BallinaFaktometerPa kategoriNovosela u përmbyt edhe me argjinturën e re, bashkia fajëson legalizimet brenda shtratit të lumit

Novosela u përmbyt edhe me argjinturën e re, bashkia fajëson legalizimet brenda shtratit të lumit

Ilda Hoxha & Jerola Ziaj 

Banesat në Novoselë nuk i shpëtuan përmbytjeve as në vitin 2021, edhe pse u investua në ndërtimin e argjinaturës për mbrojtjen nga lumi Vjosë të qendrave të banuara. Në 24 dhjetor Njësia Administrative Novoselë konfirmoi 17 banesa dhe 100 ha tokë të përmbytura, ndërsa kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli bën përgjegjës ata që kanë legalizuar objektet e ndërtuara më shtratin e lumit Vjosë, edhe pse ligji e ndalon në mënyrë kategorike.

—————————————————————

“Niveli i ujit në Novoselë është treguesi i parë i rrezikut të përmbytjeve, por për fat, deri tani, gjendja ka qenë normale. Bashkë me punonjësit e njësisë administrative, gjatë orëve në vazhdim, do të jemi në gatishmëri të plotë për t’i paraprirë çdo të papriture që mund të sjellin rreshjet”-shkruante zoti Leli në Facebook më 6 dhjetor të vitit të kaluar.

Forcimi i agjinaturës së Lumit Vjosë në Novoselë, apo rindërtimi i saj në disa segmente këtë fillimdimri (dhjetor 2021) nuk i “shpëtoi” banorët e kësaj zone nga përmbytjet dhe vërshimi i Vjosës. Megjithatë, ndryshe nga të gjitha herët e tjera, agjinatura nuk u dëmtua për shkak të vërshimit të lumit, të konsideruar si i fundit lumë i egër në Europë.

Më pak se një javë pas postimit të kryebashkiakut Leli, ku theksonte se ishin në gatishmëri për të përballuar çdo të papritur, Novosela u përmbyt pas reshjeve të dendura, ndërsa banorët apelonin në media për ndihmë. Të mbetur në çatitë e shtëpive të përmbytura, ata luteshin që strukturat shtetërore të ndërhyrnin për t’i zhvendosur.

“Morëm kryeplakun e fshatit në telefon dhe na tha që kishte marrë 100 herë dhe nuk vijnë. I lutemi shtetit të vijë të më nxjerrë fëmijët nga shtëpia, sepse kam 5 jetimë aty brenda”- bënte thirrje një banore nga Novosela.

Emergjencat civile, thanë së prurjet i tejkaluan pritshmëritë dhe kaluan lartësinë e 8 metra duke vërshuar mbi agjinaturë. Por edhe pse situata ishte kritike, dëmet ishin të reduktuara krahasuar me përmbytjet masive të disa viteve më parë. Investimet në agjinaturë ndikuan që vërshimi i lumit të ishte më i kontrolluar.

Përmbytjet në Novoselë, dhjetor 2021

 Në lidhje me këtë problematikë të vazhdueshme për banorët, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Vlorë, ku e pyetëm për investimet e kryera për të shmangur situata të tilla dhe pasojat që ishin shkaktuar në Novoselë.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Vlorë, 14 dhjetor 2021

Në lidhje me gjendjen e krijuar, njësia Administrative Novoselë bën të ditur për Faktoje më 24 dhjetor se u përmbytën 17 banesa si dhe u përmbytën 100 ha tokë, por uji u tërhoq brenda 24 orëve duke mos shkaktuar dëme në bujqësi.

“Për parandalimin e përmbytjeve në Novoselë është bërë një investim nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar për mbrojtjen nga lumi (digë) nga Ura e vjetër e Mifolit deri në fshatin Fitore 630 metër me vlerë 47.000.000 lekë dhe një investim nga Bashkia Vlorë (Argjinatura mbrojtëse) nga fshati Mifol në Novoselë dhe nga fshati Fitore ne Bishan. Gjithsej u përmbyten 17 banesa në të gjithë Njësinë Novoselë. Banesat e përmbytura u dëmtuan në orendi shtëpiake kryesisht”- thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Njësisë Administrative Novoselë.

