BallinaBurokraciÇfarë po ndodh 3 muaj pas kërkesës për faturat

Çfarë po ndodh 3 muaj pas kërkesës për faturat

MERXHAN DACI

12 ministri nga 15 (përfshirë Kryeministrinë) të cilave “Faktoje” u kërkoi informacion për shpenzimet në udhëtimet jashtë vendit të titullarëve, refuzojnë të tregojnë faturat. Mosdhënia e informacionit, sipas Ligjit për të Drejtën e Informimit ndëshkohet me gjobë deri në 300 mijë lekë. Komisioneri nuk ka marrë asnjë masë ndaj ministrive dhe Kryeministrisë që janë shkelës të këtij ligji, një sjellje dekurajuese për çdo qytetar që kërkon të ushtrojë të drejtën për të marrë informacion.

————————————————————————————————————————————————————-

Katër javë më parë “Faktoje” publikoi një artikull që tregonte në mënyrë të detajuar se si shumë ministri (dhe Kryeministria) nuk kthejnë përgjigje për shpenzimet e titullarëve jashtë shtetit, pas kërkesës për informacion dërguar zyrtarisht që në datën 8 korrik.

Sot pas 3 muajsh kalendarikë, në adresë të “Faktoje” kanë ardhur vetëm disa prej përgjigjeve, shumica të paplota në raport me dokumentacionin e kërkuar. Edhe pse Ligji për të Drejtën e Informimit është promovuar si “një nga ligjet më të mira në botë” pasi u lejon qytetarëve të kërkojnë dhe të marrin informacion, institucionet shqiptare konfirmojnë me këtë rast dështimin me zbatimin e tij.

Institucionet që kanë kthyer përgjigje:

Institucionet që kanë dhënë informacion të pjesshëm:

  • Kryeministria:

Kryeministria ktheu një përgjigje të pa shoqëruar me ndonjë faturë apo tjetër dokument ilustrues. Që prej asaj kohe, në adresën tonë nuk ka ardhur ndonjë informacion i ri.

  • Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes:

Kjo ministri dërgoi vetëm të dhënat e shpenzimeve të ministrit aktual Eduart Shalsi por jo ato të paraardhëses Sonila Qato.

  • Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë:

Ministria nuk dha asnjë faturë udhëtimi, por na informoi me një listë përmbledhëse të udhëtimeve destinacioneve ku titullari ka udhëtuar dhe shumën totale vjetore të shpenzuar, por pa ndonjë faturë shoqëruese.

  • Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural:

Ministria e Bujqësisë vuri në dispozicion dy tabela përmbledhëse për udhëtimet e dy ministrave Peleshi dhe Çuçi, por asnjë faturë.

  • Ministria e Turizmit dhe Mjedisit:

Kjo ministri reagoi vetëm pas ankimimit të Komisionerit duke dhënë një përgjigje të paplotë dhe të dhëna të përafërta.

  • Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme:

Ministria në fjalë ka dërguar vetëm me një listë të udhëtimeve të titullarit.

  • Ministria e Kulturës:

Kjo ministri solli me Postë një përgjigje përtej afateve. Të dhënat ishin të përgjithshme dhe jo të shoqëruara me ndonjë dokument shtesë apo faturë.

  • Ministria e Brendshme:

Pas tre muajsh nga dërgimi i kërkesës sonë, pas ndërhyrjes së Komisionerit, Ministria e Brendshme ktheu një përgjigje edhe pse të paplotë dhe jo e shoqëruar me ndonjë faturë që justifikonte udhëtimet e titullarit.

  • Ministria e Financave:

Ministria e Financave ktheu si shumica e ministrive një përgjigje të paplotë.

  • Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin:

Zyra e Kryeministrisë ktheu përgjigje për këtë ministri (meqë është pa portofol) por vetëm të dhëna të përgjithshme dhe asnjë faturë.

Faktoje konstatoi një sjellje tipike të të gjithë instituciove të lartpërmendura (përjashto Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Arsimit), shmangie nga kërkesa për dërgimin e faturave, zvarritje në dhënien e informacionit dhe tejkalim të vazhdueshëm të afateve.

Institucionet që nuk kanë dhënë asnjë informacion:

  • Ministri i Shtetit për Diasporën
  • Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
  • Ministria e Mbrojtjes

Pas kërkesës së datës 8 korrik, “Faktoje” mendoi të zgjeronte listën e institucioneve që do t’u kërkonte shpenzimet e udhëtimeve të titullarëve.

Dy institucionet e tjera që plotësojnë tashmë të gjithë pushtetin qendror janë Presidenti i Republikës dhe Kuvendi.

“Faktoje” mori një përgjigje të përgjithshme për shpenzimet e Presidentit por jo e shoqëruar me fatura apo dokument tjetër siç shkruhej qartë në kërkesën tonë për informacion. Si rrjedhojë, “Faktoje” ankimoi këtë institucion tek Komisioneri. Ndërkaq, Koordinatori për të Drejtën e Informimit në Kuvendin e Shqipërisë ka kërkuar më shumë kohë për një përgjigje.

Ku është Komisioneri?

Siç e shpjeguam herën e kaluar, sipas Ligjit për të Drejtën e Informimit 119/2014, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është institucioni ku subjekti që ka bërë një kërkesë dhe nuk ka përgjigje ankohet, pra në këtë rast “Faktoje”.

Pas kalimit të afatit prej 10 ditësh punë të institucioneve për të kthyer përgjigje, “Faktoje” ankimoi të gjitha institucionet që nuk kthyen përgjigje apo që kthyen përgjigje të pjesshme, përfshirë edhe Presidencën e Republikës dhe Kryeministrinë.

Sipas ligjit, Komisioneri duhet të përgjigjet brenda 15 ditëve pune nga afati i ankesës tek ky institucion, por në rastin tonë ky afat ka kaluar dhe Komisioneri nuk ka dalë me një vendim.

*Ligji 119/2014, neni 24

E kontaktuar nga “Faktoje”, zyra e Komisionerit na komunikoi se është në dijeni se ka tejkaluar afatet ligjore për shqyrtimin e ankesës sonë, por kjo sipas tyre shpjegohet me volumin e punës duke llogaritur numrin e madh të kërkesave për informacion që ka dërguar “Faktoje” në drejtim të institucioneve dhe më pas ankimuar.

raportin e vitit 2018 të Zyrës së Komisionerit thuhet se gjatë vitit të shkuar janë depozituar 820 ankesa, prej të cilave 622 janë zgjidhur me ndërmjetësim. Prej të gjitha ankesave, Komisioneri është shprehur me vendim vetëm për 37 prej tyre dhe ka vendosur sanksione vetëm në 3 raste.

Nisma e “Faktoje” për të kërkuar nga institucionet dhe për të publikuar më pas shpenzimet e zyrtarëve të shtetit shërbeu edhe si një testim i vullnetit të institucioneve publike se sa transparente janë kundrejt taksapaguesve kur bëhet fjalë për shpenzimin e parave.

Shkelja e përsëritur e afateve, ligjërisht pasohet me dërgimin e çështjes në gjykatë dhe “Faktoje” është e vendosur që ta çojë deri në fund këtë proces për marrjen e informacionit me karakter publik, një e drejtë që i lind çdo qytetari.

*Fotoja kryesore: Better Government Association

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img