BallinaPertejPresidenca refuzon të japë faturat, presion kundër përmbaruesit dhe gjykatës që i dha të drejtë Faktojes

Presidenca refuzon të japë faturat, presion kundër përmbaruesit dhe gjykatës që i dha të drejtë Faktojes

VIOLA KETA & JOEL ÇELA

Katër muaj më parë, Gjykata Administrative urdhëroi disa institucione, mes tyre edhe Presidencën, të dorëzonte menjëherë faturat e shpenzimeve në udhëtimet jashtë vendit të titullarit. Presidenca refuzoi hapur zbatimin e vendimit duke akuzuar për shkelje të ligjit përmbaruesin e çështjes. Kundrejt këtij veprimi, Dhoma Kombëtare e Përmbarimit, kërkoi vënien në lëvizje të Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor për ‘orientimin’ e gjyqtarëve për çështjet administrative. Ekspertët ligjorë e konsiderojnë këtë një presion të hapur ndaj gjyqtarëve që vendosin në favor të transparencës dhe llogaridhënies. Pak ditë më parë Ambasadori i OSBE Vincenzo del Monaco në intervistën e tij të parë, vlerësoi punën e Faktojes si një media e pavarur që fitoi një çështje gjyqësore kundër institucioneve publike.


Në tetor 2020 Gjykata Administrative dha vendimin në favor të Faktojes, duke e detyruar institucionin e Presidentit të Republikës të vërë në dispozicion faturat e shpenzimeve të titullarit, në udhëtimet jashtë vendit për periudhën janar 2018-qershor 2019. Gjatë kësaj kohe e në vijim, Presidenca drejtohej nga zoti Ilir Meta. Sipas vendimit nr. 2459 (80-2020-2470) Presidenca (e cila ka bërë apelimin) duhej të jepte menjëherë dokumentacionin e kërkuar, pa pritur përfundimin e procesit në shkallët e tjera të gjyqësorit.

Vendimi i Gjykatës Administrative nr. Nr. 2459 (80-2020-2470)

Vendimi i Gjykatës së shkallës së parë Administrative, iu përcoll për ekzekutim zyrës së përmbarimit, e cila nisi procedurat sipas ligjit.

Por në vend që të vinte në dispozicion dokumentacionin e kërkuar nga Faktoje, ashtu siç ndodhi me Ministrinë e Brendshme, Presidenca i dërgon zyrës së Përmbarimit një shkresë ku akuzon përmbaruesin për shkelje të hapura ligjore!

Shkresa me nr. 4225/1 Prot Dt. 17.12.2020 nga Presidenca

Pas këtij qëndrimi të hapur arbitrar nga ana e Presidencës, siç vlerëson përmbaruesi F.H, ai i drejtohet Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë me një ‘Kërkesë për orientim’, ku shprehet:

“Në datën 18.12.2020 ka mbërritur pranë zyrës tonë shkresa me nr. 4225/1 Prot Dt. 17.12.2020 e sekretarit të përgjithshëm të institucionit të Presidentit të Republikës, i cili më akuzon për shkelje të hapura ligjore se përse kam njoftuar ekzekutimin e këtij vendimi.”

“Edhe pse qëndroj i bindur në ligjshmërinë e veprimit tim procedurial dhe vënies në ekzekutim të vendimit, ndodhur edhe në kushtet e një qëndrimi arbitrar dhe presioni nga ana e institucionit debitor, i cili dukshëm po synon të cënojë profesionin e përmbaruesit privat pa pasur asnjë të drejtë ligjore, po ju drejtohem për mbajtjen e një qëndrimi dhe orientimi ligjor në lidhje me këtë rast…”-vijon përmbaruesi.

Kërkesa e përmbaruesit drejtuar Dhomës së Përmbaruesve

Presioni ‘shtrin efektin’ nga Presidenca drejt gjyqësorit

Përfaqësuesja ligjore e Faktojes në procesin gjyqësor, avokatja Irena Dule na bëri me dije për reagimin je paprecedentë nga ana e Presidencës, sapo kjo e fundit ishte vënë në dijeni nga përmbarimi se duhej të jepte dokumentacionin, sipas vendimit të gjykatës Administrative.

Presidenca refuzoi të ekzekutojë vendimin, por nuk mjaftoi me kaq. Mes shkresash zyrtare, u bë intimiduese dhe kërcënuese për përmbaruesin, i cili po ndjek praktikën e ekzekutimit të vendimit dhe nuk mbaroi këtu zinxhiri i presionit, i cili shkon deri tek gjyqtari i çështjes. Ky qëndrim i Presidencës është i paprecedent. Ndërsa është e zakonshme që institucionet të refuzojnë ekzekutimin vullnetar të vendimeve gjyqësore, është i padëgjuar rasti kur institucioni jo vetëm refuzon ekzekutimin e vendimit, por këtë e bën me zhurmë dhe kërcënime. Gjuha e përdorur në këto shkresa është diletante dhe arrogante njëkohësisht, por mbi të gjitha sjellja e Presidencës është intimiduese për zbatuesit e ligjit. Përtej këtyre vlerësimeve personale, unë si avokate e shoh shqetësues këtë reagim të Presidencës, duke e parë përtej rastit konkret, në efektet që ky reagim do të ketë te ato pak gjyqtarët të cilët janë për t’u respektuar për vendimet e tyre dhe për praktikën e mirë gjyqësore që kanë krijuar, edhe pse punojnë në kushte aspak normale dhe aspak miqësore.” – u shpreh avokatja Dule.

