BallinaPertejLargimi i të rinjve vë në pikëpyetje 500 milionë lekët e shpenzuara për Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë

Largimi i të rinjve vë në pikëpyetje 500 milionë lekët e shpenzuara për Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë

EDIT NIKOLLI

Me qëllim frenimin e largimit dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës, në vitin 2015 qeveria prezantoi Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë, të cilit iu akorduan më shumë se 500 milionë lekë vetëm nga Buxheti i Shtetit. Mirëpo 5 vite më pas, raportet kombëtare dhe ato ndërkombëtare konfirmojnë hemorragjinë e ikjes së të rinjve duke çuar kësisoj në plakje me ritme të shpejta të popullsisë.


Plani Kombëtar i Veprimit për Rininë shënon një moment të rëndësishëm kthese në mënyrën sesi është sjellë politika me rininë. E vërteta është se për rininë është folur e thënë shumë, padyshim. Por mes të thënit e të bërit ka qëndruar vazhdimisht një hapësirë e madhe sa indiferenca e treguar ndër vite nga politika kundrejt çështjeve e problematikave me të cilat përballet rinia shqiptare – u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të iniciativës në vitin 2015.

Me qëllim funksionimin sa më rigoroz të strategjisë, Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë iu akorduan 543,206,000 lekë vetëm nga Buxheti i Shtetit për harkun kohor 2015-2020.

Mirëpo, 5 vite më pas raportet kombëtare dhe ato ndërkombëtare, konfirmojnës se hemorragjia e largimit të të rinjve vijon e ku papunësia renditet në krye të arësyeve të braktisjes së vendit.

Në dekadën e fundit kanë ikur 140 mijë të rinj e të reja!

Raporti i përvitshëm kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020“, i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë, nxjerr në pah se 140.390 të rinj dhe të reja janë larguar nga vendi në 10 vitet e fundit.

Papunësia mbetet problem kryesor!

Papunësia e të rinjve vazhdon të mbetet një ndër sfidat kryesore të të rinjve ku thuajse 51 për qind e të rinjve nuk janë as në marrëdhënie pune dhe as në ndjekje të një kursi apo trainimi professional.

Të rinjtë e diplomuar janë ata që vuajnë nivelet më të larta të papunësisë!

Papunësia e të rinjve vijon të mbetet një problem thelbësor. Të rinjtë e diplomuar janë ata që vuajnë nivelet më të larta të papunësisë.  Sipas të dhënave të INSTAT, duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor gjatë vitit 2019, rreth 14,4 % e të rinjve me arsim të mesëm janë të papunë, ndërsa 12,3 % e të rinjve me arsim të lartë vujanë këtë fenomen.

Karantina si pasojë e pandemisë “Covid-19” përkeqësoi gjendjen e të rinjve!

Mungesa e besimit të të rinjve ndaj masave dhe planit ekonomik të Qeverisë shqiptare për të përballuar krizën ekonomike dhe më tej, ishte një tjetër gjetje e e këtij raporti.

Sipas raportit, 61.8 për qind e të rinjve konfirmojnë se familjarët e tyre nuk e kanë përfituar në muajin Mars 2020 ndihmën financiare referuar vendimit të qeverisë. 92.6 për qind e të rinjve konfirmojnë se familjet e tyre nuk kanë marrë përgjatë periudhës së karantinës ndonjë ndihmë ushqimore! 55.9 për qind e të rinjve nuk mendojnë dhe nuk kanë shpresë se plani ekonomik dhe masat e Qeverisë shqiptare do japin shpëtim ndaj krizës ekonomike. 63 për qinde të rinjve në kohën e karantinës nuk kishin besim aspak tek masat e Qeverisë shqiptare për përballimin e vështirësive të shumta përfshi këtu edhe ato financiare.

Ikja e “trurit” të të rinjve!

