BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitKorçë, (mos)zbatimi i protokollit anticovid në shkolla nis nga mungesa e ujit

Korçë, (mos)zbatimi i protokollit anticovid në shkolla nis nga mungesa e ujit

DANIELA ZISI

Përhapja e lartë e Covid-19 që “koinçidoi” me periudhën pas hapjes së shkollave, e ktheu Korçën në zonë të kuqe. Me nisjen e vitit të ri shkollor, autoritetet zyrtare “promovuan” respektimin e rreptë të protokollit anticovid. Por nga një vëzhgim në shkollat e 4 fshatrave të Korçës, ngjan e pamundur që kjo të ndodhë, sa kohë nxënësit nuk kanë ku të lajnë duart, pasi uji i rrjedhshëm mungon. Për të pastruar klasat dhe banjat, që përgjithësisht ndodhen jashtë shkollave, sanitaret mbushin kovat ose i transportojnë ato me krahë nga shtëpitë e fshatit.


Numri i madh i personave të prekur nga Covid-19, që deri në dhjetëditëshin e parë të nëntorit arriti në 892, bëri që Komiteti i Ekspertëve ta klasifikonte Bashkinë e Korçës si zonë të kuqe. Përveç përhapjes së virusit mes anëtarëve të së njëjtës familje, insitucionet e administratës publike dhe shkollat, konsiderohen nga autoritetet e shëndetësisë si vatra të përhapjes në masë të Covid-19.

Prej fillimit të pandemisë, 81 mësues të arsimit parauniversitar në bashkinë e Korçës, nga 890 në total, sipas të dhënave të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, rezultojnë të prekur nga Covid-19.

Shqetësuese janë edhe shifrat e nxënësve të infektuar. Deri tani, në shkollat e zonave urbane dhe ato rurale rezultojnë 25 nxënës të prekur. Epidemiologia Merita Nurçe thotë se pjesa më e madhe e tyre nuk janë infektuar në shkolla, por nga familjarë dhe të afërm.

Pavarësisht rritjes së kurbës së infektimeve ditë pas dite, nga një verifikim për  “Faktoje” në disa fshatra të njësive administrative Qendër Bulgarec (fshatrat Dishincë dhe Shamoll), Voskop (fshatrat Dërsnik dhe Goskovë Poshtë), konstatuam se në disa prej shkollave kishte mungesë të ujit të rrjedhshëm, ose furnizim të kufizuar, tualetet përgjithësisht ishin jashtë shkollave, mungonin termometrat për matjen e temperaturës dhe neglizhohej respektimi i distancimit social dhe mbajtja e maskës.

Dita e parë e shkollës e gjeti pjesën më të madhe të shkollave të ciklit parauniversitar në Bashkinë e Korçës pa termometra për matjen e temperaturës.

Gjatë përurimit të shkollës së rikonstruktuar “Nuçi Naçi” në Korçë, në fillim të vitit të ri shkollor, kryebashkiaku Sotiraq Filo, pranoi se një pjesë e shkollave nuk ishin pajisur me termometra për matjen e temperaturës. Ai premtoi se kjo situatë do zgjidhej brenda disa ditëve, megjithatë, më tepër se matja e temperaturës, sipas tij, kishte rëndësi distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.

Kur kanë kaluar 2 muaj nga fillimi i vitit shkollor, matja e temperaturës para nisjes së mësimit, për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Asllan Neli”, në fshatin Dërsnik, është një proces i panjohur, edhe pse autoritetet e kanë përcaktuar si detyrim.

Një mësues i shkollës, që kërkoi të mos identifikohej, tha për “Faktoje” se në kushtet kur numri i të infektuarve po shënon rritje, mosrespektimi i masave po kërcënon shëndetin e stafit mësimdhënës dhe nxënësve.

“Ne i këshillojmë nxënësit që ta masin temperaturën në shtëpi, çdo ditë para se të nisen për në shkollë, por kjo nuk është zgjidhje. Fëmijët shpesh e neglizhojnë. Mënyrën e vetme për t’u mbrojtur kemi maskën. Ne dhe nxënësit e mbajmë deri në përfundim të orëve të mësimit” – pohoi mësuesi i shkollës së Dërsnikut.

