BallinaPertejLandfilli i Sharrës dhe gjysmë e vërteta për depozitimin e mbetjeve të Shijakut

Landfilli i Sharrës dhe gjysmë e vërteta për depozitimin e mbetjeve të Shijakut

Ku i ka depozituar bashkia e Shijakut mbetjet që prej janarit 2020, kohë kur u mbyll vendgrumbullimi i Porto Romanos? Përgjigjet e Bashkisë Shijak dhe landfillit të Sharrës, dërguar për Faktojen, vazhdojnë të jenë kontradiktore. Ndërsa bashkia konfirmon se prej mbylljes së Porto Romanos, mbetjet janë depozituar në Sharrë, autoritetet e Landfillit e kanë mohuar. Vetëm në përgjigjen e fundit, pas këmbënguljes së Faktoje, ky landfill pranon se mbetjet e Shijakut janë pranuar pa tarifë depozitimi pranë Z.T.M.T përgjatë vitit 2021 për një periudhë 3 mujore.


Për herë të parë, pas komunikimit në rrugë zyrtare, përmes kërkesës për informacion, landfilli i Sharrës konfirmoi që mbetjet e Bashkisë Shijak janë pranuar pa tarifë depozitimi pranë Z.T.M.T përgjatë vitit 2021 për një periudhë prej 3 muajsh. Konfirmimi i radhës erdhi pas këmbënguljes së Faktojes për të ditur se ku po depozitoheshin mbetjet e Bashkisë Shijak pas krizës që kaploi qytetin gjatë sezpnit të verës.

Në fillim të shtatorit, Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion Landfillit të Sharrës nëse ka pranuar të depozitojë mbetjet e Bashkisë Shijak pranë Z.T.M.T.

Përgjigjja e Landfillit të Sharrës, shtator 2021

Bazuar në përgjigjen e Landfillit të Sharrës, nga qarku Durrës, prej janarit 2020 kur u mbyll Porto Romano, janë pranuar pa tarifë depozitimi vetëm mbetjet e bashkisë Durrës. Për bashkinë Shijak, konfirmohet pranimi i mbetjeve (pa tarifë) vetëm për një periudhë 3 mujore, pa e specifikuar se në cilët muaj.

Në një përgjigje për Faktoje, në mesin e muajit gusht, Landfilli i Sharrës mohonte që Bashkia Shijak të kishte depozituar mbetjet në Z.T.M.T. Po në atë periudhë, Bashkia Shijak theksonte se mbetjet e qytetit janë dhe vazhdojnë të depozitohen në Landfillin e Sharrës që kur u mbyll venddepozitimi i Porto Romanos në qytetin e Durrësit.

Përgjigja e Bashkisë Shijak, gusht 2021

Përgjigjja e landifillit të Sharrës, Gusht 2021

Vendepozitimi i mbetjeve në Porto-Romano është mbyllur zyrtarisht në janar 2020, çka i la vend miratimit të lejes nga KKT për ndërtimin e Eko Parkut.

Përgjigjja e Bashkisë Durrës

Po t’i refermohemi konfirmimit zyrtar të Bashkive Shijak dhe Durrës, rezulton se të dyja bashkitë i kanë dërguar mbetjet në landfillin e Sharrës që prej asaj kohe. Por landfilli konfirmon pranimin e mbetjeve vetëm për bashkinë Durrës nga janari 2020, dhe jo për Shijakun, për të cilin njëherë përgjigjet se nuk ka pranuar asnjëherë mbetje dhe herën e dytë konfirmon vetëm 3 muaj gjatë 2021. Kjo ngre pikepyetje mbi transparencën e procesit të grumbullimit dhe depozitimit të mbetjeve të Shijakut, për të cilin përgjigjet mbeten ende kontradiktore.

*Burimi i fotos: Fotoja e profilit e marrë nga portali shqiptarja.com

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img