BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingNë 8 vjet të mbledhjeve të përbashkëta Shqipëri-Kosovë, u arrit ‘qëllimi’, por jo rezultatet

Në 8 vjet të mbledhjeve të përbashkëta Shqipëri-Kosovë, u arrit ‘qëllimi’, por jo rezultatet

Klementina Cenkollari

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, prej vitit 2014 zhvillojnë rregullisht mbledhje dypalëshe, me qëllim ‘gjenerimin’ e marrëveshjeve që lehtësojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, nën simbolikën e të njëjtit komb. Në një verifikim për Faktoje, rezulton se në 8 vite janë firmosur 116 marrëveshje, por zbatueshmëria nuk është në nivel të kënaqshëm. Ky ngërç që pranohet edhe nga institucionet e Shqipërisë është komentuar edhe nga ekspërtë nga të dy anët e kufirit, ndërkohë që pyetjeve në emër të Faktoje për këtë çështje, qeveria e Kosovës nuk u ktheu përgjigje.


Tetë vite më parë, në janar 2014 u mbajt në Prizren mbledhja e parë ndërmjet dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.

Që prej asaj kohe e deri më tani janë nënshkruar 116 marrëveshje gjithsej, në nivel qeverie apo mes institucioneve të varësisë, ku përfshihen të gjitha fushat e bashkëpunimit duke nisur nga ekonomia, çështjet e brendshme dhe kufitare, deri tek shkenca, teknologjia e inovacioni. Në mbledhjet dypalëshe gjatë viteve që pasuan, qeveritë po ashtu u pajtuan që të themelohet edhe një fond i përbashkët për Luginën e Preshevës.

Sa janë zbatuar marrvëveshjet e firmosura?

Ca prej burokracisë së dy qeverive, aq edhe prej vetë ndryshimeve në strukturën e kabineteve qeveritare, disa prej marrëveshjeve kanë mbetur ende në letër, duke i lënë të zhgënjyer edhe grupet e interesit që do të ishin përfitues nga zbatimi i tyre.

Një ngërç të tillë e pranoi edhe vetë kryeministri Rama, sipas të cilit jo të gjitha marrëveshjet kanë dhënë rezultat.

“Që të themi se jo të gjitha marrëveshjet e firmosura kanë gjetur zbatim të plotë, këtë mund ta themi pas asnjë dyshim dhe e kemi diskutuar së bashku që ditën e parë. Një pjesë e tyre janë zbatuar, një pjesë janë në zbatim, një pjesë kanë ngecur”- nënvizoi Rama në nëntor 2021.

 Marrëveshjet që po zbatohen

 Ndër marrëveshjet me ndikim madhor janë hapja e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit në janar të vitit 2019 (së fundi qeveria në Shqipëri ka ratifikuar marrëveshjen për lehtësimin e ndërsjellë të procedurave doganore në portin e Durrësit), heqja e tarifave Roaming, kryerja e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën Morinë-Vërmicë, njohja reciproke e patentave për drejtuesit e mjeteve.

Ndërkaq, në nëntor të 2021 u firmos marrëveshja që të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kosovë do të mund të  përfitojnë për leje-lindje, aksidente në punë, nga pensionet e pleqërisë, invaliditetit ose ato familjare në të dyja vendet. Këto 5 marrëveshje nga verifikimi ynë po zbatohen plotësisht.

Dokumenti për njohjen e dyanshme të patentës së drejtimit të automjeteve në Shqipëri dhe Kosovë

Një numër i madh marrëveshjesh të përbashkëta janë edhe në fushën e arsimit, siç paraqiten më poshtë, prej vitit 2014, por niveli i zbatueshmërisë mbetet i ulët.

Marrëveshja e bashkëpunimit për unifikimin e kurrikulës së sistemit arsimor parauniversitar të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, nënshkruar në Tiranë, më 3 qershor 2014;

Nga informacioni që kemi, kjo marrëveshje nuk po zbatohet plotësisht, pasi Shqiperia dhe Kosova ende kanë kurrikula të ndryshme.

