BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitRMV, askush nuk mban përgjegjësi për tabelat e Shqipërisë së Enverit, ligji i gjuhës lë shumë për të dëshiruar

RMV, askush nuk mban përgjegjësi për tabelat e Shqipërisë së Enverit, ligji i gjuhës lë shumë për të dëshiruar

Edhe pse kanë kaluar disa vite nga miratimi i Ligjit të dygjuhësisë në RMV, ku garantohet përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror, zbatimi i tij lë shumë për të dëshiruar. Mos-zbatimi i ligjit vërehet nga tabelat informative në komunikacion, edhe atë në qytetet me shumicë shqiptare, e deri në administratë e gjyqësor. Shqetësues është edhe fakti se pas kaq shumë vitesh në disa tabela informuese në Shën Naum Shqipëria akoma figuron si republikë popullore edhe për këtë nuk mban askush përgjegjësi, shkruan Portalb.mk.

 

Zbatimi i dygjuhësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është një ndër elementet kyçe në përforcimin e bashkëpunimit me Shqipërinë fqinje. Në mbledhjen e përbashkët qeveritare, mes Maqedonisë së veriut dhe Shqipërisë, në vitin 2017 kryeministri i Shqipërisë mes tjerash vuri theksin në rëndësinë e shtrirjes së gjuhës shqipe në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. 

“Shpresoj që ligji për shtrirjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të miratohet dhe zbatohet sa më shpejt. Alfabeti i Manastirit duhet të transformohet si një qendër kulturore dhe artistike. Simbolika flet shumë për të gjithë së bashku. Ne kemi punuar dhe do të punojmë për mirëqenien dhe për sigurinë e plotë të potencialit të minoritetit maqedonas në Shqipëri”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama.

Më 11 janar 2018parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligji kaloi me 69 vota pro, ndërkohë që partia opozitare VMRO-DPMNE duke e cilësuar ligjin si anti-kushtetues e bojkotoi votimin.

Para dy vitesh, kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut nënshkroi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ligji për gjuhët parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe, apo siç thuhet të gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës, ndryshe nga maqedonishtja, në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera. Pas miratimit të Ligjit, zbatimi i të njëjtit do të fillonte një vit pas hyrjes në fuqi dhe të gjitha institucionet duhet të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit për gjuhët. Për institucionet që nuk do të respektojnë ligjin e gjuhëve u parapanë edhe gjoba nga 4 deri në 5 mijë euro, ndërsa ndaj zyrtarëve ose administratorëve që nuk e respektojnë këtë parim do t’u zbritet 30 për qind nga rroga.

Zbrazëtirat në implementimin e Ligjit në fjalë vërehen në forma të ndryshme

Zbatimi i Ligjit të dygjuhësisë në praktikë lë shumë për të dëshiruar. Zbrazëtirat në implementimin e Ligjit në fjalë vërehen në forma të ndryshme, që nga ndryshimin e tabelave rrugore, pllakatet të institucionioneve, në gjyqësor,  memorandumet, vulat, logot, ueb faqet e të tjera. Ligji i dygjuhësisë edhe pas dy vitesh nuk gjen zbatim të plotë as në zonat ku ka shumicë shqiptare dhe as në vendkalimet kufitare me Shqipërinë fqinje.

Mungesa e vullnetit për bashkëpunim të autoriteteve maqedonase vërehet sidomos në vendkalimin kufitar Shën Naum. Në tabelat informative të kësaj zone Shqipëria akoma figuron si Republika Popullore e  Shqipërisë (Народна Република Албанија)Portalb.mk inspektoi këtë zonë dhe vërejti se në 4 tabela të ndryshme, përveç se nuk figuron aspak përshkrimi në gjuhën shqipe, Shqipëria akoma paraqitet si Republikë Komuniste.

Fotografi nga Portalb, tabelat në Shën Naum – 02.02.2021

Edhe pse mediat në vend me vite të tëra kanë ngritur shqetësim për neglizhencën e autoriteteve për ndryshimin e tabelave në fjalë, deri më sot nuk është bërë asgjë. Nga ana tjetër, në pikën kufitare Qafë Thanë tabela informuese se ndodheni në vendkalim kufitar shkruan vetëm në gjuhën maqedonase dhe anglisht. Sa i përket tabelave informuese përgjatë rrugës që të çon drejt kësaj pike kufitare, ato pothuajse mungojnë fare. Një tjetër e përbashkët e dy zonave kufitare është edhe infrastruktura shumë e dobët rrugore.

Fotografi nga Portalb, tabela në Qafëthanë 02.02.2021

Për neglizhencën e ndryshimit të tabelave, sidomos atyre në Shën Naum, redaksia jonë kërkoi përgjigje edhe nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.

