BallinaFaktometerE vërtetë“Tirana, më shumë turistë sesa banorë”

“Tirana, më shumë turistë sesa banorë”

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj deklaroi disa ditë më parë se Tirana ka thyer rekordi për numrin e turistëve dhe se numri i tyre sivjet e tejkaloi edhe numrin e banorëve të kryeqytetit. Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Tiranës, rezulton se kemi një shtim të tyre me 91%, krahasuar me një vit më parë. Mirëpo, ekspertët e Turizmit shprehen se krahasimet nuk duhen bërë me vitet e pandemisë, teksa tregojnë edhe arsyet pse ka pasur një “bum” në sektorin turistik këtë vit.

—————————————————————————

“Sot Tirana është me tufa turistësh. Sot për herë të parë kemi thyer rekordin, Tirana ka më shumë turistë sesa banorë”, deklaroi Veliaj në “Top Story”.

Në lidhje me këtë deklaratë të Veliajt, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, ku e pyetëm sa ishte numri i turstëve që kanw vizituar kryeqytetin gjatë këtij viti.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Tranës, 6 shtator 2022

Bashkia e Tiranës bën të ditur zyrtarisht se në 8 muajt e parë të këtij viti, kryeqytetin e kanë vizituar 1.7 milionë turistë.

“Referuar burimeve nga INSTAT, për 8 mujorin janar – gusht 2022 numri i shtetasve të huaj që kanë ardhur në aeroportin ‘Nënë Tereza’, pra për rrjedhojë edhe në Tiranë është 1.718.572 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janar- gusht 2021 ku numri i tyre ishte 898.907 kemi një rritje prej 91%”, njofton Bashkia e Tiranës.

Cilat janë atraksionet më të vizituara në kryeqytet nga turistët?

“Atraksionet më të vizituara nga turistët në kryeqytet janë: Sheshi ‘Skënderbej’, Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës, Xhamia e E’them Beut, Kulla e Sahatit, Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i Kulturës, BunkArt 2, Muzeu i Përgjimeve ‘Shtëpia me Gjethe’, Instalacioni ‘Cloud’, Varri i Kapllan Pashës, Ura e Tabakëve, Pedonalja ‘Murat Toptani’, Memoriali ‘Post Bllok’, Blloku, Parku i Madh i Liqenit Artificial, Sheshi ‘Nënë Tereza’, BunkArt 1, Parku Kombëtar i Dajtit, etj” sqaron Bashkia e Tiranës.

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Ky institucion sqaron se disponon të dhëna vetëm për vizitorët në zonat e mbrojtura të Qarkut Tiranë, ku në 8 muajt e parë ka pasur mbi 62 mijë turistë.

“Ju informojmë se nuk kemi të dhëna në nivel lokal, por të dhënat që kemi janë vetëm të dhënat për vizitorët në zonat e mbrojtura për Qarkun e Tiranës Janar-Gusht 2022, të cilat janë: 62588”.

Referuar të dhënave të fundit nga Instituti i Statistikave që i përkasin janarit të vitit 2022, Tirana ka 919.511 banorë.

Popullsia e Tiranës sipas INSTAT, të dhënat e janarit 2022

Pra, referuar të dhënave zyrtare nga Bashkia e Tiranës dhe numrit të banorëve, rezulton se kryeqyteti në 8 muajt e parë ka pasur gati dyfish më shumë turistë sesa banorë.

Mirëpo, si e shpjegojnë ekspertët e turizmit këtë rritje? Zoti Besnik Vathi thekson se nuk është e drejtë që të bëhen krahasime për rritjen e numrit të turistëve me vitet e pandemisë.

“E para njëherë, të krahasohet me vitet e pandemisë nuk është normale, sepse vitet e pandemisë ishin vitet e një mbylljeje totale, ku nga Europa, të gjithë e kishin të ndaluar të udhëtonin drejt Shqipërisë. Kufijtë ishin të mbyllur, testet ishin, nuk mund të bësh krahasime me vitet e pandemisë, as me 2020-n as me 2021. Krahasimet duhen bërë me 2019-n. Është më normale të bëjmë krahasimin dhe të shohin rritjen që është në raport me 2019-n. Dhe në raport me 2019-n ka rritje, mund të jetë 10%-20%”, argumenton Vathi i cili shton:

“Faktori i parë është pas-pandemia. Presioni i madh pas pandemisë, bëri që ata të udhëtojnë më shumë sesa në një periudhë normale.

Arsyeja e dytë, është një kompani ajrore low-cost që ka dyfishuar qytete europiane që kanë lidhje fluturimi direkte me Tiranën. Nëse më parë kanë qenë vetëm 29 apo 30, tani vetëm një kompani ka sjellë 45.

Ka dhe një arsye të tretë. Pra, që ka munguar në 2019-n, është hapja dhe heqja e vizave me vendet e Lindjes së Mesme. Heqja e vizave me vendet e Lindjes së Mesme bëri që kryesisht në Tiranë të ketë më shumë turistë gjatë verës, pasi vendet e Lindjes së Mesme nuk vijnë në Shqipëri për plazh, por vijnë dhe frekuentojnë kryesisht si bazë Tiranën”.

Edhe operatorët turistikë theksojnë se ka pasur një shtim të turistëve nga Izraeli, Arabia apo edhe Egjipti.

“Turistët në Tiranë janë më së shumti nga Evropa Perendimore. Shumë prej këtyre nuk janë në grupe, por vijnë individualisht dhe i organizojnë vetë udhëtimet në Tiranë apo më tej në Shqipëri. Është e vërtetë që ka një trend rritës nga vendet e Lindjes (ku mbizotërojnë izraelitë, arabë dhe egjiptianë)”, thonë ata.

Nga ana tjetër, operatorët turistikë shprehen se Shqipëria nuk është ende gati për menaxhimin e flukseve të mëdha të turistëve.

“Për mendimin tim ky vit është viti i një kthese në turizëm në Shqipëri. Nuk e di nëse për mirë apo për keq. Praktikisht në të gjithë botën, pjesa më e madhe e turistëve janë ata që prenotojnë hotel, vijnë vetë dhe lëvizin me mjete me qira dhe prenotojnë udhetime me operatorë lokalë. Këtë vit ka qenë fillimi i këtij lloj turizmi për Shqipërinë. Mendoj kjo është gjë e mirë, sepse duket se u ka ikur frika dhe marketingu gojë me gojë ka filluar të bëjë punë. Por nga ana tjetër, Shqipëria nuk është akoma gati për menaxhimin e flukseve të mëdha dhe duhet pasur kujdes dhe të punohen në mënyrë me strategjike në këtë drejtim”, shprehen operatorët turistikë.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në 8 muaj Shqipërinë e vizituan 5.6 milionë turistë.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që deklaratën e kryebashkiakut Veliaj se në Tiranë këtë vit ka pasur më shumë vizitorë sesa banorë, ta kategorizojmë Të Vërtetë.

*Foto kryesore marrë në web

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img