Faktoje do shpjegojë në mënyrë të thjeshtuar sesi ‘përcillet’ ky presion nga një institucion në tjetrin përmes shkresave zyrtare (me qëllimin final mosdhënien e faturave për shpenzimet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, të Presidentit të Republikës).

1. Në fund të vitit 2020 Presidenca i refuzoi hapur dhënien e faturave përmbaruesit F.H dhe njoftoi Dhomën Kombëtare të Përmbarimit përmes një shkrese ku e akuzon për shkelje të hapur të ligjit.
2. Përmbaruesi ankohet tek autoriteti që përfaqëson, Dhoma Kombëtare e Përmbarimit dhe i kërkon kësaj të fundit të mbajë një qëndrim ndaj institucionit debitor (Presidencës) edhe ta orientojë sesi të veprojë në vijim për të bërë të ekzekutueshëm vendimin e Gjykatës Administrative.
3. Dhoma Kombëtare e Përmbarimit ‘reagoi’ me një shkresë drejtuar Sekretares së Përgjithshme të Presidencës më 29 janar të këtij viti.

Në këtë shkresë ku vihet në dijeni përmbaruesi privat F.H, qendra Faktoje dhe gjyqtari i Gjykatës Administrative Erarbër Madhi, jo vetëm që nuk i tërhiqet vëmendje institucionit debitor, për gjuhën e përdorur në shkresa dhe refuzimin e vendimit të gjykatës, por ‘faji’ u lihet gjyqtarëve që shqyrtojnë çështjet e kësaj natyre.

Në shkresën e Dhomës Kombëtare të Përmbarimit, përmbajtja e së cilës ‘shkarkon’ nga përgjegjësia Presidencën për një detyrim ligjor që duhet ta kishte shlyer, ‘futet në lojë’ Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ky i fundit, sipas argumentit të kryepërmbaruesit Tedi Malaveci, duhet të marrë masa për orientimin e gjyqtarëve në Gjykatën Administrative të shkallës së parë. Nga ana tjetër dhe në kundërshtim me veten, Malaveci pranon se interpretimi i ligjeve gjyqësisht është kompetencë e gjykatave të juridiksionit të zakonshëm dhe në formë të unifikuar nga Gjykata e Lartë.

Pas këtij argumenti të paraqitur nga kreu i Dhomës Kombëtare të Përmbarimit, Faktoje ngre pyetjet:

A është e ligjshme që një gjyqtar i cilësdo gjykate të ‘orientohet’ për vendimet që merr, nëse ai është bazuar tashmë në Kodet përkatëse?

Çfarë domethënie ka orientimi kur gjyqtarët janë të pavarur dhe vendimet i marrin konform ligjeve?

Përse nuk kërkohet ky orientim në rastet për praktika të njëjta si rasti i Ministrisë së Brendshme?

4. Dhoma e Përmbarimit, për të përforcuar shqetësimin se ka hasur edhe raste të tjera të ngjashme, kur institucioni debitor refuzon të shlyejë vullnetarisht apo me detyrim vendime të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë me ekzekutim të përkohshëm, ka bashkëngjitur një praktikë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Në këtë pikë, vendimi i Gjykatës Administrative të shkallës së parë ka mbetur pezull.

Për avokaten Irena Dule, nga qendra Res Publica, ky është një rast i përsëritur.

Vendimi i marrë nga gjykata, që detyron Presidencën të japë informacionin e kërkuar, menjëherë, pa pritur të marrë formë të prerë, nuk është një rast i izoluar. Një pjesë e mirë e gjyqtarëve, në raste identike kanë dhënë vendime të tilla, të cilat janë të mbështetura në arsyen e shëndoshë se informacioni për gazetarin ka vlerë nëse është aktual, sepse kështu i shërben publikut dhe në ligj (Kodi i Procedurës Civile), sipas të cilit gjyqtari ka të drejtë të vendosë ekzekutime të menjëhershme, nëse e sheh te arsyeshme.”-thotë avokatja Dule.

Ndërkohe që Presidenca refuzon hapur zbatimin e një vendimi gjykate, që nxit në thelb transparencën ndaj publikut, një qëndrim inkurajues vjen nga ambasadori i OSBE Vincenzo del Monaco në intervistën e tij të parë pasi mori këtë detyrë:

“E vlerësoj zhvillimin e fundit që tregon shenja të një kulture të shëndetshme mediatike, i referohem rastit të “Faktoje”, medias së pavarur që fitoi një çështje gjyqësore kundër një institucioni publik së fundmi. Ky është një rezultat i rëndësishëm që përforcon përsëri optimizmin tim dhe inkurajimin për t’iu besuar institucioneve shqiptare.”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img