.

.

BallinaPertejPara-fushata e Bashës dhe Ramës për ekonominë dhe pikëpyetjet për përmbushjen e premtimeve

Para-fushata e Bashës dhe Ramës për ekonominë dhe pikëpyetjet për përmbushjen e premtimeve

Kryeministri Rama dhe kryeopozitari Basha, veçanërisht pas shfaqjes së pandemisë e në vijim janë përqendruar tek premtime dhe deklarata për rimëkëmbjen e ekonomisë. Rama ka premtuar së fundi se do të realizojë pagën minimale në 30 mijë lekë dhe rritjen e rrogave në shëndetësi. Nga ana tjetër, kryetari i PD Basha shpalosi një program me 5 pika për ekonominë, ‘dedikuar’ daljes nga kriza e shkaktuar prej COVID.

Partia Demokratike ka shpalosur një plan për 6-muajt në vijim në formë propozimi për qeverinë në menaxhimin e krizës.

Pikat e planit të PD dhe Bashës në vija të përgjithshme:

1- Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor

Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.

2- Fëmijët të arsimohen të sigurtë

Fjala ishte për kushtet në kohë COVID-i, investime në teknologji etj.

3- Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore

Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekësh të reja. Dyfishimi i pagesës për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike. Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.

4- Ndihmë për biznesin e vogël

Çek prej 1000 eurosh për çdo biznes të vogël aktiv.

5- Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj

 Disa nga deklaratat dhe premtimet e Ramës dhe qeverisë për ekonominë:

Nga ana tjetër kryeministri Rama dhe qeveria e tij kanë premtuar rimëkëmbje ekonomike që lidhet në fakt edhe me procesin e rindërtimit. Ndër të tjera, pikat kryesore për të cilat është diskutuar dhe premtuar janë si më poshtë.

  • Rritje e pagës minimale nga 26 mijë lekë të reja në 30 mijë lekë

“Sot jemi duke definuar edhe atë masë që ka qënë një nga objektivat tona vendosja e pagës minimale 30 mijë lekë, kjo masë edhe në sektorin privat”- tha Rama.

Ministrja e Financave, Anila Denaj tha për A2 News se rritja e pagës minimale, edhe pse do të ketë kosto për një pjesë të bizneseve, bëhet për të ndihmuar të punësuarit me paga të ulëta. Ajo mohoi se kjo po bëhet për qëllime elektorale.

Megjithë idesë primare pozitive që rritet paga minimale Alban Zusi, president i Qendrës të Eksporteve Shqiptare tha për “Monitor” se rritja e pagës minimale në këto nivele automatikisht rrit kostot e biznesit të vogël dhe të sipërmarrjes në rrethe.

Shoqata ProEksport Albania i tha po ashtu “Monitor” se rritja e pagës në mungesë të programeve mbështetëse financiare, jo vetëm do të rriste barrën fiskale të biznesit, por edhe koston për kualifikimin e të punësuarve.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e dytë të 2020-s punonjësit që deklarohen me pagë minimale 26 mijë lekë përbënin 26% të totalit të të punësuarve.

  • Rritje me 40% e pagave të sektorit të shëndetësisë

“Qershia mbi tortë është ndërhyrja që do bëjmë në këtë buxhet për pagat e mjekëve. Do bëjmë një ndërhyrje të fortë, do jenë një rritje e konsiderueshme. Besojmë që do të arrijmë në 40 për qind”- tha Rama.

  •  Rritje e pagave në arsim

“Po mendojmë për një sistem të vlerësimit të mësuesve që po e analizojmë dhe nga viti i ardhshëm shkollor do të jetë gati ku mësuesit më të mirë do të duhet të vlerësohen financiarisht ndryshe. Për të gjithë mësuesit duam që të bëjmë ashtu si dhe mjekëve të rriten pagat” – tha Rama.

 A i mbështesin shifrat aktuale për Shëndetësinë dhe Arsimin premtimet dhe deklaratat?

Në 6-mujorin e parë të vitit 2020, shpenzimet e përgjithshme për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri rezultuan në rënie, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, e përkthyer në shifra, 83 milionë lekë më pak.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë dhe të raportuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dëshmojnë për këtë tkurrje të shpenzimeve për shëndetësinë edhe pse situata nga pandemia imponon kosto shtesë për shkak të masave që parashikon.

Faktoje ka raportuar më parë se Fondi Monetar Ndërkombëtar renditi Shqipërinë në fund të klasifikimit me 43 vende europiane, për sa i përket investimeve në shëndetësi. Sipas kësaj renditjeje, Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës.

Edhe investimet në arsim nuk kanë qenë të mjaftueshme në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Banka Botërore, Shqipëria për vitin 2018 ka shpenzuar 2,46 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që vendet e rajonit e kanë mbi 3 për qind.

Që në vitin 2013 Rama ka premtuar shpenzime 5% të PBB për arsimin.

Ekspertët i druhen një fushate ‘makiazh’

Zef Preçi, ekspert i ekonomisë thotë për Faktoje se problematikat e ekonomisë janë të shumta në këtë periudhë.

Sa i takon shifrave, unë rezervoj të drejtën të komentoj për sa kohë nuk kemi një bilanc të përgjithshëm të efekteve të krizës dhe njëkohësisht të potencialeve apo resurseve që disponon vendi. Kriza është prezente, shoqëria ka thelluar më tej polarizimin e saj. Numri i vendeve të humbura të punës është shumë më i madh nga raportimet zyrtare dhe mundësitë e qeverisë për të shpërndarë para’ në mbështetje janë të limituara. E gjej racionale idenë e z.Basha për të mbështetur bizneset me një tavan të normës bazë të interesit, që t’i stimulojë”-thotë Preçi.

Sa i takon “betejës” së qeverisë dhe opozitës për të bërë deklarata dhe premtime për rritje pagash apo bonuse për kategori të caktuara, Preçi thotë se dy gjëra duhen dalluar.

E para në Shqipëri nuk ka dallime programore midis bllokut të qeverisë dhe të opozitës sa i takon shtresave shoqërore që përfaqëson. Qeveria vazhdon të jetë në një fushatë të pandërprerë. Funksionon si fushatë zgjedhore dhe jo si qeverisje. Ndërkohë që opozita nuk fokusohet në krahun politik që thotë se përfaqëson, por tenton që të maksimizojë votën, t’i drejtohet cdo grupi. Kemi një konfuzion sa i takon dallimit programor dhe një përpjekjeje për t’u dukur bukur në sytë e taksapaguesve apo votuesve”- thotë ai.

Preçi shtoi se ajo që e shqetëson si eskpert është se nuk sheh fokusim të mjaftueshëm të qeverisë në politika që realisht përmirësojnë klimën e biznesit, por tek rritja e borxhit dhe futja e dorës tek xhepi i taksapaguesve.

Përtej premtimeve dhe deklaratave, Fondi Monetar Ndërkombëtar tha së fundi se viti 2020 do të mbyllet me një rënie ekonomike prej 7.5% për Shqipërinë.
FMN tha ndër të tjera se fondet për të përballuar krizën janë të mjaftueshme edhe pse kanë rritur rrezikun për borxhin publik dhe rekomandoi nisjen e konsolidimit fiskal.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img