BallinaFaktometerPa kategoriNë Tiranë ‘nuk gjendet’ hapësirë për të vendosur Çadrën e Cirkut

Në Tiranë ‘nuk gjendet’ hapësirë për të vendosur Çadrën e Cirkut

Më shumë se dy muaj pas heqjes së Çadrës së Cirkut Kombëtar, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës nuk kanë gjetur një ambient të përshtatshëm për ngritjen e Çadrës së re. Kjo konfirmohet zyrtarisht për Faktoje nga Bashkia, me anë të një shkrese zyrtare. Megjithatë trupa e Cirkut, edhe pse praktikisht në mes të katër rrugëve, ka planifikuar shfaqje për të kënaqur fëmijët me rastin e festave të fundvitit.

……………………………………………………………………………….

“Brenda nëntorit do t’i dorëzojmë Bashkisë së Tiranës të gjithë kërkesat për programin tonë, për evidentimin e hapësirës në zonat e reja”- deklaroi Ministrja e Kulutrës Elva Margariti, në 25 tetor, pak ditë pas heqjes së çadrës ku artistët e Cirkut stërviteshin dhe jepnin shfaqje.

Më 22 nëntor, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës për të mësuar se në çfarë faze janë për gjetjen e hapësirës së re ku do të ngrihet Çadra e re e Cirkut Kombëtar.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Tiranës, 22 nëntor 2021

Duke qenë se nuk arritëm të merrnim një përgjigje nga Bashkia e Tiranës, ne e ankimuam kërkesën në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit, më datë 13 dhjetor.

Ankimimi drejtuar komisionerit Për Të Drejtën e Informimit, 13 dhjetor

Më datë 24 dhjetor, përgjigjia mbërriti në zyrat e Faktoje nëpërmjet postës. Në përgjigjen zyrtare të Bashkisë së Tiranës sqarohet ndër të tjera se deri më tani nuk është gjetur një ambient i përshtatshëm për të vendosur çadrën e re të Cirkut Kombëtar.

“Bashkia Tiranë me shkresën me nr. prot. 41812/1, datë 26.11.2021 ka informuar Ministrinë e Kulturës se nuk disponon ambiente të përshtatshme, të cilat mund të ofrojnë zgjidhje afatgjatë për mbarëvajtjen e aktivitetit administrativ dhe përmbajtësor të Cirkut Kombëtar”- sqaron Bashkia e Tiranës.

Përgjigjia e Bashkisë së Tiranës për Faktoje, 24 dhjetor 2021

Stërvitje në ‘rrënojat’ e Cirkut

 Që prej 21 tetorit, anëtarët e stafit të Cirkut Kombëtar, kanë mbetur pa ‘shtëpi’ dhe të zhgënjyer për të ardhmen.

Më 20 nëntor, Faktoje raportoi se artistët nuk po stërviteshin dhe as nuk po jepnin shfaqje, ndërsa Ministria e Kulturës sqaronte se kishte vënë në dispozicion të artistëve palestrën e gjimnazit “Sinan Tafaj” në kryeqytet. Një muaj pas publikimit të këtij artikulli, artistët e Cirkut na konfirmuan:

“Provat nuk po bëhen në shkolla siç u tha nga Ministria, por te palestrat e cirkut që na mbetën. Janë palestrat që kanë qenë po tek i njëjti ambient ngjitur me Teatrin e Metropolit.” – tha për Faktoje Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Cirkut Kombëtar, Julian Kazazi.

Ambientet ku artistët e Cirkut po zhvillojnë provat

Ambientet ku artistët e Cirkut po zhvillojnë provat

Artistët e Cirkut: Do vijojmë me shfaqjet, pavarësisht kushteve

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Cirkut Kombëtar, Julian Kazazi tha për Faktoje se provat i kanë vazhduar me qëllim dhënien e shfaqjeve për komunitetin e fëmijëve në nevojë.

“Provat po vazhdohen edhe pse në kushte jo të përshtatshme për artistët e cirkut. Po përgatitemi për shfaqjet që kemi ndërmarrë vetë si artistë me drejtimin artistik të Znj. Alketa Haxhiu për këto ditë festash, që të jemi sa më pranë shtresave vunerabël me aktivitetin tonë pranë qendrave të tyre. Deri në fund të këtij viti kemi parashikuar të zhvillohen edhe 5 shfaqje te tjera si psh: tek ‘Shtëpia e Foshnjës’, ‘Zyber Hallulli’ etj”, theksoi Kryetari i Sindikatës së Artistëve Julian Kazazi.

Pamje nga vendi i ish-Cirkut Kombëtar, nëntor 2021

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img