BallinaFaktometerPa kategoriRama, ende jo non-grata për “patronazhistët”

Rama, ende jo non-grata për “patronazhistët”

Lajmi se kryeministri Rama mund të shpallet non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit për çështjen e “patronazhistëve” rezulton i pavërtetë. “Faktoje” verifikon më tej arësyet e sanksionimit të vendosur ndaj kryeministrit boshnjak Fadil Novaliç, prej ku mbështetet aludimi për një sanksion ndaj Ramës.

Granit Sokolaj

Vendimi i ditëve të fundit i SHBA për të përfshirë në listën e non-gratave kryeministrin e Bosnje-Hercegovinës, Fadil Novaliç, ka ngjallur shpresë tek disa opozitarë për një përsëritje të këtij sanksioni edhe për kreun e qeverisë shqiptare. Gjithçka e mbështetur mbi faktin që akuza kryesore e publikuar nga DASH për Novaliç, mbi përdorimin e të dhënave personale të të moshuarve në Bosnjë gjatë fushatës elektorale, është e ngjashme me skandalin shqiptar të “patronazhistëve”.

Bazuar mbi këtë ngjashmëri, në një lajm të publikuar më 5 tetor, portali korrieri.com.al, publikon, njësoj si për një ngjarje e minutës së fundit titullin: “E bujshme! Edi Rama nën “shënjestrën” e DASH, skandali me “patronazhistët” rrezikon ta shpallë “non grata” njësoj si kryeministri i Bosnjës që bëri të njëjtën skemë”.

Screenshot i artikullit të publikuar

Në brendësi të tekstit ka disa pasaktësi për “ftohjen e marrëdhënieve diplomatike” apo “përplasje mes Ramës dhe SHBA”, gjë që nuk rezulton e bazuar në fakte, por megjithatë vendosëm të sjellim më shumë informacion mbi rastin e sanksionimit të zotit Novaliç, për të hedhur më tepër dritë se sa qëndron krahasimi i dy skandaleve.

Bazuar në deklaratën zyrtare të Departamentit amerikan të Thesarit, sanksionimi ndaj kryeministrit boshnjak ka si arësye kryesore përdorimin gjatë fushatës zgjedhore të të dhënave të pensionistëve, të përfituara nëpërmjet pozicionit të tij zyrtar. “Këto të dhëna u shfrytëzuan për të dërguar letra personale për votuesit ku listoheshin arritjet politike dhe premtohej rritje e pensionit në rast të rizgjedhjes”, thuhet në vendimin e SHBA.

Por përtej këtij keqpërdorimi të të dhënave personale, duhet të sqarojmë se kryeministri Nikolic është përfshirë në disa skandale të tjera të mëpashme korrupsioni që e bëjnë edhe më të rëndë pozitën e tij.

Në dhjetor 2020, prokuroria e shtetit ngriti akuza penale ndaj Novalic dhe tre zyrtarëve të tjerë për blerjen me çmime të larta dhe cilësi të ulët e ventilatorëve të përdorur për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Një hetim i përbashkët i BIRN dhe The Initium zbuloi se fakti që ventilatorët ishin të papërdorshëm dihej publikisht tre javë para blerjes së tyre nga qeveria e Novalic.

Kryeministri boshnjak ishte vendosur në qendër të akuzave për favorizimin e kompanisë së ndërtimit “Integral Inzenjering A.D. Laktasi”, e drejtuar nga biznesmeni Slobodan Stankoviç, i sanksionuar në të njëjtën ditë nga SHBA. Nëpërmjet kësaj goditjeje të përbashkët, amerikanë kanë dashur të japin një mesazh edhe për ato akuza korrupsioni që nuk mund të provohen zyrtarisht.

Duhet të theksohet më tej se situata e ashpër politike dhe etnike në Bosnje është gjithnjë një rrezik potencial për stabilitetin e vendit dhe gjithë rajonit. Pas agresionit rus në Ukrainë dhe potencialit të rritjes së ndikimit të Putin në Ballkan, siguria në Bosnje dhe zona të tjera të nxehta të rajonit ka marrë një rëndësi edhe më të madhe. Pavarësisht ngjashmërive në keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, për fat të mirë, kryeministri Rama dhe partia e drejtuar prej tij vijojnë të mbeten një faktor i rëndësishëm pro-amerikan dhe ofrues sigurie në rajon.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img