BallinaFaktometerE PavërtetëA ka shpenzuar qeveria Rama çdo vit 4% të PBB për arsimin?

A ka shpenzuar qeveria Rama çdo vit 4% të PBB për arsimin?

MERXHAN DACI

Shpenzimet për arsimin nga viti 2015 në vitin 2017 kanë qenë 4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas ish-zv/kryeministres Senida Mesi. Ajo iu referua të dhënave të Bankës Botërore, por nga verifikimi i “Faktoje” në katër institucione, përfshirë edhe BB, këto pretendime rrëzohen.

————————————————————————————————————————————————————-

Ish zv/kryeministrja Senida Mesi tha në 17 shtator në Top Show të Top Channel se Qeveria Shqiptare shpenzon çdo vit 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për Arsimin.

Shqipëria shpenzon 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për çdo vit, për arsimin. E thonë statistikat e Bankës Botërore”, tha Mesi duke iu referuar viteve 2015-2017.

“Faktoje” bëri një verifikim duke kërkuar në internet të dhënat e Bankës Botërore për shpenzimet e Shqipërisë në arsim. Por nga konstatimi vërejtëm se në vitin 2015 shpenzimet kanë qenë 3,4% e PBB-së, ndërsa vitin pasardhës shpenzimet rezultojnë 3,9%. Për vitin 2017 nuk ka të dhëna.

*Të dhënat: BB

Meqë ish-zv/Kryeministrja Mesi iu referua konkretisht Bankës Botërore, “Faktoje” u interesua pranë zyrës së këtij institucioni në Shqipëri, por BB tha fillimisht se duhet t’i drejtoheshim Ministrisë së Financave.

Banka Botërore apo Shteti shqiptar?

Ministria e Financave, në kthimin e përgjigjes për kërkesën zyrtare të “Faktoje” mbi shpenzimet për arsimin dha shifrat në lekë të shpenzuara deri në vitin 2018, por jo të konvertuara si përqindje e PBB. Nëse shohim shpenzimet në lekë për arsimin, ato kanë pësuar rritje modeste nga viti 2015, 2016 deri në vitin 2017 dhe një rritje më të madhe në vitin 2018.

*Të dhënat e Ministrisë së Financave

Ndërkaq edhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e pyetur nga “Faktoje” dha të njëjtat shifra me Ministrinë e Financave, por të konvertuara në përqindje të PBB, deri për vitin 2016.

*Të dhënat e MASR, me ngjyrë të verdhë janë të dhënat e Arsimit 2013-2016

Të dhënat zyrtare konfrmojnë se në vitin 2015 dhe në 2016-n, shpenzimet për arsimin kanë qenë 3,1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe jo 4% siç deklaron ish-zv/kryeministrja.

Nga përllogaritja e shpenzimeve për arsimin në 2017-n, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Institutit të Statistikave, rezulton se për këtë vit për këtë sektor është shpenzuar 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nëse përqindja e shpenzuar do të kishte qenë 4%, siç pretendon Mesi, buxheti për arsimin vetëm për vitin 2017 do të kishte 14 miliardë lekë shtesë.

Banka Botërore është një institucion që zakonisht u referohet shifrave nga institucionet shqiptare apo studimeve.

Shpjegimi i Bankës Botërore për të dhënat është se tek shifrat 3,4 dhe 3,9% futen edhe financimet ndërkombëtare dhe fondet lokale apo rajonale për arsimin.

BB sqaron më tej në faqen e saj zyrtare se të dhënat e mësipërme vijnë nga studime që ka bërë UNESCO.

Ndërkaq, Zyra e Bankës Botërore në Shqipëri në një komunikim të dytë me “Faktoje” konfirmoi se ajo merr për referencë shifrën e institucioneve shqiptare që flasin për 3,1% për vitet 2015 dhe 2016.

Kritikat për shpenzime të pamjaftueshme në arsim dhe premtimet

Shpenzimet e ulëta dhe të pamjaftueshme për arsimin kanë qenë dhe mbeten temë diskutimi për një kohe të gjatë.

Në protestën e vitit të shkuar, studentët shtruan si një prej kërkesave të tyre që shpenzimet për arsimin të rriteshin në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Vetë kryeministri Rama tha pas protestave të studentëve se shpenzimet për arsimin në masën 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto ka qenë një premtim i vitit 2013 dhe se nuk është mbajtur “për 1001 arsye”.

Verdikti

Nga të gjitha faktet e mbledhura dhe analizuara rezulton se deklarata e ish-zv/kryeministres Senida Mesi për financim çdo vit të arsimit me 4% të PBB është e pavërtetë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img