Pretendimi: Anthony Blinken u dëbua nga Kina në mënyrë poshtëruese sepse vetëm ambasadori amerikan e përcolli në aeroport.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————

Rrjetet sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po komentojnë vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, në Kinë më 26 prill. Disa postime pretendojnë se Kina e ka poshtëruar Blinken duke mos i dhënë një përcjellje diplomatike të denjësishme.

Postimet shoqërohen me një foto ku duken vetëm Blinken dhe ambasadori amerikan në Kinë, Nicholas Burns duke shtrënguar duart në një pistë avionësh.

Megjithatë, pretendimi se Blinken ishte përcjellë vetëm nga ambasadori amerikan është përgënjeshtruar nga gazetari kinez Yang Liu, i cili postoi në Twitter një foto të Blinken duke u përshëndetur me diplomatin e lartë kinez Yang Tao përpara largimit të tij.

Postimi i Yang Liu tregon Blinken dhe Yang Tao (majtas)

“Sipas protokollit, drejtori për Punët e Amerikës Veriore dhe Oqeanisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës, Yang Tao, ishte në aeroport për të përcjellë Sekretarin Blinken ndërsa ai mbyllte turin e tij në Kinë,” pohon Yang Liu. “Yang ishte gjithashtu atje për të pritur Blinken kur ai mbërriti në Pekin.”

Ambasada kineze në ShBA tha për Newsweek se Blinken kishte vizituar Kinën pas ftesës së Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi, me të cilin foli për pesë orë e gjysëm. Misioni shtoi edhe se “ana kineze ndoqi praktikat diplomatike dhe parimin e reciprocitetit duke marrë masat përkatëse për vizitën.”

Sekretari i Shtetit i ShBA, Anthony Blinken (majtas) u takua me liderin kinez Xi Jinping (djathtas) më 26 prill 2024