BallinaFaktometerE vërtetëMësuesit ndihmës në shkolla, të pasigurtë për vendin e punës

Mësuesit ndihmës në shkolla, të pasigurtë për vendin e punës

ANXHELA RUÇI

Pothuajse 1000 mësues ndihmës kontribuojnë në shkollat publike të arsimit parauniversitar, ashtu siç ka deklaruar ministrja e Arsimit. Por gjatë kërkimit “Faktoje” konstatoi se kjo kategori mësuesish ndihet e pasigurtë për vendin e punës.

————————————————————————————————————————————————————-

Që prej vitit 2014, në sistemin arsimor parauniversitar krahas mësuesve të lëndëve përkatëse operojnë edhe mësuesit ndihmës. Këta mësues i vijnë në ndihmë fëmijëve me aftësi të kufizuar që mund të frekuentojnë çdo shkollë dhe kanë pothuajse të njëjtat përgjegjësi si mësuesit e tjerë. Praktika e mësuesve ndihmës është firmosur dhe ka hyrë në fuqi 5 vite më parë, kur Ministria e  Arsimit, Sportit dhe Rinisë drejtohej nga Lindita Nikolla.

Pak ditë pas fillimit të vitit shkollor 2019-2020, ministrja në detyrë e arsimt, Besa Shahini në një intervistë deklaroi: “Nga viti 2014 deri më sot kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës nëpër shkolla. Sot kemi 1000 mësues ndihmës në sistem, është diku 1 mësues ndihmës për 4 nxënës me aftësi të kufizuar.”

Për të verifikuar këtë deklaratë, “Faktoje” iu drejtua me një kërkesë zyrtare Ministrisë së Arsimit, se sa mësues ndihmës janë aktualisht në arsimin parauniversitar dhe çfarë kualifikimi duhet të ketë kjo kategori mësuesish që u vjen në ndihmë fëmijëve me aftësi të kufizuar.

Në përgjigjen e saj, ministria konfirmoi se në përfundim të vitit akademik 2018-2019 në të gjithë sistemin kanë qenë të punësuar 940 mësues ndihmës. Për vitin shkollor 2019-2020 MASR nuk na ka vënë në dispozicion numrin e mësuesve ndihmës.

Më herët “Faktoje” ka trajtuar çështjen e mësuesve ndihmës dhe të dhënat që ne disponojmë vërtetojnë se nga viti në vit numri i tyre ka ardhur në rritje. Kështu në vitin shkollor 2017-2018, në sistemin parauniversitar ka pasur 570 mësues ndihmës.

Për sa i përket kualifikimit dhe arsimit që mësuesit ndihmës duhet të kenë, udhëzimi nr.38 datë 07.10.2019 “Për kriteret e mësuesve ndihmës…”, përcakton se ata detyrimisht duhet të zotërojnë diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit. Gjithashtu mësuesit ndihmës duhet të kenë kryer trajnime të specializuara të vërtetuara me anë të certifikatave apo diplomave, për trajtimin dhe edukimin e nxënësve me aftësi të kufizuar.

Sipas prindërve, edhe pse mësuesit u nënshtrohen vazhdimisht trajnimeve, duke qenë se vijnë nga profile të ndryshme, shpeshherë kjo sjell probleme në mësimdhënie.

Edhe pse shifrat e deklaruara nga ministrja Shahini pothuajse përputhen me shifrat reale, në fillim të vitit shkollor 2019-2020, “Faktoje” identifikoi një problem lidhur me mësuesit ndihmës. Shumë prindër ankoheshin se mësuesit e mëparshëm ndihmës ishin larguar nga shkollat ku fëmijët e tyre mësonin dhe ishin zëvendësuar. Ky ndryshim kishte sjellë probleme në fëmijët me aftësi të kufizuar për shkak të afeksionit dhe përshtatjes që ata krijojnë me mësuesit.

Landa. J mësuese ndihmëse në një shkollë 9-vjeçare në Dibër tha se pothuajse çdo vit shkollor, punësimi i saj si mësuese ndihmëse vihet në diskutim. Ajo i tha “Faktojes” se ka pasur raste kur kontrata është rinovuar me vonesë. Edhe pse ka ndjekur të gjitha trajnimet kualifikuese për edukimin e mësuesve ndihmës, vitin e ri shkollor e fillon me frikën se dikush do t’i zërë vendin e punës.

Pyetur për këtë problem, ministria e Arsimit iu përgjigj “Faktojes” se emërimi dhe largimi i mësuesve ndihmës në bazë të nenit 80 të “Dispozitave Normative për arsimin parauniversitar” përcakton se mësuesi jo në profil përkatës punon me kontratë me afat të përcaktuar dhe emërimi apo largimi bëhet nga drejtori i shkollës pas pëlqimit nga këshilli i mësuesve.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img