Pretendimi: Kjo foto tregon Elon Musk duke lexuar një libër mbi teorinë e Tokës së Sheshtë

Verdikt: Foto e manipuluar

————————————–

Foto e miliarderit Elon Musk që duket se po lexon një libër të quajtur “Konspiracioni i Tokës së Sheshtë” është postuar në Facebook nga publicisti Alfred Cako, si një provë e mëtejshme për teorinë e Tokës së sheshtë. Investimet e kompanisë së Musk në fluturime hapësinore e bëjnë edhe më intriguese këtë përfshirje të tij në diskutimin për formën e planetit. 

Fatkeqësisht për konspiracionistët, duket se kjo foto është e manipuluar.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje arriti të gjejë foton origjinale, të postuar mbi 10 vite më parë.

Në foton origjinale, Musk po lexon një libër të quajtur “The Dinosaur Hunter” (Gjahtari i Dinosaurve) nga Homer Hickam.

Foto e mësipërme është postuar më 23 nëntor 2010 nga llogaria në Facebook e autorit të librit në fjalë, Homer Hickam, shoqëruar me përshkrimin: “Elon Musk kapet duke lexuar Gjahtarin e Dinosaurve. Nëse nuk jeni të sigurtë se kush është ai, mund ta kërkoni lehtësisht. Ai është një njeri me ndikim, kaq është e sigurt. Faleminderit, Elon!”

Libri i Hickam tregon aventurat e një ish-polici që zbulon fosile dinosaurësh nën sipërfaqen e Tokës në fermat e Montanës, në ShBA. Ai nuk ka lidhje me teorinë e Tokës së sheshtë.