqësisë, institucioni i radhës që kaloi në lupën e Faktoje për shpenzimet e ministrave, ka dorëzuar dokumenta, që zor të besohet se dalin nga institucione shtetërore. Në krahasim me ministritë e tjera që kanë sjellë informacionin me të njëjtin objekt kërkese, Bujqësia ka standardin më të ulët të transparencës. Nga verifikimi i atyre faturave që janë vënë në dispozicion, për ministrin Peleshi vetëm për njërin udhëtim përputhet (pjesërisht) destinacioni i fluturimit me vendndodhjen e hotelit. Për pasardhësin Bledi Çuçi, përveç një destinacioni që është Bostoni, fatura e udhëtimit dhe vendndodhja e hotelit mbeten mister.


Ministria e Bujqësisë është një nga institucionet që ka dorëzuar dokumentacionion më të cunguar për udhëtimet zyrtare jashtë shtetit të titullarit, për periudhën janar 2018-qershor 2019. Dokumentacioni u lëshua nga institucioni, kur sapo ishte hapur procesi në Gjykatën Administrative, për padinë e Faktoje ndaj Ministrisë së Bujqësisë.

Për periudhën e raportuar, kjo ministri drejtohej nga Niko Peleshi (që ka mbajtur detyrën nga shtatori 2017- janar 2019) dhe Bledi Çuçi (që ka mbajtur këtë detyrë nga janari 2019 – dhjetor 2020).

Në informacionin përmbledhës të Ministrisë së Bujqësisë datë 25.09.2020 me nr. Protokoli 7397/1, që shoqëronte dokumentacionin, rezultojnë:

6 fatura tatimore shitjeje për blerje biletash avioni me emrat e destinacionit dhe një biletë treni e prenotuar online me destinacion Munich-Salzburg dhe 4 fatura akomodimi në hotele të ndryshme, sa I përket periudhës kur ishte ministër Niko Peleshi (nga 19 janari 2018 deri 27 shtator të vitit 2019).

 

 

Gjatë shqyrtimit Faktoje konstatoi këto mangësi në dokumentacion:

  • Shkresat e dërguara janë në pjesën më të madhe vështirësisht të lexueshme.
  • Faturat e dërguara janë të paprotokolluara (njëlloj si në rastin e Ministrisë së Brendshme).
  • Mungojnë urdhërat e shërbimit për udhëtimet jashtë vendit.
  • Mungojnë kopjet e biletave të udhëtimit (janë vënë në dispozicion vetëm faturat tatimore të blerjes)
  • Mungojnë emrat e shoqëruesve të titullarit të institucionit
  • Mungojnë të dhënat për hotelet ku është akomoduar titullari dhe shoqëruesit.

 

*Një nga faturat tatimore për blerje bilete avioni të dërguara nga Ministria e Bujqësisë (Cilësia e printimit shumë e dobët)

Megjithë mangësitë në dokumentacion dhe cilësinë e dobët të printimit të faturave që erdhën me postë, arritëm të deshifrojmë të dhënat mbi shpenzimet e titullarit të Ministrisë së Bujqësisë.

Mes fatura tatimore për blerje biletash avioni dhe faturave të akomodimit në hotel, vërejmë mospërputhje të theksuar. Nga ky dokumentacion, vetëm për një udhëtim përputhet (pjesërisht) destincioni i biletës së udhëtimit me atë të akomodimit.

Kur vjen fjala tek shpenzimet për biletat e udhëtimit, që vërtetohen nga faturat tatimore të shitjes, rezultojnë këto vlera:

  • Bileta udhëtimi për 4 persona Tiranë-Austri 262.000  Lekë të reja

Vërtetohet nga fatura tatimore e datës 17.09.2018

Mungon dokumentacioni për akomodimin dhe qëllimin e vizitës

 

  • Bileta udhëtimi për 4 persona Tiranë-Austri 221.000  Lekë të reja

Vërtetohet nga fatura tatimore e datës 17.09.2018

Mungon dokumentacioni për akomodimin dhe qëllimin e vizitës

 

  • Bileta udhëtimi për 4 persona Tiranë-Zagreb 221.000  Lekë të reja

Vërtetohet nga fatura tatimore e datës 26.04.2018 (data e korrigjuar)

Mungon dokumentacioni për akomodimin dhe qëllimin e vizitës

 

  • Biletë udhëtimi 4 persona Tiranë-Tel Aviv 339.586 Lekë të reja

Vërtetohet nga fatura tatimore e datës 30.04.2018

Mungon dokumentacioni për akomodimin dhe qëllimin e vizitës

 

  • Biletë udhëtimi 4 persona Tiranë-Vilnius 325.000  Lekë të reja

Vërtetohet nga fatura tatimore e datës 21.05.2018

Mungon dokumentacioni për akomodimin dhe qëllimin e vizitës

 

  • Biletë udhëtimi 2 persona Tiranë-Vienë 175.000  Lekë të reja

Vërtetohet nga fatura tatimore e datës 13.09.2018

Mungon dokumentacioni për akomodimin dhe qëllimin e vizitës

 

  • Biletë udhëtimi 3 persona Tiranë-Salzburg 375.000 Lekë të reja

Vërtetohet nga fatura tatimore e datës 24.09.2018 (Dokumentacioni i pjesshëm dhe i censuruar për akomodimin në hotel dhe qëllimin e vizitës, i shfaqur në imazhin e mëposhtëm)

Ajo që bie në sy është vlera e lartë e biletave të udhëtimit, ku më e shtrenjta rezulton ajo me destinacion Salzburgun, në Austri. Biletat për ministrin Peleshi dhe 2 shoqëruesit kanë kushtuar 375 000 lekë të reja, ose 125 000 lekë të reja secila.

