BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitTregu i Zdrales, falimentimi dhe “shkëndijat” mes pushtetit vendor e qeverisë

Tregu i Zdrales, falimentimi dhe “shkëndijat” mes pushtetit vendor e qeverisë

ANILA HOXHA

Shkodra nuk bëri përjashtim nga qytetet e tjera të Shqipërisë, ku pas pandemisë, shumë biznese shkuan në krizë dhe një pjesë falimentuan. Por bashkia e qytetit verior, i vetmi i drejtuar nga PD në rang vendi, dallon nga të tjerët, për shkak të “shkëndijave” të herëpashershme me pushtetin qëndror. Gjatë pandemisë, në Shkodër prefekti u shkarkua me motivin e mosmenaxhimit të situatës në tregun e Zdrales, që u konsiderua nga qeveria si i rrezikshëm për përhapjen e Covid-19.


Para pandemisë, tregu industrial i Zdrales në Shkodër numëronte 197 dyqane që zhvillonin tregtinë, deri ditën kur ky emër dhe ekzistenca e një pjese të tij u kthye në “mollë sherri”. Me rinisjen e aktiviteteve pas heqjes së izolimit, vetëm në tregun e Zdrales numërohen 40 dyqane më pak, që nuk i ngritën më qepenët dhe nxorrën njoftime për t’i lëshuar me qira.

Në një nga hyrjet e tregut industrial të Zdrales përreth lulishtes, ishte tregu agroushqimor. Qytetarët uleshin në trotuar dhe në tezgën e improvizuar me mbulesën që shtronin, shisnin fruta e perime.

Kjo ndodhte deri ditën kur Shkodra u inspektua nga ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj. Kushtet higjeno-sanitare të tregut u vlerësuan të rrezikshme për përhapjen e infeksionit.

Zëvendësministri i brendshëm, Besfort Lamallari u “komandua” prefekt i Shkodrës, në vend të prefektit që u shkarkua, Çesk Millja.

Kur kanë kaluar disa muaj nga shkarkimi i tij, ish-prefekti Millja bën një analizë për “Faktoje”, mbi largimin nga detyra në datën 11 prill, të motivuar me kaosin e krijuar në tregun ushqimor të Zdrales.

“Ndoshta një vizitë apo takim në atë kohë për të shtrënguar masat u gjykua ndoshta që ato duhet të ishin me forcë më goditëse. Për pjesën e tregut agroushqimor, unë u kërkova institucioneve vendore të marrin masa dhe të vendosin situatën konform rregullave dhe urdhërave dhe iu dhashë dy ditë kohë. Ndërsa qeveria kërkoi të merreshin masa menjëherë. Flitej për 150 familjarë që hanin bukë dhe nuk përfshihen në paketën e pagës së luftës.”

Ish-prefekti mohon që diskutimet për këtë treg të jenë përdorur politikisht si një përplasje mes qeverisë dhe pushtetit vendor.

“Jo…jo… duke qenë se kishte nevojë për të hyrë në parametrat e duhur, pasi po bëhej shkak për përhapjen e Covid-19, duhej që Bashkia të futej në pozita më të shëndosha. Qeveria e mori përsipër vetë duke bashkëpunuar dhe me pushtetin vendor”- thotë Millja.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, pasqyron një këndvështrim tjetër mbi “luftën e ftohtë” për Zdralen.

“Gjykoj që pati tentativë të dështuar për të përdorur sëmundjen për çështje politike. Kjo ishte mëse evidente, pasi nuk mund t’i sjellësh Shkodrës një autoritet të lartë nga Ministria e Brendshme për të koordinuar aktivitete që ne i koordinojmë përditë dhe nuk ishim në rastin që nuk po vepronim, ishte e kundërta. Shkodra pa prefekt ka lënë shije të hidhur, e gjitha kjo që në një situatë emergjence, në Shqipëri neve që drejtojmë na bie në mend të bëjmë politikë edhe me fatkeqësinë”- deklaron Voltana Ademi.

Në vendin e ish-tregut ushqimor që u bë shkak për të larguar prefektin dhe për të komanduar një zëvëndësministër, shiritat që sinjalizojnë bllokimin, janë ende aty.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës këmbëngul:

“Në Shkodër kemi patur raste minimaliste me Covid-19, nuk ishin zona të nxehta. Ne ishim në një proces konsultimi dhe vijimi pune me Myftininë e Shkodrës, për të realizuar projektin, përndryshe nuk do ishte përmbushur aq shpejt. Ministri tha se “kryetarja e bashkisë bën mirë të heqë të gjelbërtat nga rruga”, Covid-i dhe kjo situatë ndikoi në nivelet e fitimit.

Por si ndikoi kjo përplasje tek tregtarët e Zdrales, që në fakt është vetëm një pjesë e vogël e një panorame të madhe që tregon se në Shkodër, që nga shpallja e emergjencës së Covid-19, deri më tani kanë kërkuar pezullim apo mbyllje të aktivitetit, 375 biznese.

Tregtarët e fruta-perimeve të Zdrales u zhvendosën në dy ambjente të ngritura pas pandemisë ku garantohet higjienë për ta, por edhe për qytetarët. Por Enveri, një tregtar që përdorte trotuarin dhe tani ka marrë një tezgë, ashtu si dhe 62 tregtarë të tjerë të fruta-perimeve nuk e fsheh pakënaqësinë. I ulur në hyrje të tregut industrial, shkodrani pranon se qeraja është e ulët, 1500 lekë në muaj, por problemi i tij është mungesa e klientelës.

