BallinaGjurmo ParanëSi janë mbështetur bizneset private, ndërtesat e të cilave u prekën nga termeti?

Si janë mbështetur bizneset private, ndërtesat e të cilave u prekën nga termeti?

Tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 solli shkatërrimin e shumë objekteve që kanë patur funksione tregtare. Faktoje i ka kërkuar Ministrisë së Rindërtimit informacion nëse këto objekte me funksione komerciale, të dëmtuara nga tërmeti (të siguruara apo të pasiguruara) janë përfshirë në procesin e përfitimit me fondet e rindërtimit. Ministria e Rindërtimit ka saktësuar se  subjektet komerciale përfitojnë vetëm nga programi i masave për rimëkëmbjen ekonomike dhe jo nga masa të tjera, siç mund të jetë pajsja me një ndërtesë të re, apo rindërtimi i plotë i asaj të dëmtuar.

Në përgjigjen e saj Ministria e Rindërtimit shkruan se sipas Aktit Normativ nr. 9 datë 16.12.2019 ‘Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, në nenin 5 parashikohet se tregtarët ose shoqëritë tregtare mund të përfitojnë vetëm nga programi i masave për rimëkëmbjen ekonomike.

Përgjigja e pyetjes së dytë nga Ministria e Rindërtimit

Neni 30 Aktit Normativ nr. 9 për masat për rimëkëmbjen ekonomike, pika 1 thotë: “Me qëllim favorizimin e rimëkëmbjes në sektorin e turizmit, të tregtisë, zejeve, agro-turizmit, blegtorisë dhe bujqësisë, sektorin e prodhimit, ngrihet skema e mbështetjes së rimëkëmbjes financiare të zonave të prekura nga fatkeqësia

. 2. Skema e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike përfshin, midis të tjerave: a) dhënien e përfitimeve të papunësisë për punëmarrës që kanë mbetur të papunë për shkak të shembjes ose të dëmtimit të vendit të punës ose për shkak të zhvendosjes, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, e vërtetuar me dokumente zyrtare;

  1. b) mbështetjen financiare të shoqërive tregtare, të vogla dhe të mesme, vendet e kryerjes së aktivitetit të të cilave janë dëmtuar dhe/ose zhvendosur për shkak të fatkeqësisë natyrore, vërtetuar me dokumente zyrtare, me qëllim rikonstruksionin e shpejtë ose sigurimin e mjediseve të përshtatshme për kryerjen e veprimtarisë nga punëmarrësit.
  2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masa për të mbështetur sektorin privat, me qëllim rimëkëmbjen ekonomike sipas mundësive të veta buxhetore ose duke kërkuar financim për projekte të caktuara nga fondi i rindërtimit. 4. Kushtet, kriteret dhe procedurat për hartimin dhe zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”

Nga përgjigja më lart, kuptojmë që subjektet komerciale përfitojnë vetëm nga programi i masave për rimëkëmbjen ekonomike dhe jo nga masa të tjera siç mund të jetë pajsja me një ndërtesë të re, apo rindërtimi i plotë i asaj të dëmtuar. Ndryshe nga individët dhe familjet, ata nuk janë subjekte përfituese për masa të tjera të parashikuara në Programin e Rindërtimit, si pajisja me një godinë të re nga Shteti.

Kërkohet një nivel transparence në lidhje me sa subjekte komerciale dhe lista e atyre që kanë përfituar nga masat për rimëkëmbje ekonomike gjatë kësaj periudhe dhe çfarë masash kanë marrë njësitë vendore për të asistuar shoqëritë tregtare të vogla dhe të mesme si me burimet e veta apo duke përdorur fondin e rindërtimit konform ligjit dhe akteve nën ligjorë në zbatim të tij. Një analizë e alokimit të fondeve të rindërtimit me VKM do të na tregonte sa biznese dhe në çfarë vlere janë mbështetur nga Shteti gjatë kësaj përiudhe të vështirë për to.

Njësi banimi, por që përdoren për objekte komerciale

 

Shumë qytetarë i kanë kthyer objektet në katet e para të banimit në objekte komerciale, të cilat i japim me qira dhe gjenerojnë të ardhura. Faktoje kërkoi të kuptonte që nëse objektet e përbashkëta të banimit do të shembeshin për t’u rindërtuar në një vend tjetër ose të njëjtin vend, këta individë që kanë patur banesa në katet e para, si objekte komerciale çfarë do të përfitonin: Objekt banimi apo objekt komercial, në katet e para të godinave të reja të banimit që do ndërtohen? Shumë qytetarë mund të bëjnë rezistencë në lidhje shembjen e pallateve për këtë çështje. Gjithashtu nëse objektet e reja të ndërtuara do kenë kate komerciale në katet e para, kush do t’i përfitonte këto njësi?

