BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checking“Lulëzon” biznesi informal për aksesin në e-Albania, të dhënat personale jashtë kontrollit

“Lulëzon” biznesi informal për aksesin në e-Albania, të dhënat personale jashtë kontrollit

INVA HASANALIAJ

Kalimi i shërbimeve të e-qeverisjes tërësisht online, nuk i ka dhënë fund pagesës për marrjen e tyre. Që në fillim të muajit maj Faktoje raportoi se sidomos kategoria e të moshuarve nuk dinte ku të drejtohej, qoftë edhe për të hapur një adresë e-maili në e-Albania. Sot, ky shërbim ofrohet në mënyrë informale me pagesë nga kanceleritë, libraritë etj, duke ngritur alarmin edhe për shpërdimin e të dhënave personale. Jo zyrtarisht ka reaguar edhe institucioni i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe të Dhënave Personale, ndërsa Faktoje pret një përgjigje nga Kryeminisn dhe AKSHI-n nëse janë në dijeni të fenomenit.

Ka kaluar më shumë se një muaj që nga nisja e këtij procesi dhe marrja e dokumetave online për shqiptarët duket se është komplikuar më shumë, ndërsa ata po detyrohen të paguajnë. Në kryeqytet numërohen disa pika të cilat ofrojnë hapjen e adresave në e-Albania për qytetarët të cilët nuk kanë akses, kundrejt pagesave të cilat nisin si më poshtë:

1) Hapja e një adrese të re në E-Albania me një email të ri – 500 deri në 900 lekë 2) Riaktivizimi i adresës – 500 lekë

3) Shkarkimi dhe printimi i dokumentave online – 100 lekë për çdo dokument

M.T 59 vjeçe nga Tirana nuk ka mundur të hap një adresë në E-Albania që të mund të marrë dokumentat e pensionit. Ajo i është drejtuar një kancelarie dhe ka paguar kundrejt shërbimit ka 200 lekë të reja.

Nuk kam asnjë afër që të më ndihmojë, fëmijët i kam jasht. Më thanë që këtu i nxjerrin këto vajzat dokumentat dhe shkova pagova, sepse më duheshin për pensionin” – thotë M.T për Faktoje.

Ne bëmë një vëzhgim në zonën e rrugës së Elbasanit dhe rezultojnë të paktën tre biznese të cilët edhe pse nuk kanë lidhje me shërbime të ngjashme vetofrohen për të hapur adresa në E-Albania për qytetarët kundrejt pagesave.

Zona në të cilën ndodhen pikat që ofrojnë shërbimin, burimi Google Maps

Ajo që bie në sy rëndom është fakti se në asnjë rast qytetarët nuk marrin një faturë për shërbimin që paguajnë. Ndërkohë nëpër rrjete sociale vihet re një numër në rritje i profileve të cilat ofrojnë këto shërbime kundrejt pagesës, shumë prej tyre të hapura si llogari personale e të tjera si faqe.

Faqe të hapura për ofrimin e shërbimeve e-Albania

Faktoje shkoi në një zyrë noterie në kryeqytet në të cilën ofrohej i njëjti shërbim për qytetarët, por këtë herë në rrugë formale pasi çdo shërbim faturohej dhe deklarohej.

 

“Për të hapur një adresë të re kushton 1000 lekë pasi presupozohet të hapet edhe adresa e re e emailit. Për çdo shërbim që do marrësh do shoqërohet me faturë tatimore sepse ne i deklarojmë të gjitha.”-i tha Faktojes një notere.

 

Më tej u informuam se për të marrë një dokument nga sistemi, çmimi varionte sipas llojit të dokumentit. Përfaqësuesja e zyrës noteriale me të cilën komunikuam na informoi se numri i qytetarëve që kërkojnë këtë shërbim është rritur, sidomos pas datës 1 maj dhe kjo në shumicën e rasteve për shkak të mungesës së njohurive të përdorimit të internetit apo të një telefoni smart.

Edhe shifrat zyrare nga INSTAT dëshmojnë se vetëm një përqindje e ulët e personave mbi 18 vjeç arrijnë të kryejnë veprime për plotësimin apo shkarkimin e formularve në shërbimet online të qeverisjes. Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2020 vetëm 15,1% e qytetarëve mund të dërgonin formularë të plotësuar nëpërmjet internetit, ndërsa në vitin 2021 kjo shifër ndryshonte shumë pak 15,7%.

 

Të dhënat nga INSTAT

 

Në datën 1 maj 95% e shërbimeve për qytetarët shqiptarë kaluan online përmes portalit e-Albania. Kryeministri Rama e trumpetoi këtë përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, si një hap që do shmangte ryshfetin:

“Nga nesër s’ka më sportele! S’ka më radhë! S’ka më orare! S’ka më as edhe një arsye në botë për të dhënë ryshfet për marrjen e një dokumenti shtetëror!”

Në 8 qershor Faktoje iu drejtua kryeministrit Rama me pyetjen nëse është në dijeni të përhapjes së fenomenit të pagesës nëpër pika të ndryshme për marrjen e shërbimeve në e-Albania.

Pyetja drejtuar Kryeministrit Rama në profilin e tij në Facbook

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi asnjë përgjigje nga Kryeministri Rama. Po ashtu dërguam një kërkesë për informacion Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të cilën ende nuk kemi një përgjigje.

Kërkesa për informacion drejtuar AKSHI

 

Shërbimi informal për aksesimin e e-Albania, rreziku për shpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve

Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe problematika që del nga shpërndarja e të dhënave personale të qytetarëve, që kundrejt pagesës përfitojnë aksesin në e-Albania në pika të pakontrolluara. Bizneset në të cilat këto shërbime ofrohen janë të paautorizuara dhe nuk ka asnjë informacion se çfarë bëhet me të dhënat e qytetarëve pasi hapen këto llogari.

Burime për Faktoje nga zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale na informojnë se ky është pikërisht rasti i cili mund të konsiderohet një rrezik për të dhënat e qytetarëve shqiptarë.

“Mbrojtja e të dhënave personale është së pari një përgjegjësi personale e cila nis nga individi, por në këtë rast pavarësisht se qëllimi i gjithë procesit nga ana e qeverisë është pozitiv, janë lënë jashtë disa aspekte mjaft të rëndësishme. Shteti duhet të kishte menduar se çfarë do të bëhet me atë kategori qytetarësh të cilët nuk mund të kenë akses në internet dhe që më pas përplasen nëpër këto pika të cilat duhet theksuar që operojnë në mënyrë informale. Mbrojtja e të dhënave personale nuk është vetëm një pikë, është një seri hapash që nis nga institucioni që i grumbullon, te ai që i përpunon dhe më pas te ai që i ruan.” – thanë për Faktoje burime të Komisionerit.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img