BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKeqinterpretimi i studimit për lidhjen e fertilitetit dhe vaksinimit anti-Covid

Keqinterpretimi i studimit për lidhjen e fertilitetit dhe vaksinimit anti-Covid

Në rrjetet sociale ka qarkulluar pretendimi anti-vaksinë se një studim i qeverisë gjermane ka gjetur një lidhje mes fillimit të programeve të vaksinimit dhe një rënie të numrit të lindjeve. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se studimi i Institutit Federal Gjerman për Kërkimet mbi Popullsinë nuk provon se vaksina kundër Covid-19 ndikon në fertilitetin.

———————

Në rrjetin social Facebook, një grafik dhe citim nga studimi Institutit Federal Gjerman për Kërkimet (BiB) po nxirren jashtë kontekstit për të pretenduar se vaksina anti-Covid shkakton uljen e fertilitetit.

Studimi i BiB, i cili ende nuk i është nënshtruar rishikimit nga kolegët (peer review), i cili është një element kyç i çdo studimi shkencor, shikon rënien e fertilitetit afër fundit të pandemisë Covid-19 në Gjermani dhe Suedi. 

Limitimi i studimit në vetëm këto dy vende është një tregues fillestar se gjasat janë që ky studim nuk ka ‘provuar’ se vaksina anti-Covid ul fertilitetin. Që një studim të arrinte në një përfundim kaq të përgjithshëm, fusha e studimit të tij do duhej të ishte shumë më e gjerë se vetëm dy shtete.

Në përmbledhjen e studimit thuhet, vërtet, se “ka një lidhje të fortë mes fillimit të programeve të vaksinimit dhe rënies së fertilitetit nëntë muaj pas këtij momenti”. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vaksina anti-Covid shkakton uljen e fertilitetit. Siç “Faktoje” ka theksuar më parë, fakti qe dy fenomene janë të lidhur në kohë nuk do të thotë domosdoshmërisht se ekziston një lidhje shkak-pasojë mes tyre. Për shembull, ka një lidhje 99.8% mes numrit të vetëvarjeve në ShBA dhe shpenzimeve buxhetore të ShBA për shkencën, hapësirën dhe teknologjinë. A do të thotë kjo se një nga këto fenomene ka shkaktuar tjetrin?

Për më tepër, vetë studimi nuk del asnjëherë në përfundimin se rënia e fertilitetit është shkaktuar nga vaksina anti-Covid. Ai citon disa shkaktarë të mundshëm, përfshirë këtu krizën shëndetësore që përbënte pandemia dhe pasigurinë ekonomike që solli ajo. Kriza shëndetësore dhe ekonomike kanë ndikuar edhe më parë në rënie të fertilitetit. Duke marrë parasysh se fertiliteti është diçka e ndikuar nga një mori faktorësh, studimi thotë se “lidhja mes fillimit të vaksinimit masiv dhe rënia e fertilitetit që e pasoi tregon se njerëzit ndryshuan sjelljen e tyre për t’u vaksinuar përpara se të mbeten shtatzënë.”

Studimi i Institutit Federal Gjerman për Kërkimet

Autoriteti zviceran për monitorimin e barnave, Swissmedic, deklaroi në shtator 2022 se “nga një pikëpamje shkencore, as literatura e botuar, as monitorimi i tregut botëror nuk kanë dhënë asnjë indikacion se vaksinat mRNA mund të dëmtojnë fertilitetin e njerëzve.” Sa i përket studimit të BiB, Swissmedic thekson se “nivelet e fertilitetit ndryshojnë gjerësisht nga shteti në shtet dhe është, rrjedhimisht, e pamundur të tregohet një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe fertilitetit.”

Megjithatë, disa studime tregojnë se fertiliteti tek meshkujt mund të ulet përkohësisht, jo nga vaksina, por nga infektimi me Covid-19. Kjo vjen në formën e prodhimit të reduktuar të spermës, impotencës ose deficencë testosteroni në disa burra që ishin infektuar me Covid-19.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img