BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitPandemia “paralizon” pikën e kalimit kufitar në Muriqan

Pandemia “paralizon” pikën e kalimit kufitar në Muriqan

ARDI HOTI

Pika e kalimit kufitar të Muriqanit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe vendet e BE-së, është një nga dëshmitë sesi e ka tkurrur pandemia numrin e hyrje-daljeve, të cilat sivjet shënojnë 200 mijë persona më pak. Ndërkohë dogana shqiptare në këtë pikë kalimi, ku u shënua i pari i prekur zyrtarisht me Covid-19, prej disa muajsh nuk ka staf mjekësor dhe raportimi për ndonjë rast të dyshuar i është lënë si detyrë policisë. Në doganën malazeze, në kontrast me palën shqiptare, udhëtarëve nga Shqipëria u kërkohet rezultati i tamponit për Covid-19, si kusht për të kaluar kufirin.


Pikat kufitare e Muriqanit, e cila është hapur në vitin 2002 për lëvizjen e mjeteve dhe udhëtarëve, vendkalimi tokësor i katërt për nga vëllimi i trafikut të udhëtarëve, sot mund të konsiderohet në periudhë depresioni. Që nga koha e hapjes, Muriqani nuk kishte pasur ndonjëherë numër kaq të ulët hyrje-daljesh, sesa këto dy muajt e fundit. Shkak është bërë situata e krijuar nga pandemia Covid-19 dhe kushti i vendosur nga shteti malazez që çdo shtetas shqiptar që dëshiron të futet në Mal të Zi, të paraqesë testin e Covid-19, të kryer 48 orët e fundit, para se të kalojë kufirin.

Vetëm 12 km larg qytetit të Shkodrës, Muriqani lidh për 35 minuta me makinë, këtë qytet me Ulqinin. Ndërsa përmes rrugës magjistrale adriatike dhe autostradës kroate A1, shumë udhëtarë, emigrantë, etj., përmes Muriqanit mbërrijnë brenda disa orësh në Trieste të Italisë.

Shtetasit nga Shqipëria dhe ata nga Kosova që udhëtojnë në rrugë tokësore nga vendet e BE-së, zgjedhin përgjithësisht këtë doganë për të hyrë në Shqipëri. Gjithashtu pushuesit nga Shqipëria që duan të kalojnë pushimet në zonat turistike si Ulqini, Budva dhe Kotorri, kalojnë përmes Muriqanit. I gjithë ky fluks i pritshëm, sidomos gjatë verës, sivjet u tkurr në mënyrë drastike me shfaqjen e pandemisë.

Në fillim të muajit mars, në këtë pikë kalimi kufitar u identifikua i pari i prekur me Covid-19, një shtetas shqiptar, emigrant në Itali. Pas shfaqjes së këtij rasti, në pikën doganore u vendosën infermierë që bënin matjen e temperaturës. Po sot çfarë ndodh në Muriqan? Ne bëmë një verifikim në këtë pikë kalimi, në kulmin e sezonit  dhe vumë re mungesën e personelit mjekësor, gjë që na e konfirmuan punonjësit e policisë në këtë pikë kalimi dhe drejtuesja e Shëndetit Parësor në Shkodër, znj. Lindita Haxhia.

“Aktualisht nuk kemi të instaluar shërbim tek pika e kalimit kufitar Muriqan. Shërbimi ynë ka qëndruar deri në fund të muajit mars, më pas kur virusi filloi të përhapej brenda vendit, vëmendja jonë është përqëndruar në ndjekjet e rasteve  në qytetin e Shkodrës. Ne kemi një qendër shëndetësore shumë afër Muriqanit dhe kemi bashkëpunim me policinë në pikën e kalimit kufitar. Sipas një urdhëri, çdo rast që policia dyshon ne mund ta verifikojmë dhe kontrollojmë sipas procedurave që kërkon protokolli në këto raste. Hyrje-daljet në këtë periudhë kanë qenë shumë të pakta dhe problem për ne në këtë kohë, është situata në qytete ku po ndiqen dhe hetohen të gjitha rastet nga grupet në terren” – thotë zonja Haxhia për “Faktoje”.

Punonjësit e policisë në Muriqan nuk e fshehin shqetësimin për rrezikun që iu kanoset nga pandemia, për shkak të ekspozimit të lartë, si komuniteti që është në vijën e parë të frontit.

Fotoja më poshtë është shkrepur në ditët e para të gushtit dhe tregon doganën e boshatisur të Muriqanit si kurrë më parë. Në të njëjtën periudhë, deri vjet, radha e makinave shkonte në 10 km si në hyrje ashtu dhe në dalje.

Nga të dhënat e siguruara për “Faktoje”, sivjet ka 200.000 hyrje më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Burimi: Pika e Kalimit Kufitar Muriqan

Edhe fluksi i automjeteve gjatë muajve qershor – korrik 2020 shënoi rënie të konsiderueshme.

Burimi: Pika e Kalimit Kufitar Muriqan                                          

Referuar grafikëve, kuptojmë se gjatë pandemisë numri i hyrje-daljeve në doganën e Muriqanit është ulur me 60%.

