BallinaNë lupën e FaktevePasojat e Covid-19, shtohen të sëmurët nga zemra dhe fatalitetet

Pasojat e Covid-19, shtohen të sëmurët nga zemra dhe fatalitetet

Që prej vitit 2020 kur u shfaq pandemia e Covid-19 u shënua një shtim i numrit të fataliteteve, kryesisht nga infarkti i zemrës dhe infarkti i trurit. Kardiologët japin alarmin se Covid-19 dha një goditje të fortë me pasojë rritje të frikshme të infarkteve, edhe tek personat e shëndetshëm dhe në moshë të re. Ekspertët thonë se vendimmarrjet me fokus pandeminë, çuan në uljen e shtrimeve në spitale të paceientëve, rritjen e fataliteteve pikërisht nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut dhe shtimin e të sëmurëve me kancer në fazë të avancuar.

———————————————————————————

“Në një vit normal, llogarisim që rreth 57% e humbjeve të jetës janë për shkak të problemeve të zemrës,  infarkt i zemrës, infarkt i trurit”- ngriti shqetësimin në muajin shkurt mjeku Ilir Alimehmeti.

Faktoje kontaktoi me zotin Alimehmeti, i cili na vuri në dispozicion një studim të realizuar nga një grup mjekësh shqiptar në lidhje me ndikimin që pati pandemia te pacientët me sëmundje të tjera. Mjeku i njohur është bashkautor i këtij studimi të publikuar në shkurt 2022, që nxjerr në pah të dhëna të rëndësishme mbi shtrimet dhe vdekjet në spitale gjatë viteve 2019-2020.

Ndër të tjera në studimin e kryer thuhet:

“Shkalla e vdekshmërisë STEMI (një lloj ataku në zemër) gjatë pandemisë, në krahasim me periudhën e kontrollit u rrit ndjeshëm në 14.1% kundrejt 7.8%. Spitalizimet dhe procedurat e rivaskularizimit për STEMI u reduktuan ndjeshëm gjatë pandemisë COVID-19. Ne identifikuam një rritje të konsiderueshme të shkallës së vdekshmërisë STEMI dhe shokut kardiogjen gjatë shpërthimit të pandemisë”.

Mjekët në alarm, varianti delta i Covid pasoja tek zemra edhe në mosha të reja

Fatalitetet që lidhen me grupsëmundjet që kanë të bëjnë me problemet e zemrës zënë edhe numrin më të madh në vitet e fundit. Faktoje bisedoi me mjeken kardiologe pranë QSUT, Daniela Teferici, e cila konfirmon një rritje të personave që kanë pësuar infarkte dhe për pasojë, humbje të jetës.

“Ai që dha më tepër komplikacione ishte variant Delta i Covid-19. Kanë qenë muajt nga shtatori deri në dhjetor 2021 kur fluksi ka qenë më i madh. Me rritjen e rasteve me Covid, u shtuan edhe pacientët me probleme të zemrës. Rastet janë të ndryshme, nga format asiptomatike, kur pacienti nuk ka simptoma. Këto raste shihen vetëm nëpërmjet ekzaminimit me rezonancë magnetike. Në personat që ka pasur prekje të rëndë të muskulit të zemrës, për fat të keq kemi parë edhe mosha të reja me funksion të ulët të miokardit. Këtu flas për prekje të moshave tek të 20-at, por edhe tek fëmijët. Virusi ka dhënë miokardite edhe te fëmijët.

Ka pasur shtim të rasteve, sepse ne jemi çdo ditë në kontakt me këta pacientë. Pati një numër shumë të madh infarktesh si pasojë e Covidit. Mund të kenë qenë arterie të sëmura, që nuk ishin diagnostikuar dhe inflamacioni nga Covid është mbivendosur duke çuar në probleme të shumta.

Derisa kemi pasur shtim të numrit të sëmundjeve të zemrës nga Covidi, sigurisht që ka pasur shtim të numrit të fataliteteve”- sqaron mjekja.