 

Përgjigja e Ministrisë të Rindërtimin për pyetjen 3 të dërguar nga Faktoje

 

Përgjigja e dhënë nga Ministria e Rindërtimit është e përgjithëshme dhe nuk na adreson në nene specifike të aktit ligjor, që rregullon programin e rindërtimit. Nga analiza e aktit rezulton se shteti merr përsipër pajisjen me banesë sipas kushteve dhe kritereve, por nuk i pajis ata me njësi shërbimi. Pra, një person në katin e parë të një objekti për t’u shembur, mund të kompensohet me një objekt banimi në katet e sipërme të ndërtesës së re. Faktoje nuk mori një përgjigje ezauruese për këto raste specifike të qytetarëve. Po të analizojmë nenet e të Programit të Rindërtimit, në nenin 19 të Programit të Rindërtimit, zhvillimi i objekteve dhe/ose zonave të reja dhe i infrastrukturës publike nga autoritetet shtetërore, pika 9, thuhet: “Me përfundimin e ndërtimit të objekteve të reja, njësia zbatuese, përgatit listën e inventarit dhe dokumentacionin përkatës të njësive të banimit dhe shërbimit, nëse ka, dhe ia përcjell Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave me vendim i kalon objektet e reja në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose autoritetit përgjegjës shtetëror.”

 

Ndërsa në pikën 13, të po këtij neni thuhet : “Në rast se pas plotësimit të nevojave për strehim të subjekteve përfituese nga ky akt, ka njësi banimi të lira, ato administrohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet përgjegjëse, me qëllim plotësimin e nevojave për strehim, në përputhje me parashikimet e ligjit për strehimin social. Njësitë e shërbimit në objektet e reja, nëse ka, mbeten në pronësi dhe përdoren për nevoja të funksioneve administrative të njësive të vetëqeverisjes vendore ose të autoritetit përgjegjës shtetëror.

 

Në nenin 21, Rindërtimi i objekteve të shembura nga fatkeqësia natyrore në të njëjtin truall, pika 2 thuhet se “Përfitues të njësive të banimit në objektet e reja janë pronarët e njësive të banimit të objekteve të shembura, në trojet e të cilave ndërtohen objektet e reja. Struktura e njësisë së banimit që i kalohet përfituesve nuk duhet të jetë më e madhe se struktura e njësisë së banimit që përfituesi kishte në pronësi në objektin e shembur. Rregulla për trajtimin e mospërputhjeve midis sipërfaqeve dhe strukturës së njësisë së banimit përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon strehimin.”

 

Në pikën 9 të këtij neni thuhet “Në rast se, pas plotësimit të nevojave për strehim të subjekteve përfituese, sipas këtij neni, ka njësi banimi të lira, ato përdoren për subjekte të tjera përfituese, sipas parashikimeve të këtij akti dhe zbatohen, për aq sa është e mundur, rregullat dhe procedurat e parashikuara në nenin 19, të këtij akti. Në çdo rast, njësitë e shërbimit në objektet e reja, nëse ka, mbeten në pronësi dhe përdoren për nevoja të funksioneve administrative të njësive të vetëqeverisjes vendore ose të autoritetit përgjegjës shtetëror.

 

Nga sa më lart kuptojmë që, edhe nëse godina e re do të ndërtohet në truallin ekzistues, banorët që kishin kthyer njësitë e tyre si njësi shërbimi/ose pjesërisht të tilla, nuk do përfitojnë njësi shërbimi në objektet e reja. Këto njësi shërbimi nëse ka janë pronë e njësive vendore.

 

Për të nxituar transparencën dhe trajtimin e drejtë të nevojave të qytetarëve, Faktoje ka hapur aplikacionin “Fakto dhe ti”. Nëse ju keni ankesa apo shqetësime për trajtimin e rasteve tëngjashme me përshkimet më lart, por edhe ankesa të tjera që lidhen me procesin e rindërtimit, dërgoni ankesën tuaj në “Fakto dhe ti” dhe gazetarët tanë do ta ndjekin atë më institucionet përkatëse.

 

Lexo edhe: https://faktoje.al/ministria-e-rindertimit-dhe-autoriteti-i-mbikqyrjes-financiare-si-do-te-veprohet-per-objektet-me-kredi-bankare-te-demtuara-nga-termeti/

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img