BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookIva Tiço viktimë e marketingut për kurën e dobësimit

Iva Tiço viktimë e marketingut për kurën e dobësimit

Gazetarja e njohur Iva Tiço nuk ka promovuar asnjë produkt për dobësim, siç pretendohet nëpërmjet disa profileve të rreme në Facebook. “Faktoje” verifikoi se kemi të bëjmë me një tjetër skemë mashtrimi, të sajuar me personazhe publike, tekst të përkthyer keq dhe mjekë të rremë.

Një postim i shpërndarë në rrjetet sociale, nëpërmjet një profili që ka përdorur emrin e gazetares Iva Tiço, pretendon se ofron një kurë për t’u dobësuar.

Pas darkës ha një lugë nga përzierja dhe në mëngjes burri nuk më njeh. Është shumë e lehtë të përshpejtosh heqjen dhe të heqësh qafe tepricën”, shkruan profili në Facebook, ku dallohen edhe gabimet në mënyrën e të shkruarit.  

Postimi i shpërndarë nga faqja në Facebook

Ajo që vihet re është se për ta bërë të besueshëm këtë postim, profili në fjalë ka bashkëngjitur një link, ku aludohet se është një artikull i portalit “balkanweb.com”.

Fillimisht ne bëmë një verifikim të faqes së Facebook ku promovohet produkti për dobësim. Shihet që faqja ka vetëm 15 pëlqime dhe 60 ndjekës, çka është një tregues që profili nuk i përket gazetares Iva Tiço.

Gjithashtu, në këtë faqe janë edhe disa postime të tjera, ku është përdorur imazhi i gazetares për të promovuar produktet.

“Faktoje” vazhdoi më tej, duke klikuar mbi linkun e vendosur, ku na shfaqen disa informacione përse pesha e tepërt është e dëmshme dhe pretendimet se pesha nuk ulet me stërvitje.

Pas këtyre këshillave, në artikull promovohet produkti ‘Metafix’, që supozohet së “bën mrekullinë për humbjen në peshë”.

Screenshot, artikulli i publikuar

Gjithashtu, në artikull janë përdorur edhe emra mjekësh, në mënyrë që të krijojë besueshmëri të lexuesit. Mjekët e përfshirë në artikull janë John Seville dhe Andrea Soler.

Screenshot, artikulli i publikuar

Mirëpo, nëse do të klikojmë sërish linkun, ai nuk hapet më. Qëllimi i tyre është përhapja e tij nëpërmjet sponsorizimit dhe më pas fshihet për të mos u kapur si skemë nga Facebook.

“Faktoje” kontaktoi edhe Iva Tiçon, e cila sqaron se këto produkte nuk janë promovuar nga ajo, por bëhen nga profile të rreme, të cilët përdorin imazhin e gazetares.

Kjo është një faqe mashtruese që kërkon të shesë pisllëqe me fytyrën time. Të gjitha faqet e mia në rrjetet sociale janë me ‘tikun’ blu, të certifikuara nga Facebook”, sqaron Tiço.

“Faktoje” ka verifikuar një sërë artikujsh, ku mjekë të njohur, por edhe figura publike janë përdorur nga këto skema mashtrimi, me qëllim shitjen e produkteve.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img