Më tej Teferici thekson se qytetarët janë drejtuar te mjekët kardiologë kur kanë ndjerë pasojat e sëmundjes, jo për vizita rutinë.

“Covidi preku jo vetëm të sëmurët, por edhe ata me zemër të shëndetshme. Covidi dha kryesisht prekje të muskulit të zemrës, dha trombe në arteriet koronare duke shkaktuar kështu infarkte në persona që mund të kishin sëmundje të arterieve koronare ose edhe te ata të padiagnostikuar, pra nga jashtë në dukje të shëndetshëm. Gjithashtu dha rrahje të shpejta të zemrës apo hipertension arterial, pati edhe shumë raste që shkaktuan infarkte trombotike në tru.

Komplikacionet fillojnë një muaj apo dy muaj pas kalimit të infeksionit dhe mund të zgjasin deri në një vit nga shfaqja e komplikacioneve. Prandaj ka pasur edhe persona që edhe 6 muaj pas kalimit të Covidit ndjenin rrahje zemre të shpeshta, të pafuqishëm, një hipertension arterial që kishte dalë jashtë kontrollit të mjekimit dhe duhej një rishikim i mjekimit” – bën të ditur mjekja kardiologe.

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe QSUT-së në lidhje me shifrat e personave të paraqitur në spital me infarkt. Jemi ende në pritje të një përgjigjeje nga ky institucion.

Kërkesa për informacion dërguar MSH dhe QSUT, 4 maj 2022

Si kanë ndryshuar shifrat e fataliteteve nga sëmundjet në periudhën 2018-2020

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2018, numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri ishte 21.804, duke shënuar 428 vdekje më pak se në vitin paraardhës (2017) me një ulje prej 1,9 %.

“Në vitin 2018, vdekjet nga grupsëmundja ‘Aparati i qarkullimit të gjakut’ zënë 53,2 % të vdekjeve gjithsej. Ky grup sëmundje vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 404,7 për 100 mijë banorë dhe krahasuar me vitin paraardhës ka një ulje prej 2,7 %.

Brenda grupsëmundjes së ‘Aparatit të qarkullimit të gjakut’ përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga ‘Sëmundje të enëve të trurit’ me 31,7 %, ‘Sëmundjeve kronike të zemrës’ me 27,2 % dhe ‘Sëmundjet ishemike të zemrës’ me 24,3 %.

Vdekjet nga grup sëmundja ‘Tumore’ zënë 16,9 % të fataliteteve gjithsej, duke u renditur si grupi i dytë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara.

Vdekjet nga grup sëmundja ‘Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë’, shënon një rritje prej 3,4 %, krahasuar me vitin 2017”- thuhet në raportin e Institutit të Statistikave.

Nëse i referohemi të dhënave të INSTAT në vitet 2019 dhe 2020 vihet re që ka një rritje të theksuar të fataliteteve.

Numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2020, është 27.605, duke shënuar një rritje prej 25,8 % vdekje më shumë, krahasuar me vitin paraardhës. Niveli bruto i vdekshmërisë për vitin 2020 është 972,7 vdekje për 100 mijë banorë përkundrejt 768,6 vdekje që ishte në vitin 2019” – citohet në raportin e INSTAT që mban datën 20 maj 2021.

Screenshot nga INSTAT

Sipas të dhënave, në vitin 2020 ka pasur një rritje të personave të prekur nga sëmundjet e “aparatit të qarkullimit të gjakut” me 23% krahasuar me 2019-n.

“Në vitin 2020, vdekjet nga grupsëmundja ‘Aparati i qarkullimit të gjakut’ zënë 52,2% të vdekjeve gjithsej. Ky grup sëmundjesh vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një normë vdekshmërie prej 508,0 për 100 mijë banorë. Krahasuar me vitin paraardhës, kjo grupsëmundje ka shënuar një rritje prej 23,2 %.