 

Udhëtimi në Salzburg kalon nga Munihu?

 

Ish-ministri Peleshi, rezulton të ketë udhëtuar drejt Salzburgut në Austri, në fund të shtatorit, sipas faturës më poshtë.

*Faturë tatimore shitje, biletë Tiranë-Salzburg-Tiranë

Fatura tatimore në të cilën është lëshuar bileta e avionit me itinerar Tiranë-Salzburg-Tiranë, mban datën 24.09.2018, por nuk jepet data e nisjes dhe kthimit. Nuk janë vënë në dispozicion itinerari bashkëngjitur nga kompania ajrore dhe bording pass (një mungesë dokumentacioni tipike për të gjithë udhëtimet e raportuara nga Ministria e Bujqësisë).

Të dielën e 30 shtatorit ministri Peleshi dhe 2 shoqëruesit e tjerë janë akomoduar në një hotel i cili në total ka kushtuar 504 euro për 3 persona. Emri i hotelit dhe destinacioni nuk jepen.

*Fatura e hotelit 1, përshkrimi i faturës (çmimi për 3 veta 504 Euro; check in 30.09.2018 një natë; printimi i faturës në 30.09.2018 ora 21:12; mungojnë emri i hotelit; mungon vendndodhja e tij).

Pavarësisht se mungon vendodhja e hotelit 1, rezulton se një ditë më pas, në 1 tetor 2018 zoti Peleshi me dy shoqëruesit, emrat e të cilëve nuk tregohen nga ministria kanë udhëtuar me tren nga Mynihu (në Gjermani) për në Salzburg (Austri), sipas faturës më poshtë që ka dërguar vetë Ministria e Bujqësisë.

*Bileta e trenit, itinerari Munich-Salzburg, përshkrimi i të dhënave, (data e udhëtimit 1.10.2018 ; nisja nga Munich 09:55; mbërritja në Salzburg 11:42)

Më 1 tetor ministri Peleshi është akomoduar në një hotel me vendndodhje në Salzburg, sipas faturës më poshtë.

*Fatura e hotelit 2 në Salzburg, përshkrimi i të dhënave mimi per 3 veta 456 euro, fatura e ndryshme nga hoteli 1; check in 01.10.2018, qëndrimi 1 natë; printimi I fatures në 2.10.2018 pas orës 10 00; mungon emri i hotelit, vendndodhja Salzburg, Austri)

Sipas verifikimit të Faktoje, ministri Peleshi ka marrë pjesë në takimin “Europe 1918-2018-2118”, siç vërtetohet nga postimet në rrjetet sociale të zotit Peleshi, njoftimet për media të ministrisë së Bujqësisë dhe programi i eventit.

Sipas këtij programi, eventi është mbajtur nga 30.09 deri 02.10 2018 me vendndodhje në Salzburg. Nuk përmenden evente të tjera në qytete të tjera gjatë kësaj periudhe.

 

*Sceenshot nga eventi në Salzburg ( 30.09. 2018-02.10.2018; paneli i zotit Peleshi dt. 2.10. 2018 ora 11 30)

 

Në ato pak fatura hotelesh që na janë vënë në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë për kohën kur ka drejtuar zoti Peleshi, çmimet e akomodimit janë poshtë vlerës 200 euro. Faturat e tjera të akomodimit të ish-ministrit të bujqësisë Niko Peleshi i përkasin destinacioneve si më poshtë:

Berlin, 3 netë qëndrimi 19-22 janar (nga e premtja në të hënë). Kjo vërtetohet nga e vetmja faturë e vënë në dispozicion ku rezulton të jetë bërë një pagesë me Mastercard, por është i paqartë çmimi i akomidimit për një natë. Në këtë faturë figuron vetëm një shifër -215 euro si tranfertë MC (Mastercard).

*Faturë me të dhëna të censuruara për akomodimin në Hotel, Berlin Gjermani. Përshkrimi i të dhënave (Emri i ministrit majtas, adresa e hotelit ku dallohet qyteti dhe shteti, data e chech in dhe check out, transfertë me Mastercartë 215 euro, emri “World of Hyat Summary, adresë për prenotim online të hoteleve)

Për këtë destinacion nuk kemi ndonjë faturë nga Ministria e Bujqësisë për biletë avioni që vërteton udhëtimin për në Berlin.