Edhe nxënësit e pyetur pohuan se mësuesit nuk ua matnin temperaturën, para se të hynin në shkollë, ndërsa askush nuk lejohej në mësim pa vendosur maskën.

Shkolla e fshatit Dërsnik

Ndërtesa, e rikonstrutuar katër vite më parë, ku ndjekin mësimin 80 fëmijët e ciklit fillor dhe të lartë dhe 20 fëmijë të kopshtit, ka ujë të rrjedhshëm vetëm dy orë në ditë. Mësuesit pohojnë se shkolla furnizohet me ujë prej orës 7 deri në orën 9 të mëngjesit. Pas kësaj ore, për të pastruar tualetet dhe klasat, përdoret uji i grumbulluar në kova dhe bidonë, që sanitarja i mbush më herët.

Mësuesit nuk na lejuan të hynim brenda në shkollë, për të verifikuar kushtet në të cilat bëhej mësimi, por na siguruan se protokolli zbatohej me përpikmëri dhe ndërtesa dezinfektohej dy herë në javë nga bashkia.

Feruze Mullalli pohon se mungesa e ujit të pijshëm është shqetësim i mbartur ndër vite për 900 banorët e fshatit Dërsnik. Ata furnizohen me ujë, dy orë në mëngjes dhe dy orë pasdite.

“Problem është si për ne ashtu edhe për fëmijët që shkojnë në shkollë dhe ku higjiena duhet të jetë maksimale. Banjat e shkollës lahen me ujin e kovave, ndërsa fëmijët nuk kanë ku t’i lajnë duart. U japim letra të lagura me vete çdo mëngjes.” – thotë Feruze Mullalli.

“Hapja e shkollave ku mungojnë kushtet më thelbësore të higjienës dhe sidomos uji i rrjedhshëm, ishte një vendim i gabuar i qeverisë.”- shton ajo. Nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Kletion Kita, i pyetur për situatën e furnizimit me ujë të pijshëm të shkollave në territorin e bashkisë, pohoi se nuk ka asnjë shkollë që nuk furnizohet 24 orë ose me orar të reduktuar. Sipas tij, edhe problematikat në shkollën e fshatit Dërsnik dhe në fshatin Goskovë e Poshtme janë zgjidhur nga bashkia, e cila ka bërë të mundur furnizimin me ujë të shkollave gjatë orarit që zhvillohet procesi mësimor.

Edhe në shkollën e fshatit Shamoll, ku mësojnë 50 fëmijë të ciklit fillor, konstatuam se nxënësve nuk u matej temperatura. Nëna e një nxënësi në klasë të katërt tha për “Faktoje” se prej dy javësh ky proces nuk kryhet më, pasi termometri është prishur.

Shkolla e fshatit Shamoll

I pyetur për mungesën e termometrave në dy prej shkollave që verifikuam, drejtori i Drejtorisë Mbështetëse të Arsimit, Ylli Musaka sqaroi:

“Kemi pasur edhe raste kur termometrat e shkollave janë prishur dhe kanë dalë jashtë funksionit. Pas raportimit nga shkollat përkatëse, bashkia do marrë masa për t’i riparuar ose zëvendësuar. Mungesa e termometrave është e përkohshme dhe kjo problematikë prek dy apo tre shkolla.”

“Për të garantuar zbatimin e protokolleve anticovid në 76 institucionet arsimore që përfshihen në territorin e saj, Bashkia e Korçës ka vënë në dispozicion një fond prej 2.8 milionë lekësh, për blerjen e detergjentëve, dezinfektantëve, termometrave dhe produketet e tjera të pastrimit dhe higjenës”-përfundoi Musaka.

“Faktoje” mësoi se një nga 7 mësuesit e shkollës së Shamollit ishte prekur nga Covid dhe po vijonte trajtimin në shtëpi.

“Orët e mësueses që rezultoi pozitive, po zëvendësohen nga kolegët e tjerë të shkollës deri në kthimin e saj në punë” – pohoi një zyrtar i Drejtorisë Arsimore të Korçës.

Sipas tij, mësuesit që kanë rezultuar pozitivë janë zëvendësuar me mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”, ndërsa orët e mësuesve që karantinohen deri në daljen e përgjigjes së testit, zëvendësohen nga praktikantë ose nga drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave përkatëse.

