BallinaFaktometerE PavërtetëRindërtimi i objekteve arsimore, listë e cunguar nga bashkia Tiranë

Rindërtimi i objekteve arsimore, listë e cunguar nga bashkia Tiranë

Ina Allkanjari

Ndonëse prej dy vitesh, transparenca gjatë procesit të rindërtimi propagandohet se është përparësi, institucionet përgjegjëse japin informacion të cunguar në komunikimin përmes kërkesve zyrtare për informacion. Bashkia e Tiranës na vendosi në dispozicion një listë me 13 objekte arsimore në proces rindërtimi me vlerë totale 2.4 miliardë lekë. Ndërkohë, nga verifikimi i VKM nr 212, rezulton se qeveria i ka akorduar bashkisë në total fondin prej 5.1 miliardë lekë, dhe numri i objekteve arsimore për rindërtim është më i madh, por ato mungojnë në listën e objekteve që bashkia Tiranë i ka dërguar Faktojes.

—————–

“Transparenca, shpejtësia dhe efikasiteti janë shtyllat e procesit të rindërtimit. Do të jemi transparent, do të jetë një prokurim i hapur”. Kështu deklaroi në 5 mars 2020 Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, teksa prezantoi planin e rindërtimit. Ndonëse transparenca konsiderohet si një ndër faktorët më të rëndësishëm të këtij procesi, gjetja e informacionit në faqet zyrtare të bashkive apo Ministrisë së Rindërtimit, për ecurinë e rindërtimit të objekteve arsimore mbetet një sfidë, pasi të dhënat janë jo të plota.

Qeveria, në kuadër të procesit të rindërtimit të objekteve arsimore në kryeqytet, miratoi vendimin nr. 212, datë 11.3.2020 ku Bashkisë Tiranë iu akordua fondi prej 3.6 miliradë lekësh të reja. Më 29 korrik 2020 nëpërmjet një ndryshimi në VKM nr. 212 fondi i akorduar për Bashkinë Tiranë, u rrit në vlerën 5.1 miliardë lekë.

Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Tiranë, ku kërkoi listën e objekteve arsimore, të cilat sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 212, “Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të objekteve arsimore” janë planifikuar për rindërtim.

Kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë, datë 07.09.2021

 Në përgjigjen e saj, bashkia Tiranë na vendosi në dispozicion një listë me 13 objekte arsimore, në kuadër të VKM nr. 212, ku tregohen edhe afatet e përfundimit.

Lista me 13 objekte arsimore dërguar nga bashkia Tiranë  

Në listën dërguar Faktojes, bashkia rendit vetëm 13 objekte arsimore në proces rindërtimi me një vlerë të kontraktuar për projektim, zbatim rreth 2.4 miliardë lekë.

Pas verifikimit të kontratave të lidhura në Open Procurement Albania, rezultojnë edhe disa tenderime që nuk janë të përfshira në listën e dhënë nga bashkia Tiranë, por që kanë burim financimi fondin e akorduar në VKM nr. 212.

Nga shqyrtimi i tenderit të hapur nga Bashkia e Tiranës dhe kontratat e lidhura me operatorët e ndryshëm ekonomikë, vihet re se objektet të cilat nuk i disponojmë në përgjigjen e Bashkisë, janë 10 ndërtesa rezidenciale për studentët dhe dy objekte të tjera, konkretisht godina Qendra Sociale “Të qëndrojmë së bashku” në Kombinat dhe godina nr. 22 në Bulevardin Zogu 1.

Open Procurment Albania, lista e 14 objekteve Arsimore në Bashkine e Tiranës me burim financimi vendimin nr. 212.

Në një listë tjetër të publikuar nga Open Procurement Albania, paraqiten 8 objekte të tjera arsimore, që figurojnë në VKM nr 212 dhe janë në listën e vënë në dispozicion nga bashkia Tiranë.

Open Procurment Albania, lista e 8 (tetë) objekteve Arsimore në Bashkinë e Tiranës me burim financimi vendimin nr. 212

Sipas dokumentave fondi i akoluar për këto 8 objekte arsimore kap vlerën e 1,308,064,646 lekë.

Faktoje krijoi një tabelë me të dhënat e siguruara nga tenderimet për objektet arsimore në kryeqytet, që janë pjesë e procesit të rindërtimit në kuadër të VKM 212.

Tabela e krijuar nga Faktoje me listën e 22 objekteve arsimore të përfshira në procesin e rindërtimit në kuadër të VKM nr. 212

Nëse bëjmë një krahasim të tabelës së krijuar nga Faktoje me listën e dërguar nga bashkia Tiranë, figurojnë 12 objekte arsimore që nuk janë të përfshira në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni, ndonëse Faktoje kërkoi listën me të gjitha objektet arsimore për rindërtim, me burim financimi vlerën e akorduar në VKM nr. 212.

Objektet arsimore që nuk figurojnënë listën e bashkisë Tiranë janë:

  1. Ndërtimi i godinës Qëndra Sociale”Të Qëndrojmë së Bashku”, Kombinat
  2. Ndërtimi i godinës TIP në RSU Nr.2 (Nr.3)
  3. Ndërtimi i godinës TIP në RSU Nr.2 (Nr.4)
  4. Ndërtimi i godinës “Godina nr.22, blv. Zogu i (7-katëshi
  5. Ndërtimi i godinës TIP në RSU Nr.3 (Nr.1)
  6. Ndërtimi i godinës TIP në RSU Nr.3 (Nr.2)
  7. Ndërtimi i godinës TIP në RSU Nr.3 (Nr.3)
  8. Ndërtimi i godinës TIP në RSU Nr.3 (Nr.4)
  9. Ndërtimi i godinës TIP në RSU Nr.3 (Nr.5)
  10. Ndërtimi i godinës TIP në RSU Nr.3 (Nr.6)
  11. Ndërtimi i godinës TIP në RSU Nr.3 (Nr.7)
  12. Ndërtimi i godinës TIP në RSU Nr.3 (Nr.8)

Pas konstatimit të kësaj mospërputhjeje, Faktoje iu drejtua sërish bashkisë Tiranë për të na vënë në dispozicion listën e plotë të objekteve arsimore në rindërtim bashkë me hollësitë e tjera të projekteve. Deri në publikimin e këtij artikulli, ende nuk kemi marrë përgjigje nga bashkia.

Kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë, datë 25.10.2021

Më herët Faktoje verifikoi nga afër ecurinë e procesit të rindërtimit të 13 objekteve arsimore të vëna në dispozicion nga bashkia Tiranë, ku rezultoi se shumica e tyre të planifikuara për rindërtim, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 ende nuk janë përfunduar.

Nga lista me 13 shkolla e kopshte, në tre objekte vijonte puna në shkelje të afateve të parashikuara, dy të tjera pritej të përfundonin në fund të këtij viti, ndërsa për 4 objekte përfundimi i punimeve, nuk pritet të ndodhë para vitit 2022. Referuar premtimeve të kryeministrit se të 143 shkollat e dëmtuara në rang vendi do të ishin gati në 2020-n dhe 2021, Faktoje konstatoi shkelje të përsëritur dhe zvarritje të afateve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img