Në mungesë të një urdhëri shërbimi për udhëtimin jashtë vendit (sipas VKM 870 datë 14,12.2011) ne bëmë kërkime se çfarë është raportuar si takim zyrtar i ministrit në këto data dhe në cilat aktivitete ka marrë pjesë zoti Peleshi.

Sipas një postimi të ish ministrit në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ai ishte pjesë e Forumit Global të Agrikulturës në Berlin, që është mbajtur në datat 18-20 Janar 2018. Edhe në raportimin e ministrisë gjermane të Agrukulturës janë postuar foto të pjësëmarrësve ku bën pjesë edhe zoti Niko Peleshi.

*Pjesë nga Forumi i Agrikulturës në Berlin

 

Ferrara, Itali. Për këtë destinacion, sipas faturës së paraqitur nga Ministria e Bujqësisë rezulton një natë qëndrimi (10 prill 2018), për dy persona, ku çmimi për një natë + taksë qëndrimi/person është 118 euro.

*Pamje nga takimi në Ferrara, Itali

Nga tetori 2018 deri në janar 2019 kur ka lënë deyrën, për ish-ministrin Peleshi nuk raportohen udhëtime të tjera jashtë vendit, ndërkohë që nga kërkimet e Faktoje rezulton se titullari ka pasur edhe udhëtime të tjera zyrtare jashtë vendit të cilat nuk janë raportuar. Një prej tyre është vizita në Holandë, në datën 19/03/2018.

*Pjesë nga vizita në Holandë, publikuar në profilin Twitter të ish-ministrit Peleshi

Për pasardhësin e zotit Peleshi, Bledi Çuçi, Ministria e Bujqësisë ka vënë në dispozicion vetëm 2 fatura akomodimi në hotel, 2 fatura tatimore shitjeje për bileta udhëtimi dhe 2 fatura rimbursimi bilete udhëtimi.

*Pjesë nga dokumentacioni i dërguar nga Ministria e Bujqësisë

Nga faturat e dërguara për biletat e udhëtimit raportohet qartësisht vetëm një destinacion që është Bostoni në SHBA.

Faturë tatimore për biletë udhëtimi Tiranë -Boston ku figurojnë dy zëra, njëri 600.000 lekë të reja dhe tjetri 180.00, në total është 780.000 lekë të reja.

 

Në faturën e mësipërme që mban datën 09.04.2019 nuk qartësohet sa persona kanë udhëtuar. Bashkëngjitur me të gjejmë një faturë akomodimi në hotel, për 2 persona, me vlerë totale 2900 euro për 3 netë. Një natë qëndrimi është 483 euro.

Në këtë faturë mungojnë të dhënat e vendndodhjes së hotelit dhe çdo e dhënë tjetër identifikuese, përveç datës së check in dhe check out 08-11 prill 2019.

Gjatë kësaj periudhe gjejmë një postim në profilin e tij në Twitter nga ish ministri Bledi Çuçi, për një vizitë në universitetin e Harwardit.

Destinacioni i faturës së dytë tatimore nga Ministria e Bujqësisë për udhëtimin e ministrit, është e palexueshme, por dallohet data e blerjes 02.05.2019 dhe vlera prej 510.000 lekësh të reja.

Bashkëngjitur ministria ka dërguar faturën e akomodimit në hotel, ku sërish mungon vendndodhja dhe të dhënat identifikuese. Qëndrimi i 5 personave për një natë ka kushtuar gjithsej 1150 euro, por në faturë gjejmë një shënim orientues, që tregon se ministri ka qëndruar në suitën që ka kushtuar 280 euro nata.

Edhe për destinacionin e këtij udhëtimi na erdhi në ndihmë kërkimi online. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë gjejmë një njoftim për mbajtjen e një takimi në Kinë.

I vetmi dokument i qartë dhe i dukshëm është ai i lëshuar nga vetë Ministria për rimbursimin e biletës Tiranë-Boston-Tiranë. Janë 2 fatura arkëtimi me nga 200.000 dhe 210. 000 lekë të reja, pagesa të kryera prkatësisht 10.09.2019 dhe 28.01.2020.

*Faturë arkëtimi nga MBZHR për rimbursimin e biletës së Ministrit Çuçi

*Faturë arkëtimi nga MBZHR për rimbursimin e biletës së Ministrit Çuçi

Dokumentacioni i sjellë nga M. Bujqësisë tregon një standard shumë të ulët në bërjen e transparencës së institucioneve, por është edhe një tregues për mënyrën sesi arkivohen dokumetat e shtetit. Faktoje do t’i drejtohet sërish  Ministrisë së Bujqësisë për të vënë në dispozicion dokumentacionin e plotë për këto udhëtime.

 

Lexo edhe:

Ish ministri Xhafaj me standardin 700 euro nata, Lleshaj më ‘kursimtar’  

Gjyqi për faturat, organizatat e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut përgëzojnë precedentin pozitiv të vendosur nga Faktoje

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img