BallinaFaktometerPa kategoriA po shitet Sazani?

A po shitet Sazani?

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani në 13 qershor shkroi në profilin e tij në Facebook se ishulli i Sazanit po pastrohet pasi siç flitet (sipas tij) disa investitorë do të vinin ta shihnin.

Postimi i Bogdanit:

Në postimin e tij, Bogdani shfaq dyshime për atë që mund të ndodhë, por nuk jep ndonjë fakt mbi planin për ‘shitjen’.

Faktoje u përpoq të lidhej me Z.Bogdani për më shumë sqarime, por nuk pati një përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Po ashtu, Faktoje pyeti Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit nëse ka ndonjë projekt për zhvillimin e ishullit të Sazanit.

Sa i takon projekteve në këtë zonë, ju bëjmë me dije se Plani i Integruar Ndërsektorial për Brezin Bregdetar (PINS-Bregdeti) parashikon ndërtimin e një porti turistik për trafik ndërkombëtar në Ishullin e Sazanit. Porti turistik bën pjesë në propozimet teknike për ndërtimin e porteve në bregdet”- thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Porti i Sazanit

Pyetur më konkretisht nëse ka një interes nga investitorë për të investuar në ishull, ministria u përgjigj:

Në lidhje me shprehjet e interesit për investime në Ishullin e Sazanit, nuk jemi në dijeni dhe zyrtarisht në DKFPT nuk është përcjellë për trajtim një kërkesë e tillë”.

Faktoje pyeti edhe Ministrinë e Mbrojtjes për statusin që ka ishulli duke patur parasysh faktin që prej kohësh ka shërbyer si zonë ushtarake.

Lidhur me kërkesën tuaj mbi statusin dhe planet zhvillimore të ishullit të Sazanit, ju informoj se prona që ju citoni, është në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes. Deri më sot nuk ka kërkesë për plan zhvillimor në ishullin e Sazanit, në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes”-tha në përgjigje zyrtare ministria e Mbrojtjes.

Faktoje shkoi në Sazan dhe nga vëzhgimet në terren konstatoi se nuk po kryheshin punime apo pastrim me qëllim hapjen rrugë të zhvillimit të zonës.

Ishulli i Sazanit është pjesë e Parkut Detar Karaburun-Sazan, shpallur me VKM nr. 289, datë 28.4.2010 “Për shpalljen “Park Kombëtar” të Ekosistemit Natyror Detar pranë Gadishullit të Karaburunit dhe Ishullit të Sazanit” dhe përbën një atraksion me potencial të lartë turistik.

Për herë të parë ky ishull u hap për turistët në vitin 2015. Aty vazhdojnë të qëndrojnë forca ushtarake dhe vizitat e organizuara turistike, siç na informuan operatorët turistikë në Vlorë kryhen gjithnjë me leje dhe duke dërguar paraprakisht në repartin ushtarak listën me emrat e vizitorëve.

Turistë në Sazan

Duke qenë se burimet zyrtare na thonë se nuk ka ndonjë plan zhvillimi për ishullin përveçse ndërtimi i një porti turistik, deklaratën fillestare të ish deputetit Bogdani do ta konsiderojmë PA KATEGORI.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img