“Dhjetë vjet kam shitur në rrugë, ishte si traditë Zdralja. Me koronën u prishën të gjitha. Duhej pastërti, rregull dhe ashtu ndodhi. Por qytetarët po blejnë përherë e më pak”-rrëfen për “Faktoje” shitësi.

Edhe për Gentian Fushën, një tregtar me katër dyqane në brendësi të Zdrales, deri në mesditë nuk fiton as 1 mijë lekë.

Gentian Fusha, tregtar në tregun e Zdrales

“Nuk e solli vetëm mbyllja dhe bllokimi këtë ngërç, qytetarët kanë frikë të hyjnë në treg, e kanë frikë infeksionin dhe kursejnë. Nuk di asnjë sa do zgjasë. Por detyrimet ecin, taksat, qeraja, kështu që ndodhem si të gjithë shokët këtu në udhëkryq. A duhet të dal më nga shtëpia për të shitur, apo të veproj si të tjerët?”

Në tregun e lagjes Rus, në hyrje të të cilit është instaluar aparati i dezinfektimit dhe tek-tuk qytetarët hyjnë me maska, disa tezga janë lënë bosh. Administratori i këtij tregu, Ervin Cylybyli thotë se pas shfaqjes së Covid-it shumë banorë të zonave rurale u kthyen tek shitjet në trotuar, dhe se tregut Rus i ka rënë “shkëlqimi” i dikurshëm.

Ervin Cylybyli, administrator për tregun e lagjes Rus

“Ka qenë tregu më i madh ushqimor, shoh shumë njerëz që blejnë përditë e më pak. Shoh tregtarë këtu që u mbetet malli stok, i pashitur dhe kështu, përditë e më tepër po bëhen pesimistë”- rrëfen administratori i tregut.

Hasije Hebovija, tregtare prej një dekade në tregun industrial tund kokën me dëshpërim.

Hasije Hebovija, tregtare

“Gjithë ditën shpresoj se dikush do ndalojë te këmbët dhe do bëjë pazar për veshmbathje.”

Por rrobave që gruaja ua ka veshur manekinëve, askush nuk ua hedh sytë. Tregtarët që po rrallohen pyesin me zë të lartë njëri-tjetrin: “A shite gjë sot?”. Administratori i tregut që shet në Zdrale thotë se nuk ka bërë asnjë lek xhiro.

Hasija rendit problemet e reja me të cilat po përballet me shfaqjen e pandemisë:

“As ilaçet e burrit që operova nuk i nxjerr më dot në këtë treg. Qytetarët nuk vijnë më të blejnë. E hap dyqanin me minus dhe e mbyll me humbje. Puna e një tregtari si ne e ka frutin para shtatorit dhe në maj. Po mendoj ta mbyll, kjo është e vetmja zgjidhje! Më mirë të rrish kot në shtëpi, sesa kot së koti në pazar.”

Artan Qemali, shitës në tregun industrial të Zdrales ka dorëzuar kërkesën për pezullim të biznesit.

Artan Qemali, shitës në tregun e Zdrales

“Ishte një gjunjëzim për ne, mbyllja për disa javë, malli stok, qytetarët që nuk dalin më për blerje, të gjitha janë kthyer kundër nesh”- pranon tregtari, që sapo ka afishuar njoftimet për mbylljen.

Përpara se të largohet ai thërret dhe fton për herë të fundit ulje çmimesh, duke ironizuar se “veshjet e mira për burra dhe gra, vështirë të gjenden kaq lirë”.

“Dy muaj të bllokuar ishin grusht i rëndë për tregtarët”- argumenton për “Faktoje” administratori i tregut industrial dhe atij ushqimor të Zdrales, Syrgen Cani. Ai është përfaqësues i pronave të Myftinisë Shkodër, aty ku tregtarët e artikujve ushqimorë dhe të mallrave tekstile paguajnë një kuotë të përmuajshme qeraje.

Syrgen Cani, administrator i tregut të Zdrales

“Përditë po mbyllen, po i lëshojnë”- shpjegon administratori që këmbëngul se tanimë shumë nga tregtarët e Zdrales nuk kanë më mundësi të paguajnë 15 mijë lekë deri në 40 mijë lekë të reja, aq sa është vlera e detyrimit të qerasë.

“Ndikoi Covid-i, ranë ndjeshëm blerjet. Çdo ditë e më tepër ndihet kriza. Qytetarët po ruajnë kursimet. Shumë nga këto qera i kemi falur, ose nga detyrimi për çdo muaj ua shpërndamë gjatë gjithë vitit. Nuk kanë më kapital për të investuar, veçanërisht ata tregtarë që u ka mbetur malli stok dhe janë veshje dimërore. Duhet të kishin shitur këto artikuj që të blinin të stinës.”- pohon Cani për “Faktoje”.

Në diskutimet e këshillit bashkiak, sipas kryetares Voltana Ademi janë përfshirë edhe propozimet ndaj ekzekutivit për ofrimin e lehtësirave në taksa apo pagesën e sigurimeve, si mbështetje ndaj komunitetit të biznesit.

Ne pyetëm edhe prefektin në detyrë Lamallari se çfarë u përmirësua pas mbylljes me urgjencë të tregut të Zdrales dhe a janë ndihmuar tregtarët e mbetur pa mbështetje. Deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm një përgjigje prej tij.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img