Në grupsëmundjen ‘Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut’, përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga ‘sëmundjet kronike të zemrës’ me 33,1 %, ‘sëmundjet e enëve të trurit’ me 26,4 % dhe ‘sëmundjet ishemike të zemrës’ me 24,0 %”, thekson INSTAT.

Gjithashtu, nga të dhënat e Institutit të Statistikave vihet re se ka pasur një rritje të numrit të personave të prekur edhe nga sëmundje të tjera. Por, ajo që theksohet është se në vitin 2020 ka pasur shtim të fataliteteve për shkak të sëmundjeve të aparatit të frymëmarrjes, 4.5 herë më të larta se në 2019-n.

“Grupsëmundja ‘Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë’, përbën grupin e dytë me numrin më të lartë të vdekjeve (17,0 %). Krahasuar me vitin e kaluar, janë shënuar 24,6 % më shumë humbje jete.

Vdekjet nga grupsëmundja ‘Tumore’ zënë 13,0 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i tretë kryesor referuar shkakut të vdekjes. Krahasuar me vitin 2019, janë regjistruar 0,2 % më shumë humbje jete nga kjo grupsëmundje.

Numri i vdekjeve të shkaktuara nga grupsëmundja ‘Sëmundje të aparatit të frymëmarrjes’, është gati 4.5 herë më i lartë krahasuar me 2019, për shkak të COVID-19. Rreth 8.9 % e vdekjeve gjithsej kanë si shkak këtë grupsëmundje dhe niveli i vdekshmërisë për 100 mijë banorë është 86,5 vdekje”, thuhet në raportin e INSTAT.

Problemet e tjera që solli pandemia

Mjeku Ilir Alimehmati thotë për Faktoje se gjatë pandemisë ranë shtrimet në spitale, por për fat të keq u rrit vdekshmëria.

“Gjatë karantinës u vu re që numri i të shtruarve në spitale me sëmundje të tjera ra, ndërsa numri i vdekjeve u rrit. Kur marrim masa në një krah, këto masa shkaktojnë probleme indirekte në krahun tjetër. Së pari kura nuk ishte optimale, pasi frika nga virusi dhe karantina detyroi njerëzit të qëndronin në shtëpi.

Së dyti, fondet për përballimin e Covid-19 u morën nga sëmundje të tjera. Investimet për sëmundje të tjera ishin më të ulëta. Së treti, ndikojnë stresi, lodhja, pra janë shumë elementë që i kanë dëmtuar pacientët.”- argumenton mjeku i njohur.

Çfarë pasojash të tjera solli pandemia?

“Ka shumë probleme që kanë ardhur si pasojë e sjelljes sonë ndaj pandemisë. Mund të përmendim depistimin e hershëm të kancerit. Sot kemi raste të kancerit në fazë më të avancuar. Një tjetër problem që po vihet re, problem global madje, është fakti që sistemi i vaksinimit për fëmijët është më i ulët. Përshembull mund të përmendim epideminë e fruthit, sepse për shkak të vëmendjes te Covid-19 fëmijët nuk janë vaksinuar sipas kalendarit të përcaktuar”- sqaron Alimehmeti.

Në vitin 2020, mediat ngrinin shqetësimin se si pandemia ndikoi në aksesin e qytetarëve me sëmundje kronike për të marrë shërbim mjekësor. Karantina, frika e infektimit nga Covid, por edhe procedurat burokratike në spitale ndikuan që qytetarët të mos i drejtoheshin spitaleve për të marrë trajtimin mjekësor, duke rënduar edhe gjendjen e tyre shëndetësore.

Ndërsa, në një artikull të publikuar më 19 prill të këtij viti, Faktoje raportoi se Shqipëria shpenzoi më pak se disa vende të rajonit për kujdesin shëndetësor. Shpenzimet e ulëta publike për kujdesin shëndetësor nënkuptojnë se qytetarët shpenzojnë nga xhepi për të marrë shërbim mjekësor, sidomos në situatën e pandemisë së Covid-19.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img