BallinaPremtimeRegjistrimi i adresave, projekt i pafinalizuar

Regjistrimi i adresave, projekt i pafinalizuar

INVA HASANALIAJ

Regjistrimi i adresave apo “saga e regjistrimit të adresave” është një projekt i cili u prezantua në 27 nëntor të vitit 2015 dhe sot pas katër vjetësh duket se ende nuk ka përfunduar.

Ishte fillimisht ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri i cili në një dalje publike prezantoi nismën e re por projektligji u votua në parlament vetëm në shtator 2016.

Ky projekt parashikonte që regjistrimi i adresave të përfundonte brenda vitit 2016-të, në kohë për të kryer dhe korrigjimet e nevojshme përpara zgjedhjeve. Kështu, në zgjedhjet e 2017-ës jo vetëm që do të kishte të dhëna të sakta, por do t’i jepej mundësia edhe emigrantëve për të marrë pjesë në votime.

E gjitha do të bëhet në mënyrë elektronike dhe do të përfundojë brenda viti 2017-të duke pasuruar regjistrin me të dhënat e shtetasve dhe me të dhënat e sipërmarrësve”, u shpreh asokohe ish-ministri Tahiri.

Pavarësisht njoftimeve nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe penaliteteve që mund të vendoseshin për qytetarët në rast se kjo procedurë nuk kryhej, pra mosdeklarimi apo regjistrimi i vendbanimit, as në vitin 2017-të nuk u bë i mundur rregjistrimi i plotë i adresave.

Por as një vit më vonë ky proces nuk u përfundua. Në datën 1 dhjetor të vitit 2018, Ministria e Brendshme ftoi qytetarët që nuk kishin bërë ende korrigjimin e adresave, të përfitonin nga amnistia 6-mujore për të bërë vetëdeklarimin e adresës.

Aktualisht jemi në muajin prill të vitit 2019 dhe kjo procedurë ende nuk ka përfunduar. Në Tiranë janë të shumtë qytetarët të cilët deklarojnë se ende nuk e kanë kryer procesin e regjistrimit të adresave. Po kështu në disa lagje të kryeqytetit dhe jo vetëm, në hyrje të pallateve janë vendosur lajmërime për të njoftuar qytetarët duke i bërë thirrje për të bërë regjistrimin.

 

Po çfarë thotë Ministria e Brendshme në lidhje me këtë fakt?

“Faktoje” komunikoi me këtë institucion për ta pyetur se çfarë është bërë me këtë nismë. Në përgjigjen zyrtare thuhet se aktualisht procesi ka përfunduar dhe se ekziston një sistem WebGIS për adresat, me një total prej rreth 1.4 milion adresash dhe që mbulon të gjithë vendin. Gjatë zbatimit të projektit nuk ka pasur penalitete për qytetarët.

Në një tjetër lajmërim zyrtar në datën 24 prill 2019 kjo ministri kujton të gjithë qytetarët të bëjnë rregjistrimin pas pezullimit të masës administrative të gjobës deri në 10 maj 2019.

Janë dy deklarata të ndryshme nga i njëjti institucion në një hark kohor shumë të shkurtër. Themi ‘’të ndryshme’’ pasi institucionet zyrtare përkatëse një herë thonë që procesi ka përfunduar ndërsa pak kohë më pas shprehen se shtyhet afati për të bërë regjistrimin apo deklarimin e adresave.

Por “çudia” nuk mbaron me kaq. Është kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili së fundmi në një tjetër dalje publike u bëri apel qytetarëve që të shfrytëzojnë hapësirën ligjore të vendosur nga qeveria deri në fund të prillit për të regjistruar adresën e saktë të banimit.

Bëje pa pagesë, sot deri në fund të prillit kemi afat! Përndryshe vjen prapë ajo gjoba e famshme, që është një mënyrë për të disiplinuar pak këtë proces të atyre që janë neglizhentë. Mos neglizhoni!”-ishte thirrja e Veliajt.

Nga kjo thirrje dhe nga sa treguam më sipër, sigurisht pikëpyetjet vetëm shtohen. A ka përfunduar rregjistrimi i adresave? Cili është afati përfundimtar? Ka të drejtë Ministria e Brendshme apo Bashkia Tiranë?

Nga të dhënat e disponuara rezulton se procesi i regjistrimit të adresave nuk ka përfunduar plotësisht ndaj dhe ‘’Faktoje’’ e kategorizon si PREMTIM TË PAMBAJTUR.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img