Po ashtu, zbatim nuk ka gjetur as Marrëveshja ndërministrore e bashkëpunimit për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë, nënshkruar në Tiranë, më 23 mars 2015;

Marrëveshja ndërministrore e bashkëpunimit për bashkërendim institucional për përparimin dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve në arsimin parauniversitar, nënshkruar në Tiranë, më 23 mars 2015  dhe

Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për financimin dhe organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, nënshkruar në Korçë, është ende në nivel jo të kënaqshëm.

Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në fushën e rinisë, nënshkruar në Pejë, më 26 nëntor 2018, ka mbetur në kuadrin e deklaratës.

Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Kosovës për themelimin e ligës së përbashkët të basketbollit, nënshkruar në Tiranë, më 2 tetor 2020 ka mbetur ende në kuadrin e deklaratës.

Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, për platformën e përbashkët digjitale të arsimit parauniversitar, ende nuk po zbatohet plotësisht.

Pyetjes sonë se ku ka ngecur zbatimi i marrëveshjeve, Ministria e Arsimit në Shqipëri i përgjigjet duke konfirmuar se në fakt ato janë në zbatim, me përjashtim të “Marrëveshjes për financimin dhe organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë”, për të cilën pritet ratifikimi në parlament nga ana e palës kosovare.

 

Ne i kemi dërguar një kërkesë zyrtare dhe qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Arsimit dhe të Infrastrukrurës në Kosovës, mbi nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjeve dypalëshe por deri në momentin e publikimit të këij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

MEPJ në Shqipëri pranon ngërçin në zbatimin e marrëveshjeve

“Marrëveshjet janë në proces zbatimi, përjashtuar ato marrëveshje të cilave u ka përfunduar afati, janë rinegociuar, janë shfuqizuar me dakordësinë e palëve, janë të pazbatueshme për shkak të ndryshimeve të strukturave qeveritare ndër vite (zhbërje, krijim, bashkim ose ndarje e ministrive dhe ndryshim kompetencash) si dhe 13 marrëveshje të mbledhjes ndërqeveritare të fundit në Elbasan, më 26 nëntor 2021, të cilat sapo janë nënshkruar dhe ka nisur procesi i zbatimit të tyre.” – thuhet në përgjigjen që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dërgoi për Faktoje.

13 marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e ndërqeveritare Shqipëri-Kosovë, nëntor 2021

Nga verifikimi ynë për 13 marrëveshjet Shqipëri-Kosovë të nënshkruara në nëntor, rezulton se vetëm 4 prej tyre kanë nisur të zbatohen plotësisht.

Më konkretisht, ka nisur zbatimi i marrëveshjees ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.

Zyra doganore e Kosovës në Durrës

Marrëveshja për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë është funksionale.

Marrëveshja për sigurime shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës ka filluar dhe tashmë është e zbatueshme.

Sa i përket marrëveshjes dypalëshe për bashkëpunimit në fushën e bujqësisë janë njehsuar dhe po zbatohen modelet për certifikatat e sigurisë së ushqimeve që lëshohen nga AKU.

Hekurudha dhe bursa pezull

 

Projekti madhor për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë ka mbetur ende në letër. Në buxhetin e vitit 2022, qeveria shqiptare nuk ka planifikuar fonde për ndërtimin e hekurudhës me Kosovën. Buxheti 2022, siguron mbështetje buxhetore vetëm për projektin kryesor të këtij programi “Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore për në aeroportin e Rinasit” nga të dyja drejtimet.

Krijimi i bursës shqiptare të energjisë elektrike, Dhoma Ekonomike Shqipëri-Kosovë, Qendra e Përbashkët Trajnuese mund të konsiderohen pjesërisht të  zbatueshme pasi janë ndërmarrë, por nuk ka ende diçka të prekshme.

Përgjigja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë   

Shqipëria dhe Kosova ende jo me konsullata të përbashkëta në çdo shtet

Një nga pikat më të rëndësishme që ende nuk njeh zbatim të plotë është ajo e konsullatave të përbashkëta me qëllim reduktimin e kostove të shërbimeve për shtetasit.

