BallinaFaktometerPa kategoriPfizer nuk premtoi imunitet 100 % ndaj çdo varianti të Covid

Pfizer nuk premtoi imunitet 100 % ndaj çdo varianti të Covid

Dyshimet për efikasitetin e vaksinës Pfizer për shkak se shefi i saj u prek për herë të dytë nga Covid gjatë javëve të fundit, nuk janë të bazuara. Verifimi i “Faktoje” analizon faktet e nxjerra nga konteksti që po shërbejnë për të mbështetur tezat e grupeve anti-vaksinim.

Lajmi se vetë shefi i kompanisë së vaksinave Pfizer u prek dy herë nga Covid brenda gjashtë javëve shkaktoi komente therrëse dhe ironi në rrjet. Shumë prej komentuesve vunë në lojë kredibilitetin e mbrojtjes që mund të ofrojë vaksina e kompanisë amerikane. Për disa prej komentuesve që kanë mbajtur qëndrime kundër vaksinimit të detyrueshëm, kjo sigurisht që ishte një “provë e mëtejshme” për kotësinë e fushatave detyruese të ndërmarra nga qeveritë gjatë pandemisë.

Në një optikë të tillë, ku vihet në dyshim besueshmëria e vaksinës Pfizer, është publikuar online ky lajm nga Hashtag.al, më 26 shtator. “Drejtori i Përgjithshëm i Pfizer, Albert Bourla, ka rezultuar pozitiv me Covid-19 për herë të dytë në gjashtë javë, pavarësisht se ishte vaksinuar katër herë. Bourla më parë pretendoi se vaksina e kompanisë së tij ishte ‘100% efektive’ në parandalimin e infeksionit të koronavirusit”, lajmëron ky artikull që në nisje të tij.

“Faktoje” verifikoi më tej këto përfundime në vetëm dy fjali të tekstit për të analizuar me seriozitetin e duhur një çështje ende të ndjeshme për shëndetin publik.

Lajmi për diagnostifikimin pozitiv me Covid është bërë publik më 24 shtator, nga vetë drejtori i përgjithshëm i Pfizer, Albert Bourla, nëpërmjet një postimi në Twitter. “Ndjehem shumë mirë dhe nuk kam asnjë simptomë”, shkroi Bourla, i cili ishte konfirmuar më parë pozitiv me virusin,vetëm gjashtë javë më parë, më 15 gusht. Por, duke e pritur stuhinë që do të shoqëronte, ai deklaroi gjithashtu“…nuk mund të marr ende vaksinën e re përforcuese bivalente të Pfizer, pasi ende nuk kam kaluar 3 muaj nga shërimi, bazuar në rregulloren e CDC”.

Nëpërmjet këtij argumenti mund të gjejmë një përgjigje që rrëzon dyshimet për një prekje nga sëmundja edhe pas vaksinës përforcuese bivalente të Pfizer, të autorizuar nga FDA vetëm në muajin gusht.

Përsa i përket katër dozave të mëparshme të vaksinimit të Bourla, duhet të nënvizojmë se ai ka qënë ndër personat e parë që ka nisur vaksinimin, që në fazat e para të aprovimit të saj në fundin e vitit 2020. Të gjitha studimet dhe praktika mjekësore e dy viteve të fundit të pandemisë, kanë vërtetuar se imuniteti i krijuar nga vaksinimi është i kufizuar në kohë dhe jo i plotë. Vaksinat ndihmojnë për lehtësimin e simptomave te të prekurit, por ato nuk mund të sigurojnë një mbrojtje të plotë për çdo variant të krijuar si pasojë e mutacioneve të virusit.

Akuza se “Bourla më parë pretendoi se vaksina e tij ishte ‘100% efektive”, mbështetet në një tjetër postim në Twitter të drejtorit të Pfizer, në muajin prill 2021. Në deklaratën zyrtare të Pfizer, që shoqëron këtë postim, prezantohen gjetjen e para të statistikave të përdorimit të vaksinës Pfizer në fillimet e saj, ku konstatohej se “vaksina Pfizer ishte 100 % efektive në parandalimin e rasteve me COVID-19 në Afrikën e Jugut, aty ku prevalonte variant B.1.351 i virusit”.

Pra, flitet për një sukses të plotë vetëm për një variant të caktuar të Covid dhe për një kampionim të caktuar. E njëjta deklaratë e Pfizer, pak rreshta më lart dhe më tej, vijon me përqindje më të ulëta suksesi të vaksinës në variantet e tjera të njohura të asaj kohe si dhe grupe të ndryshme të popullsisë. Bazimi mbi këtë shifër të nxjerrë nga konteksti për të vënë në dyshim efikasitetin e vaksinës Pfizer, tashmë që shefi i saj u prek nga virusi, nuk mund të quhet një fakt bindës.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img