Në pyetjen tonë se pse edhe pas kaq shumë vitesh nuk janë ndryshuar tabelat informuese në Shën Naum, ku Shqipëria figuron ende si Republikë Komuniste, nga NP për Rrugë Shtetërore, bazuar në fotografitë që ne ua dërguam, na thanë se bëhet fjalë për rrugë lokale dhe se ato nuk kanë kompetenca.

Redaksia jonë u drejtua në Ndërmarrjen Publike “Makedonijapat”, në veprimtarinë e së cilës mes tjera thuhet:

NP “Makedonijapat” ka më shumë detyra dhe obligime, mes të cilave:
-projektimin, përpunimin dhe rregullimin e sinjalizimit horizontal dhe vertikal të rrugëve,

Nga NP “Makedonijapat” na udhëzuan të kontaktojmë me përgjegjësin e sektorit e sinjalistikës, Jorgo Osmanli, i cili gjatë një bisede telefonike na tha se për punët që ata duhet të bëjnë së pari duhet të kenë një program pune dhe kërkesë nga NP Rrugët Shtetërore. Redaksia jonë dërgoi kërkesë për informacion përsëri nga NP rrugët e Maqedonisë nga ku akoma nuk kemi përgjigje.

(Redaksia jonë do të përditësojë lajmin nëse do kemi përgjigje nga NP Rrugët Shtetërore).

Ndërkaq, sa i përket mungesës së tabelave informuese dhe sinjalistikës bazike në magjistralen Strugë-Qafë Thanë nga NP Rrugët Shtetërore na thanë se ky problem do të rregullohet bashkë me rehabilitimi i rrugës Podmolje-Strugë-Qafë Thanë.

Fotografi nga Portalb   – Podmol 06.02.2020

Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve: Ka lëshime në në zbatimin e Ligjit të Dygjuhësisë

Nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve konfirmuan për portalb.mk se ka lëshime në zbatimin e Ligjit të Dygjuhësisë por pa dhënë më shumë detaje na thanë se ka edhe progres.

“Agjencia e Zbatimit të Gjuhës është në përfundim e sipër të Raportit vjetor për 2020-ën, ku do të shpalosen të dhëna të hollësishme rreth zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Aty do të mund ta shihni gjendjen faktike. Në raportin që po e përgatisim lidhur me punën e agjencisë sonë gjatë vitit 2020, sipas të dhënave që kemi arritur t’i grumbullojmë nga shërbimet tona, mund të thuhet se ka lëshime, por ka edhe progres. Megjithatë, më hollësisht do të njiheni pas botimit të tij në fund të muajit mars”, thanë nga AZGJ-ja.

Në raportin e vitit 2019 AZGJ-ja theksoi se kishte dorëzuar gjithsej 641 pyetësorë anketues me një sërë pyetjesh të strukturuara drejtuar institucioneve të sektorit publik, e megjithatë përgjigje mori vetëm nga 183 institucione. Njëra nga pyetjet ishe: A i keni përmbushur detyrimet në përputhje me nenin 7 të këtij ligji, dhe, nëse nuk i
keni përmbushur plotësisht, deri në cilën fazë keni arritur me ndryshimin e tabelave të institucionit, memorandumet, vulat, logot dhe ueb faqet?

– 147 institucione janë përgjigjur se i kanë ndryshuar tabelat, 36 jo;
– 119 institucione janë përgjigjur se i kanë ndryshuar memorandumet, 64 jo;
– 151 institucione janë përgjigjur se i kanë ndryshuar vulat, 32 jo;
– 110 institucione janë përgjigjur se i kanë ndryshuar logot, 73 jo;
– 113 institucione janë përgjigjur se i kanë ndryshuar ueb faqet, 70 jo. 

Shumica e institucioneve që janë përgjigjur në anketën AZGJ-së theksojnë se për vitin 2020 nuk kanë paraparë mjete financiare për përkthyes dhe lektorë të rinj.

-43 institucione janë përgjigjur se kanë paraparë mjete financiare;
– 96 institucione janë përgjigjur se nuk kanë paraparë mjete financiare;
– 4 institucione janë përgjigjur se nuk mund t’i përgjigjen kësaj pyetjeje;
– 41 institucione nuk kanë dhënë asnjë përgjigje në lidhje me këtë pyetje.

Nga gjithsej 183 përgjigje të marra:

– 131 institucione janë përgjigjur vetëm në gjuhën maqedonase;;
– 4 institucione janë përgjigjur vetëm në gjuhën shqipe;
– 48 institucione janë përgjigjur edhe në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe.

