BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookEMA nuk ka pohuar uljen e fertilitetit për shkak të vaksinimit

EMA nuk ka pohuar uljen e fertilitetit për shkak të vaksinimit

Në media sociale kanë qarkulluar pretendime se fakti që rregullatori europian ka shtuar hemoragjinë e shtuar menstruale si efekt i mundshëm anësor i disa vaksinave anti-Covid do të thotë se kjo vaksinë ndikon në fertilitet. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se vetë rregullatori europian ka pohuar se vaksina nuk ndikon në riprodhimin dhe fertilitetin e njerëzve.

————————————————-

Konspiracionistët anti-vaksinë vazhdojnë të kapen pas çdo përditësimi shkencor rreth vaksinave anti-Covid për të pretenduar se këto vaksina dëmtojnë shëndetin e njerëzve. Kështu është përdorur dhe rekomandimi i Agjensisë Europiane të Barnave (EMA) për të shtuar gjakderdhjen e rëndë menstruale si efekt i mundshëm anësor i vaksinave mRNA Comirnaty (prodhuar nga Pfizer) dhe Spikevax (prodhuar nga Moderna).

Facebook, ky rekomandim është përdorur për të pretenduar se profesionistët e shëndetësisë që kanë thënë se vaksinimi nuk ndikon në riprodhim apo fertilitet. Më shqetësuese bëhet kjo retorikë, kur rekomandimi i EMA është përdorur për të sulmuar mjekun, dhe kandidatin në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti.

Është e vërtetë që rekomandimi i lëshuar nga EMA më 28 tetor 2022 pohon se ka patur mjaftueshëm raste të vëzhguara nga praktika dhe gjatë provave klinike për mundësinë e një gjakderdhjeje të shtuar menstruale pas vaksinave Comirnaty dhe Spikevax. Megjithatë, EMA gjithashtu rikujton se nuk ka prova që sugjerojnë se çrregullimet menstruale që janë raportuar në disa raste kanë ndonjë ndikim në riprodhim dhe fertilitet. 

Screenshot nga rekomandimi i plotë i EMA ku lajmërohet se çrregullimet menstruale nuk ndikojnë në fertilitet

EMA rithekson gjithashtu besimin se tërësia e të dhënave të disponueshme deri më tani nga shkenca dhe të dhënat në terren vërtetojnë se të mirat e këtyre vaksinave anti-covid janë më të mëdha se rreziqet.

Një numër studimesh kanë konfirmuar se vaksina anti-Covid-19 nuk ndikon në uljen e fertilitetit. Megjithatë, disa studime tregojnë se fertiliteti tek meshkujt mund të ulet përkohësisht, jo nga vaksina, por nga infektimi me Covid-19. Kjo vjen në formën e prodhimit të reduktuar të spermës, impotencës ose deficencë testosteroni në disa burra që ishin infektuar me Covid-19.

Pretendimi se vaksinat shkaktojnë sterilitet është një nga mitet më të përhapura, aq sa Byroja Federale e Shëndetit Publik së Zvicrës ka prodhuar një video ndërgjegjësuese për këtë çështje.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img