Pavarësisht mungesës së hershme të kushteve të higjienës, duket se shkollat e fshatrave i kanë “shpëtuar” mësimit me turne, për shkak të numrit të ulët të nxënësve dhe ndryshe nga shkollat e qytetit, atje orët e mësimit bëhen të plota.

Në shkollën 9-të vjeçare të fshatit Dishnicë, gjatë pushimit të madh, nxënësit i gjetëm në oborr, pa maskë dhe në grupe.

Nxënësit e shkollës së Dishnicës gjatë pushimit

Edhe dy prej mësuesve të ngarkuar për të monitoruar nxënësit, ishin gjithashtu pa maskë. Nxënësit pohuan se maskën e mbanin vetëm gjatë orëve të mësimit, por jo kur dilnin në pushimin e madh.

Shkolla e fshatit Dishnicë

Zbatimi i protokolleve anticovid, sa i takon higjienës, mbetet thuajse i pamundur në shkollat ku mungon uji i rrjedhshëm, siç është ajo e fshatit Goskovë e Poshtme. Tualeti, që ndodhet në oborrin e shkollës, është një ngrehinë ku mungojnë dyert dhe ku të mbyt era e rëndë. Sanitarja e shkollës, Eljona Zhilla ankohet se i duhet çdo ditë të mbushë ujë në shtëpitë e fshatit për të pastruar banjat.

Tualeti i shkollës së fshatit Goskovë e Poshtme

“Ujin e mbaj me krahë. Me aq ujë sa mund të mbush në shtëpitë e banorëve të fshatit, mundohem të paktën të mbaj tualetin të pastër. Por si do bëj kur të ftohet koha dhe të nisë bora!?” – thotë e shqetësuar ajo.

Eljona Zhilla

Vera, njëra prej mësueseve të shkollës, ku mësojnë 46 nxënës në ciklin fillor dhe 29 në kopësht, pohon se protokolli zbatohet me rigorozitet, duke filluar nga matja e temperaturës, deri tek mbajtja e maskave dhe përdorimi i dezinfektantëve. Por për Lirie Bushon, e cila ka dy mbesa në kopësht dhe një nip në shkollë, kushtet higjieno-sanitare të tualeteve janë skandaloze.

Lirie Busho

“Fshati ka vetëm gjysmë ore ujë në ditë, ndërsa shkolla nuk furnizohet fare. Banjat nuk pastrohen rregullisht për shkak të mungesës së ujit. Jemi të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve, se nuk kanë ku të lajnë duart!” – thotë Liria.

Problemi i furnizimit me ujë në fshatin Goskovë e Poshtme pritet të zgjidhet deri në fund të nëntorit, sipas kryetares së Këshillit të Qarkut Korçë, Ana Verushi.

“Këshilli i Qarkut është duke zbatuar një projekt me vlerë rreth 1 milion euro, financuar nga BE, që parashikon ndërtimin e rrjetit të ujësjellësave dhe furnizimin 24 orë me ujë për disa fshatra të bashkisë sē Korçës dhe Maliqit, mes tyre edhe fshatin Goskovë e Poshtme. Punimet e këtij ujësjellësi pritet të përfundojnë brenda nëntorit” – sqaroi ajo për “Faktoje”.

Rritja e rasteve të të infektuarve në insitucionet arsimore ka shtuar kontrollet e grupeve të monitorimit në terren. Task-Forca e Prefekturës, sipas kryetarit Dhori Spirollari, po ndjek në vazhdimësi situatën e pandemisë në të gjithë qarkun, duke u fokusuar sidomos tek shkollat dhe kopshtet.

“Në të gjithë qarkun, operojnë tetë grupe kontrolli, të cilët kanë detyrimin të monitorojnë zbatimin e masave dhe protokolleve anticovid. Ata drejtues shkollash, që neglizhojnë zbatimin e masave, do të ndëshkohen!” – tha ai, por nuk sqaroi se kush e mban përgjegjësinë për mungesat e theksuara të kushteve higjienike në shkolla, që e bëjnë qesharak togfjalëshin “respektim i protokollit”!

*Foto e parë është përzgjedhur nga arkivi i “Faktoje”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img