A janë shqiptuar dënime për ata që nuk kanë zbatuar Ligjin e Dygjuhësisë?

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve si organ në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë, ka kompetencë për mbikëqyrje ndaj zbatimit të plotë dhe të përpiktë të dispozitave të Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve. Por, momentalisht ky inspektorat nuk mundet të shqiptojë gjoba ndaj atyre që e thyejnë ligjin. Nga IPGJ na njoftuan se momentalisht ndodhen në fazën e marrjes së licencës për inspektor, që do të thotë se nuk kanë inspektorë të licencuar e as të drejtë për të dalë në terren për të kryer mbikëqyrje inspektuese.

“Në bazë të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese, neni 42 dhe 43, trajnimi për marrjen e licencës për inspektor zbatohet në bazë të programit për trajnim dhe përbëhet prej dy pjesëve në kohëzgjatje të përgjithshme prej 12 muajve, edhe atë: tre muaj trajnim interaktiv dhe nëntë muaj punë praktike nën mbikëqyrjen e mentorit nga shërbimi inspektues ku është i punësuar. Pjesën e përgjithshme të provimit e organizon dhe e zbaton Këshilli Inspektues. Pjesën praktike të provimit e organizon dhe e zbaton shërbimi inspektues ku është i punësuar kandidati për inspektor. Por duke pasur parasysh faktin se të punësuarit në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve që janë kompetent për mbikëqyrje inspektuese pra, inspektorët, ende nuk janë të licencuar për kryerjen e mbikëqyerjeve inspektuese mbi përdorimin e gjuhëve, gjegjësisht janë në procedurë e sipër të marrjes së licencës, gjegjësisht inspektorët e kanë kaluar pjesën e parë respektivisht trajnimin interaktiv dhe janë në procedurë e sipër për pjesën e dytë apo pjesën praktike të provimit që e organizon dhe e zbaton shërbimi inspektues ku është i punësuar kandidati për inspektor. Në fazën në të cilën ndodhemi ne si Inspektorat, pa nuk mund të japim vlerësime konkrete sa i përket gjendjes faktike dhe reale të zbatimit të Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nga ana e institucioneve kompetente shtetërore”, deklaruan nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.

Tabelat në Shën Naum, shqetësuese për shqiptarët

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare nga Shqipëria vlerësojnë se mos-respektimi i Ligjit të Dygjuhësisë jo vetëm që përbën shkelje ligjore por edhe jep mesazhin se ky ligj po shfrytëzohet për arsye politike.

“Institucionet e Maqedonisë së Veriut duhet të angazhohen në mënyrë të qartë në respektimin e Kushtetutës së vendit. Çdo mungesë e vullnetit për të respektuar ligjin e dygjuhësisë do të përbënte jo vetëm një shkelje, por edhe do të jepte mesazhin e gabuar se ligji u miratua jo dhe aq për t’i dhënë një të drejtë të munguar qytetarëve shqiptarë, se sa për ta shfrytëzuar atë për arsye politike”, u shpreh për prtalb.mk Loren Kocollari nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare.

Mos ndryshimin e tabelave informative ku Shqipëria edhe pas kaq shumë vitesh paraqitet si Republikë Komuniste, Z. Kocollari vlerëson se në momente të caktuara nga qeveri të ndryshme mbase është bërë injorim i shtetit shqiptarë.

“Duhet kuptuar nëse neglizhenca e institucioneve të Maqedonisë së Veriut është e vullnetshme ose jo, për të thënë më pas nëse është shqetësuese. Për rastin në fjalë të ngjan disi e vështirë të mendohet se gjithë këto vite, askush nuk e ka vënë re një problem të tillë. Në momente të caktuara qeveri të ndryshme ndoshta kanë dashur të japin mesazhin e tyre përmes mosveprimit, duke injoruar kështu shtetin shqiptar. Por në anën tjetër, marrëdhënia e dy qeverive aktuale është në një moment të mirë, ndaj ajo që mund të ketë qenë një neglizhencë e vullnetshme dhe shqetësuese në të shkuarën, sipas gjasave ka evoluar në një harresë të së tashmes, që sidoqoftë do duhet të marri një zgjidhje sa më shpejt. Sado në dukje diçka simbolike, për shumicën e shqiptarëve Republika Popullore e Shqipërisë është një emërtim që mbart kujtime tragjike, dhe ri sjell makthet e një diktature që la pasoja shkatërrimtare në shumë drejtime. Ndaj qeveria shqiptare duhet të bëjë një kërkesë zyrtare që kjo çështje të adresohet sa më shpejt”, thonë mes tjerash nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img