Kujdes nga “pija magjike” që ofrohet si kurë që shëron kancerin

Nga Faktoje - 29 Shtator, 2022

Një lajm i publikuar nga portalet mbi një “pije magjike” që shëron sëmundjet e rënda, nuk është i bazuar në fakte shkencore. “Faktoje” bëri një verifikim të artikullit, i cili shërben si burim rreziku dhe dizinformimi për qytetarët. Për sa i përket kancerit, shkencëtarët nuk kanë ende një kurë për shërimin e tij.

Pije dhe kura popullore që shërojnë sëmundje të rënda janë reklamuar prej shumë kohësh dhe shpesh njerëzit e dëshpëruar detyrohen që të gjejnë shpresë edhe tek “zgjidhjet” që nuk rroken kollaj nga një mendje normale. Një prej këtyre kurave çudibërëse është dhe ajo e portalit the24hnews.com,  i cili sugjeron një “pije magjike’ për të luftuar jo vetëm kancerin, por edhe sëmundjet mendore.

Përbërësi ‘Magjik’ Që Shëron Mbi 50 Sëmundje, Madje Edhe Çm’endurinë Dhe Kan*Cerin”, shkruan portali.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Që në titull portali ka gabime të shumta drejtshkrimore, mungesë etike në mënyrën e raportimit dhe duket qartë se autorët e artikullit në fjalë nuk kanë asnjë njohuri mjekësore për të ofruar receta të tilla për lexuesit.

Termi ‘çmenduri” nuk ekziston në protokollet mjekësore dhe kjo mënyrë e të shkruarit është një tregues që kemi të bëjmë me një media jo serioze. Veç kësaj, lajmi i publikuar nuk ka asnjë referencë ku bazohet mbi këtë përfundim, thjesht mjaftohet duke ofruar “kurën”.

Referuar burimeve shkencore si “National Cancer Institute” theksohet se: “FDA nuk e ka aprovuar përdorimin e kurkuminës (një përbërës që gjendet brenda shafranit) si një trajtim për kancerin ose ndonjë gjendje tjetër mjekësore”.

Ndërkohë të tjera studime tregojnë se shafrani i Indisë mund të ndihmojë në luftimin e qelizave të kancerit, mirëpo theksohet se shumica e testimeve për këtë gjë janë bërë te kafshët ose qelizat në laborator.

Gjithashtu shtohet se: “Ka të dhëna se kurkumina mund të ndikojë te disa ilaçe që përdoren për kancerin. Nëse po mendoni të përdorin shafranin e Indisë ose ndonjë suplement tjetër, duke të flisni fillimisht me mjekun tuaj”.

Screenshot nga studimet

Përdorimet e shafranit të Indisë janë të shumta, por recetat e përgatitura me të sugjerohet se mund të ndihmojnë në përmirësimin e disa problemeve të caktuara, por nuk shërojnë as kancerin dhe as “çmendurinë”.

Një studim i publikuar në gusht zbulonte se një trajtim i ri i kancerit mund të ndalojë avancimin e sëmundjes te pacientët që janë rezistentë ndaj imunoterapisë. Mirëpo, për kancerin nuk ka ende një kurë, por ka trajtime që mund të jenë në gjendje të kurojnë disa njerëz nga disa lloje të kancerit.

Në një kërkim të thjeshtë në Google rezulton se lajmi ka qarkulluar në media të ndryshme online së paku prej dy vitesh. Disa nga portalet që e kanë publikuar këtë artikull janë: thelajme.co, news242media.com, webm.news, shtypi.net, fshatiim.com, gazetaopinioni.com, web.news32media.com, flitet.com.

Lajme të tilla, pa asnjë bazë shkencore janë jo vetëm burim dizinfomimi por edhe rrezikojnë jetën e lexuesve që mund të kenë pasoja shëndetësore nga përdorimi apo ndërprerja e mjekimeve të rekomanduara nga mjeku.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

*12 tetor 2022: Portali https://the24hrnews.com/ e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje, lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar.