BallinaFaktometerPa kategoriNjohja e Kosovës nga Serbia në planin franko-gjerman nuk lidhet me integrimin në BE

Njohja e Kosovës nga Serbia në planin franko-gjerman nuk lidhet me integrimin në BE

Lajme spekulluese mbi marrëveshjen e re mes Kosovës dhe Serbisë kanë qarkulluar në rrjet prej ditës së parë të ekzistencës së atij që sot quhet plani franko-gjerman. I tillë është interpretimi se njohja e Kosovës nga Serbia do të lidhet me integrimin në Bashkimin Evropian. “Faktoje” verifikon përse teksti i marrëveshjes së propozuar nuk përmban një kusht të tillë.

Jona Plumbi

Prej datës 27 shkurt, kur Bashkimi Evropian publikoi të ashtuquajturin planin franko-gjerman, dokumentin e dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë,  teori të ndryshme qarkullojnë në media, të cilat mbeten në kuadrin e interpretimeve. I tillë është rasti i lajmit të shpërndarë në rrjet nga Ntv Televizion me titull “Serbia do ta njohë Kosovën/ dokumenti evropian: Njohja, para se Serbia të antarësohet në BE.

 “Praktikisht diplomatët evropianë thonë se njohja reciproke do të kuptohet kur Serbia të jetë pranë Bashkimit Evropian. Edhe nëse Serbia tani e shmang pranimin e Kosovës në OKB, që interpretohet si njohje joformale e Kosovës, pas disa vitesh pritet që ajo ta bëj këtë zyrtarisht.”

*screenshot i lajmit-video publikuar nga Ntv Televizion ne rrjete sociale

Kështu nis lajmi i Ntv Televizion, i cili ofron disa informacione të pavërtetuara mbi marrëveshjen e re mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fakt, i vetmi dokument publik i marrëveshjes së re Kosovë – Serbi është ai që Bashkimi Evropian publikoi në faqen e tij zyrtare. Ky dokument parashtron disa tema kryesore mbi të cilat palët do duhet të diskutojnë në vijim. Në asnjë pikë të marrëveshjes nuk përmendet ‘e zeza mbi të bardhë’ njohja e Kosovës, gjë e cila është interpretuar si lëshim nga ana e opozitës në Kosovë.

Njëkohësisht, lajmi i Ntv ngre pretendime për një njohje joformale të Kosovës nga Serbia. Kjo njohje “informale” e Kosovës, që sipas Ntv do të zyrtarizohet pas antarësimit në BE, nuk ka ndodhur ndonjëherë. E kundërta është e vërtetë. Serbia refuzon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur përmes refuzimit të përfshirjes së saj në organizata ndërkombëtare si OKB apo BE.

Lajmi vijon duke “parashikuar” edhe momentin e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe për këtë përdor si referencë një tjetër portal.

Fjalia që përshkruan thuajse në mënyrë të padukshme tekstin e dokumentit, i cili buron nga zyrat e diplomatëve evropianë që punojnë për zbatimin e marrëveshjes evropiane është se njohja reciproke Kosovë – Serbi do vijë me hyrjen e tyre në BE, shkruan portali serb Nova.”

Edhe pse lajmi nuk e bën aspak të qartë, nëse pretendimi që ngre është citim i një portal serb apo deduksion gazetaresk i Ntv televizion, fakti qëndron se marrëveshja e dakordësuar në Bruksel nga Kurti dhe Vuçiç parashikon në nenin 4 të saj se “Serbia nuk do të kundërshtojë antarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Marrëveshja parashikon gjithashtu se “asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse drejt integrimit në BE bazuar në meritat e tyre.

Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë që njohja reciproke nuk është synim i procesit të dialogut, por qëllim mbetet vetëm normalizimi i raporteve. “Objektivi i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Objektivi dhe mandati i BE-së në këtë dialog është t’i ndihmojë ata të arrijnë marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”- tha Peter Stano, zëdhënësi i Komisionit Evropian në përshëndetjen publike të pranimit të planit nga palët, në 27 shkurt 2023.

Në fund të fundit, marrëveshja në fjalë ende nuk është firmosur nga palët, të cilat pritet të takohen në 18 Mars në Ohër, për të diskutuar mbi planin e zbatimit të marrëveshjes. Përpara këtij takimi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se, në fakt, ai nuk ka ndërmend ta firmosë marrëveshjen edhe pse po shkon në takim për miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e tij.

Nëse do të ketë nevojë për biseda të mëtejshme përpara firmosjes së kësaj marrëveshjeje, kjo do mbetet për t’u parë. Një gjë është e sigurtë, që marrëveshja Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, synon t’i japë zgjidhje situatës pa njohje reciproke si dhe pa asnjë lidhje direkte me integrimin e tyre në BE, si konfirmon neni 5 i marrëveshjes së nxitur nga evropianët.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img