BallinaBurokraciVaksinimi i administratës publike, asnjë shifër konkrete nga Ministria e Shëndetësisë

Vaksinimi i administratës publike, asnjë shifër konkrete nga Ministria e Shëndetësisë

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi më 7 janar se 80% e punonjësve të administratës dhe rreth 70% punonjësve të qendrave tregatare janë të vaksinuar ndaj COVID19. Edhe pse Faktoje kërkoi përmes kërkesës zyrtare për informacion shifra konkrete për ecurinë e procesit të vaksonimit Ministria e Shëndetësisë refuzoi të kthente përgjigje.

——————-

“Deri më tani rreth 80% e punonjësve rezultojnë të vaksinuar. Ne do ta vazhdojmë këtë inspektim padyshim, me të gjithë institucionet e tjera. Edhe në supermarket apo në qendra tregtare ka vijuar inspektimi nga strukturat tona të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor dhe rezultojnë rreth 70% deri më sot. Janë rreth 120 struktura supermarketesh apo qendrash tregtare dhe struktura shërbimesh në tërësi që janë inspektuar në këto ditë pas daljes së vendimit.”- deklaroi zonja Manastirliu më 7 janar, gjatë inspektimit në qendrën e vaksinimit të vendosur tek “Air Albania”.

Kjo deklaratë erdhi pas urdhërit të nxjerrë nga ky institucion në 23 dhjetor 2021 për dy kategoritë e mësipërme, të cilat duhet të gjithë paraqiteshin në punë me kartën e vaksinimit, ose kartën e shërimit nga Covid apo testin e PCR.

Kopje e urdhërit të MSH për vaksinimin e administratës, 23.12.2021

Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion në fillim të janarit, pak ditë para deklaratës publike të Ministres, ku pyeste për detaje dhe shifra mbi ecurinë e procesit të vaksinimit për punonjësit e administratës publike dhe punonjësit e shërbimeve tregtare.

Kërkesa dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 6 janar 2022

Ministria e Shëndetësisë, dërgoi një përgjigje, në përmbajtje të të cilës kishte një informacion të përgjithshëm dhe asgjë të detajuar për dy kategoritë për të cilat Faktoje kishte dërguar pyetjet.

“Aktualisht në këto momente në vendin tonë po aplikohen vaksinat Pfizer-BioNTech, AstraZeneca, Corona Vac dhe Sputnik. Vaksinimi ndaj Covid-19 është i hapur për të gjithë personat mbi 16-vjeç, ku përfshihen dhe punonjësit e administratës, të qendrave tregtare, të supermarketeve, etj, si dhe fëmijët mbi 12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, sipas protokolleve të miratuara.  Regjistrimi i popullatës së vaksinuar kryhet i bazuar në sistemet elektronike të përcaktuara për këtë qëllim. Referuar informacionit të siguruar prej strukturave kompetente, aktualisht vazhdon marrja e dozës së tretë për të gjithë personat +18 vjeç dhe deri në datën 30 dhjetor 2021 janë kryer 145,961 doza të treta.”-thuhet në përgjigjen e MSH.

Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësië, 17 janar 2022

Deri më tani sipas raportimeve të Ministrisë së Shëndetësisë janë injektuar 1,204,446 doza të para, 1,094,575 doza të dyta dhe 193,376 doza të treta. Pra në total janë kryer 2,569,137 vaksinime anti-COVID ku numri total i vaksinimeve të raportuara, përfshin edhe vaksinimet e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit dhe që janë të regjistruara. Në faqen zyrtare të MSH, ku bëhen përditësimet ditore mungojnë të dhënat e detajuara sipas kategorive dhe grupmoshave, ashtu siç ndodh në vende të tjera dhe për të cilat Faktoje ka shkruar edhe më herët.

Në mungesë të të dhënave dhe transparencës, që është një detyrim ligjor për institucionet, publike, Faktoje do të vijojë të ushtrojë të drejtën për të kërkuar në rrugë zyrtare informacionin dhe t’i drejtohet Komisionerit për të Drejtën e Informimit, sa herë që ky detyrim shkelet nga institucionet.

 

*Foto kryesore marrë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img