Në lidhje me këtë problematikë, ne morëm një përgjigje edhe nga Bashkia Vlorë më 30 dhjetor, teksa ky institucion, ndryshe nga Njësia Administrative Novoselë thekson se nuk ka pasur dëme në orendi shtëpiake, pasi banorët ishin paralajmëruar fillimisht për rrezikun.

“Nuk janë shkaktuar dëme në tokat bujqësore mbasi uji u tërhoq brenda 24 orëve. Në banesa nuk pati dëme në mobilje dhe pajisje elektroshtëpiake, mbasi banorët u njoftuan paraprakisht nga specialistët e Mbrojtjes Civile të Bashkisë Vlorë dhe morën masa për zhvendosjen e këtyre paisjeve”-sqaroi Bashkia Vlorë.

Përgjigjia e Bashkisë Vlorë për Faktoje, 30 dhjetor 2021

Në 12 mars të vitit 2021, Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftonte për ndërtimin e argjinaturës për mbrojtjen nga lumi Vjosë të qendrave të banuara në Njësinë Administrative Novoselë.

“Këto përmbytje ndër vite kanë bërë të domosdoshme rritjen e sigurisë së argjinaturave të lumit Vjosë sipas kushteve teknike të projektimit sipas standarteve ndërkombëtare të miratuar nga Shteti Shqiptar. Për këtë arsye nga grupi i projektimit u hartua projekt-zbatimi i mbilartësimit të argjinaturave si dhe ndërtimit të argjinaturave duke patur parasysh si më poshtë:

Siguria e prurjeve që do të përballojnë argjinaturat të jetë e tillë që ato të përbëjnë mbrojtje efektive të qendrave të banimit, të cilat sot rrezikohen nga përmbytjet”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e FSHZH-së.”

Mirëpo, investimi i kryer 10 muaj më parë nuk i shpëtoi nga përmbytjet banorët e Novoselës as këtë dimër.

 Pavarësisht masave të shtuara apo thirrjeve për evakuiim, sërish 17 banesa u gjendën nën ujë. Kreu i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli tha për Faktoje disa banesa edhe pse në territorin brenda shtratit të lumit Vjosë, janë të pajisura me leje legalizimi, ndërkohë që përmbytja është e pashmangshme me një afërsi të tillë me lumin. Sipa zotit Leli, Bashkia e Vlorës ështe e hapur për të nisur procedurën për shembjen e 10 objekteve në të cilat banojnë 16-të familje.

“Duke u nisur nga fakti që disa banesa janë të prekura nga përmbytjet sa herë ka situatë të rënduara reshjesh, pasi janë në afërsi apo brenda shtratit të lumit Vjosë, kemi kërkuar verfikim të statusit të tyre ligjor dhe na rezulton se edhe pse janë ndërtime pa leje, janë legalizuar 6-7 vitet e fundit”- tha Dritan Leli.

Përmbytjet në Novoselë, dhjetor 2021

Sipas tij, edhe pse këto objekte në janë afërsi të tillë me lumin në të cilën nuk mund të ndërtohet, legalizimi i tyre kërkon që bashkia e Vlorës të akordojë fond të posaçëm shpronësimi.

Përmbytjet në Novoselë, dhjetor 2021

“Kur është ngritur përbri brigjeve të deteve, liqeneve, lumenjve, rezervuareve apo çdo sipërfaqeje tjetër ujore, kur këto janë territore ku nuk lejohen ndërtime, në bazë të planit të përgjithshëm vendor në fuqi, kur në PPV është përcaktuar brezi mbrojtës nëpërmjet “vijës blu”, atëherë drejtoritë vendore të ASHK-së mbështeten në këtë të fundit”-përcaktohet në ligj.

Pëllumbeshë Myrteli, shtëpia e të cilës ndodhet pranë shtratit të lumit Vjosë, konfirmon se bashkë me banesën e saj janë legalizuar edhe disa objekte të tjera të cilat kishin aplikuar për legalizim, edhe pse në ligjin nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe vendim nr.1040, datë 25.11.2020 për përcaktimin e rregullave të zbatimit të kritereve të legalizimit dhe miratimin e modelit të aktit të legalizimit, për ndërtimet pa leje pika dh sqarohet qartë se legalizimi në këtë zonë nuk është i lejuar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img