BallinaFaktometerE vërtetëBashkia Shijak rrit taksën e pastrimit

Bashkia Shijak rrit taksën e pastrimit

Bashkia Shijak rriti tarifën e pastrimit me 1 mijë lekë në vit, pak muaj pas krizës së mbetjeve, e cila përfshiu të gjitha bashkitë e qarkut Durrës. Në verën e këtij viti institucionet vendore kërkuan ndihmë emergjente nga qeveria për menaxhimin e mbetjeve për 5-10 vitet e ardhshme, pasi me të ardhurat e mbledhura nuk arrihet të mbulohen as pagat e punonjësve. Ndërkohë ekspertët këshillojnë të merren masa për mirëadministrimin e të ardhurave vendore nga Bashkia Shijak.


Më 11 tetor në një artikull të publikuar në vazhdën e verifikimeve për situatën e mbetjeve në bashkitë e qarkut Durrës, Faktoje tregonte për nismën e Bashkisë Shijak për rritjen e tarifës së pastrimit. Edhe në planin vendor të menaxhimit të mbetjeve 2010-2030,  ndër të tjera parashikohej edhe rritja e tarifës së pastrimit.

Kjo nismë u mori formën e një vendimi të votuar në Këshillin Bashkiak gjatë muajit dhjetor, sipas të cilit banorët e Shijakut do të paguajnë 2 500 lekë në vit për pastrimin e mbetjeve. Sipas këtij vendimi, rritja është 1 000 lekë në vit (nga 1500 lekë që ishte bëhet 2500 lekë në vit).

Këto të dhëna mbërritën pas kërkesës për informacion që Faktoje dërgoi disa javë më parë në bashkinë e Shijakut.

Screenshot nga kërkesa për informacion, datë 7 dhjetor 2021

Gjithashtu në përgjigje konfirmohet se janë zhvilluar 3 dëgjesa publike në të gjitha njësitë administrative ku përfshihen: Gjepalaj, Vllazërim, Maminas, para marrjes së vendimit për rritjen e tarifës së pastrimit.

Përgjigja e Bashkisë Shijak, datë 15 dhjetor 2021

Në verën e këtij viti, bashkitë Durrës dhe Shijak, kërkuan financim urgjent nga qeveria për 5-10 vitet e ardhshme pasi në situatën ku ndodhen, nuk arrijnë të mbulojnë as pagat e punonjësve të pastrimi. Nga ana tjetër ligji për funksionim e pushtetit vendor përcakton që bashkitë duhet t’i mbulojë vetë shpenzimet për përpunimin e mbetjeve.

Mungesa e fondeve për të përballuar situatën e mbetjeve u thellua dhe u bë më komplekse pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe mbylljes së venddepozimit të mbetjeve të Porto Romanos në janar 2020.

Edhe ekspertët që e konsiderojnë të pashmangshme rritjen e vazhdueshme të tarifës së pastrimit japin këtë sugjerim:

“Bashkia Shijak duhet të përmirësojë administrimin e skemës së mbledhjes së tarifave për pastrimin e cila vendoset tek fatura e ujit, të rrisë tarifat, ose të financojë defiçitin me burime të tjera duke ulur mundësitë për të investuar apo dhënë shërbime në fusha të tjera. Qeveria Shqiptare duhet t’i vendosë kushte të forta Bashkisë për të mirëmenaxhuar financat e veta, një plan veprimi që do kthejë gjendjen në mormalitet dhe të garantojë mospërsëritjen e situatës. Çelësi në periudhë afatgjatë është administrimi i të ardhurave vendore nga Bashkia Shijak, duke zgjeruar bazën e vjeljes së taksës, ose rritjen e tarifave si psh. asaj të pastrimit (kjo e dyta do të rëndonte më shumë familjet), dhe mirëmenaxhimi i fondeve duke ulur abuzimin dhe zgjedhur alternativat më financiarisht efektive. Ky problem, me sa kuptohet, është i mbartur ndër vite, çka tregon nivel të ulët të përgjegjshmërisë në administrimin financiar të kësaj Bashkie në të shkuarën. Ky është një rast tipik se si krizat si ajo e pandemisë dhe tërmetit nxjerrin në pah dobësitë strukturale të institucioneve tona të pa adresuara ndër vite dhe për të cilat duhet të nxjerrim mësimet dhe marrim masa për një të ardhme të sigurtë të komuniteteve tona.”

Lexo edhe:

Landfilli I Sharrës dhe gjysmë e vërteta për depozitimin e mbetjeve të Shijakut

Kush po e fsheh të vërtetën për venddepozitimin e plehrave të Shijakut

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img