Një video që pretendon se vaksina anti-Covid po dëmton dhe zëvendëson qelizat e spermës te meshkujt po qarkullon në rrjete sociale. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se nuk ka prova që mbështesin këtë pretendim. Sipas një sërë studimesh, vaksina mRNA anti-Covid nuk ndikon negativisht në fertilitetin e meshkujve apo femrave.

———————————————-

Një video e patologut Arne Burkhardt, i cili ndërroi jetë këtë vit, po qarkullon edhe në mediat sociale shqipfolëse. 

“Proteinat Spike po zëvendësojnë plotësisht spermën”

Burkhardt pretendon:

“Ne mundëm të konfirmonim që proteina Spike prodhohet në muskujt deltoide ku vaksina injektohet. Por mundëm të tregonim në thuajse të gjithë organet, pak a shumë, në mënyrë eksplicite. Dhe këtu shihni një rast ku ne tregojmë testikujt dhe mund të shohësh se në këtë burrë 28-vjeçar i cili kishte një djalë të shëndetshëm dhe i cili vdiq 140 ditë pas injektimit, proteina Spike shfaqet fort në organin spermatogjenik në testikuj. Dhe mund të shohësh që nuk ka thuajse fare spermatocite këtu, por, dhe, është shfaqje e fortë e proteinës Spike në indin spermatogjenik.

Kështu, gjithashtu, në një person tjetër, ky është një burrë i moshuar dhe mund të shihni këtu gjithashtu një shfaqje të fortë në spermatogonitë. Nuk ka asnjë spermatozoid të vetëm në këtë shfaqje të fortë të proteinës Spike.

Kështu, nëse mund të bëj një koment personal, ky nuk është një koment shkencor. Nëse unë do të isha një grua në moshë pjellore, nuk do të planifikoja amësinë me një person, me një burrë që është vaksinuar.”

Klipi nuk jep asnjë provë apo studim të botuar për ta mbështetur këtë pretendim.

Ndërkohë, një studim i botuar në revistën shkencore “Fertil Steril” në 2021 mbi efektin e vaksinës mRNA anti-Covid mbi cilësinë e spermës gjeti se këto vaksina nuk ndikonin negativisht në fertilitetin e meshkujve. 

Një studim i vitit 2022, botuar në revistën Basic Clinical Andrology, kqyri efektet e vaksinës Pfizer në fertilitetin mashkullor me anë të parametrave analitikë të spermës. Sipas gjetjeve të tij, vaksina nuk kishte ndikim të dëmshëm tek sperma, në volum apo përqendrim.

Një tjetër studim analitik i botuar në revistën shkencore Vaccine në 2022 konfirmoi se “bazuar në studimet e botuara deri më tani, nuk ka prova shkencore të ndonjë lidhjeje mes vaksinave anti-Covid dhe dëmtimit të fertilitetit tek meshkujt ose tek femrat.” Përkundrazi, infektimi me Covid-19 mund të ketë lidhje me uljen e fertilitetit tek meshkujt e, si rrjedhojë, vaksina mund të “ruajë funksionet riprodhuese” duke parandaluar infektimin me Covid-19.

Proteinat Spike janë pjesë e strukturës virusale të koronavirusit, i cili i përdor ato për t’u kapur dhe për të depërtuar qelizat. Vaksinat mRNA i mësojnë trupit të prodhojë këto proteina, në mënyrë që sistemi imunitar të njihet me to dhe të krijojë një reagim imunitar që do të mbronte kundër virusit.

“Faktoje” ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime se vaksina anti-Covid ndikon negativisht në fertilitet.