Kosova dhe Shqipëria nga sot e tutje fillojnë punën për të pasur Ambasada dhe konsullata të përbashkëta anembanë botës.” do të deklaronte në korrik 2019, ish-ministri i Jashtëm Gentian Cakaj gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me homologun e tij aso kohe Behgjet Pacolli.

Foto nga nwnshkrimi i marrëveshjes për shërbimin konsullor, korrik 2019

 

Megjithatë ende, pas 8 vitesh nuk kemi përfaqësi të përbashkëta në të gjithë vendet e botës ku Shqipëria dhe Kosova kanë momentalisht përfaqësi.

MEPJ konfirmon se ky numër aktualisht është vetëm 5.

  1. Konsullata ePergjithshme Mynih/Gjermani
  2. Konsullata e Pergjithshme Milano/Itali
  3. Konsullata e Pergjithshme Bari/Itali
  4. Ambasada Kambera/Australi
  5. Ambasada Kopenhagen/Danimarke.

Përgjigja e MEPJ lidhur me zbatueshmërinë e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë

 Nacionalizmi me “kartën” e Preshevës

Si Kosova dhe Shqipëria janë angazhuar për një vëmendje të shtuar ndaj Preshevës. Por fatkeqësisht gjendja atje pak ka ndryshuar, ndërkohë që pavarësisht zotimit të dy qeverive, realiteti flet ndryshe. Qeveria shqiptare, në vitin 2019 dha 3,750,000 lekë për mbështetjen e funksionimit Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi dhe zyrat e tij në Preshevë dhe Medvegjë.

Gjithashtu, nga qeveria shqiptare janë dhënë për të njëjtin qëllim 4,972,000 lekë, në vitin 2020 si ndihmë financiare.

Ekspertët, kritikë për zbatueshmërinë e ulët të marrëveshjeve dypalëshe

Ben Andoni, një njohës shumë i mirë i çështjeve rajonale thekson për “Faktoje” se në masën e dokumenteve të firmosura mes qeverive të dy vendeve mund të thuhet se të shtatë mbledhjet e përbashkëta Shqipëri-Kosovë e kanë arritur plotësisht qëllimin e tyre, por jo rezultatin.

“Numri i madh i marrëveshjeve duhet të ishte në sinkron edhe me zbatimin e tyre, pikërisht kjo edhe mungon realisht”- thotëAndoni. Kjo është arsyeja sipas tij, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e vonoi disi mbledhjen e ‘parë’ nën qeverisjen e tij me Shqipërinë, pikërisht për të treguar një qasje tjetër, duke kërkuar fillimisht një kontroll të mbarëvajtjes së tyre.

Edhe analistët nga Kosova, Dorajet Imeri dhe Demush Shasha, drejtor i Institutit EPIK, i thanë “Faktoje” se pavarësisht përpjekjeve, marrëveshjet nuk po gjejnë zbatim.

“Ka disa gjëra që Kosova dhe Shqipëria lehtësisht mund të bashkëpunojnë për arsye jetike, sidomos diplomacia, politika e jashtme, thithja e investimeve, krijimi i rrjeteve diplomatike të përbashkëta, mbështetja e njëra-tjetrës në sektorë vitalë për shoqërinë, si sigura e mbrojta. Figurativisht thënë, ne tani jemi në nivelin e abetares”-thotë Imeri.

“Në përgjithësi, mbledhjet kanë ngritur një kuadër të madh marrëveshjesh me qëllim fuqizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Sidoqoftë, vështirësia mbetet tek zbatimi. Kemi parë shpesh që investitorët kosovarë hasin në pengesa gjatë investimeve në Shqipëri, qoftë në sektorin e bujqësisë apo sektorë të tjerë. Unë besoj se pikërisht në këtë drejtim në mbledhjen e fundit palët janë dakordësuar për ngritjen e një sekretariati të përhershëm për të siguruar monitorim të zbatimit të marrëveshjeve”- shprehet Demush Shasha.

 

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img