Fatbardha Rakaj, banore në Shkodër, anuloi pushimet në Ulqin me familjen. Arsyeja është se në pikat kufitare malazeze kërkohen rezultatet e analizave të tamponit, që vërtetojnë se personi nuk është i prekur nga Covid-19.

“Çdo vit ne shkojmë në Ulqin, por sivjet nuk kemi mundësi pasi na kërkojnë analizat e tamponit dhe këto analiza janë të pamundura të bëhen” – thotë Linda Rakaj për “Faktoje”.

Aktualisht kryerja e tamponit falas për arsye udhëtimi apo turizmi, është e pamundur në Shkodër, gjë që konfirmohet edhe nga Shërbimi Parësor Shëndetësor.

“Tamponët bëhen vetëm për arsye shëndetësore. Bëhen vetëm për ato persona të cilët kanë simptoma apo dyshime se mund të jenë të prekur nga Covid-19 dhe nuk mund të bëhen për persona të tjerë” – thonë përfaqësues të Shëndetit Parësor në Shkodër për “Faktoje”.

Të pyetur sesa tamponë kryhen në ditë në këtë qytet, ky institucion raporton se ato variojnë sipas ditëve.

Raportimi i Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Parësor Shkodër për datën 9 gusht

Në këtë mënyrë, kushti i vendosur nga pala malazeze për paraqitjen e testit të Covid-19 ka penguar jo vetëm ata që duan të udhëtojnë për turizëm, por edhe për shumë të tjerë që lëvizin për qëllime pune ose studimi. Të rinj shqiptarë që studiojnë në vendet e BE-së, përdorin aeroportin e Podgoricës për të lëvizur drejt këtyre shteteve, pasi çmimi i biletave është më i lirë sesa po të udhëtojnë nga Shqipëria. Këtë e vërtetuam duke provuar të prenotojmë një fluturim me itinerar Rinas-Frankfurt për datën 29 gusht 2020 dhe një fluturim po në këtë datë me itinerar Podgoricë –Frankfurt. Nga Podgorica udhëtimi kushton 91 euro, ndërsa nga Tirana, 207 euro, më shumë se dyfishi.

Burimi: www.scyscanner.com

Burimi www.skyscanner.com

Shendi Dibra, nga Shkodra, studion në Berlin për informatikë. Atij i është dashur të udhëtojë nga aeroporti i Podgoricës për në Gjermani, por gjatë periudhës së pandemisë ai hasi vështirësi për shkak të masave të reja në doganën malazeze.

“Kisha prerë biletën për Berlin dhe udhëtimin do e bëja nga aeroporti i Podgoricës. Kisha planifikuar të kaloja nga kufiri i Hanit të Hotit, pasi nga kjo pikë, aeroporti i Podgoricës është vetëm 30 km larg. Në doganën e malazeze, një polic pasi kontrolloi pasaportën më tha se nëse nuk kisha bërë testin e Covid-19, dy ditët e fundit, nuk mund të kaloja.”

“Unë nuk e dija një gjë të tillë pasi kishte vetëm 24 orë që Mali i Zi e kishte nxjerr këtë urdhër. Të nesërmen kisha provimin. Provova kalimin nga pika e Muriqanit, ku më thanë të njënjtën gjë, por më ofruan mundësinë të kryeja testin tek pika doganore malazeze kundrejt 20 eurove. Më bënë tamponin dhe pas një ore e gjysmë më erdhi përgjigjja dhe rezultati negativ. Pas kësaj procedure munda të vijoj udhëtimin për në Podgoricë, ku në limitet e kohës arrita të kap avionin për në Gjermani.”- rrëfen studenti Shendi Ibra.

Siç mësuam, një kompani private malazeze ofroi shërbimin e testimit për Covid-19 kundrejt pagesës dhe përgjigjja merrej brenda dy orësh. Testi kushtonte 20 euro, aq sa kishte paguar edhe studenti. Por edhe shërbimi me pagesë u ofrua vetëm një javë, pasi vetë shteti malazez e mbylli për arsye të sigurisë dhe higjienës gjatë kryerjes së testeve.

Pavarsisht se Mali i Zi u kërkon shtetasve shqiptarë testin e Covid-19 si kusht për të kaluar kufirin, nuk ndodh e njëjta gjë për shtetasit malazezë që duan të hyjnë në Shqipëri. Në doganën shqiptare, të paktën në ditët që kryem verifikimin, pamë se nuk bëhej as matja e temperaturës. Nga ana tjetër, në Mal të Zi shifrat raportuara për të infektuarit, janë shqetësuese.

Sipas www.georank.org dhe worldometer, në Mal të Zi që prej shpalljes së pandemisë në muajin mars e deri më datën 11 gusht, raportohen 3,696 persona të prekur nga Covid-19, raste aktive janë 1,107, të shëruar 2,521 persona ndërsa numri i viktimave është 68.

Mediat malazeze raportojnë rreth 80-90 raste të reja në ditë me Covid-19, një shifër e lartë për një popullsi prej 650 mijë banorësh. Rastet më të shumta raportohen nga zonat kufitare në kufi me Serbinë.

Pandemia e koronavirusit, rregullat dhe kufizimet e vendosura nga shtetet fqinje për lëvizjet, ka bërë që sot Muriqani të jetë thuajse i paralizuar, por edhe “i dorëzuar sa i përket respektimit të protokollit shëndetësor.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img