Raporti i përvitshëm Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020“, i CRCA/ECPAT  e nxjerr Shqipërinë në vendin e parë në Europë me rreth 30% të studentëve që synojnë të studiojnë jashtë vendit, ishte padiskutim duke e konsideruar si një ndër gjetjet më kritike që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria shqiptare.

Mijëra të rinj planifikojnë të largohen nga vendi!

Sondazhet e “The Lancet” nxorrën në pah se  se 285 mijë të rinj planifikojnë të ikin nga vendi, duke e bërë atë të thyejë “rekordin” për numrin e të rinjve që mezi presin të ikin.

Një fenomen që tërthorazi konfirmon edhe largimin e të rinjve nga vendi është edhe braktisja e shkollës. Siç edhe evidentohej në artikkullin e publikuar më herët nga Faktoje, gati 17 mijë nxënës, vetëm nga arsimi 9-vjeçar kanë braktisur shkollën në dekadën e fundit, sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit. Kushtet e vështira ekonomike, emigrimi, martesa e vajzave në moshë të re dhe mentaliteti patriarkal, renditeshin si disa nga arsyet e këtij fenomeni.


Të rinjë ndër vite në Shqipëri, burimi INSTAT

Më shumë se 66 mijë shqiptarë kërkuan azil në vendet e BE-së në vitin 2015!

Largimet masive në vitin 2015, ku vetëm në vendet e Bashkimit Europian kërkuan azil më shumë se 66 mijë qytetarë, bëri që teza e “shpopullimit” të bëhej edhe më aktuale. Problemi bëhej edhe më i madh ku një pjesë e konsiderueshme e të larguarve ishin të rinjtë.


Kërkesat për azil të shqiptarëve në vendet e BE-së

Largimi masiv i të rinjve po sjell plakje të shpejtë të popullsisë!

Po plaken, po vdesin, po largohen” – janë togfjalët më të përdorura në artikullin e “The Economist” të publikuar më 22 gusht, teksa i referohet popullsisë së Ballkanit.

Në grafikun e paraqitur nga The Economist, për Shqipërinë parashikohet që popullsia do të reduktohet me 26% deri në vitin 2050.

Grafik nga “The Economist”

Plani Kombëtar i Veprimit për Rininë nuk ka gjetur zbatueshmëri!

Por, edhe pse u konsiderua si një moment që do sillte ndryshimin, thuajse 5 vjet pas miratimit të Planit, asnjë raport monitorimi apo vlerësimi nuk është përgatitur nga strukturat e ngarkuara me këtë funksion dhe ky plan nuk jep asnjë shifër e të dhënë për zbatimin e plotë të tij.

Nëse i referohemi faqes zyrtare, raportimeve vjetore apo atyre periodike, Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve nuk jep asnjë përditësim lidhur me këtë iniciativë.

Megjithatë, shifrat e të larguarve, atyre që planifikojnë të largohen, si dhe atyre që ankohen për mospërkrahje nga strukturat shtetërore, tregon për një “neglizhencë” nga ana e qeverive.

Gjatë një intervistë televizive profesori dhe sociologutZyhdi Dervishi i cili shprehet se: Rinia dhe shtresa e mesme kanë qenë gjithmonë faktorët kyç të përparimit të shoqërisë, hapsira shqipëtare është tokë e bekuar nga perëndia dhe pasuria më e madhe është ajo e rinisë.

Po vazhdoi kjo hemorragji, do vijnë kombësi jo shqiptare që do të ndryshojnë strukturën e popullsisë, do të ishte humbje për popullin shqiptar. Të rinjtë kanë detyrim ta bëjnë Shqipërinë, më mirë se Zvicra, se hapësira jonë është më e mirë se ajo zvicerane, me pasuri ujore dhe minerare të jashtëzakonshme – shtoi Dervishi.

Shqipëria numëron 661,365 të rinj dhe të reja të grupmoshës 15-29 vjeç përgjatë vitit 2019-2020, duke përfaqësuar kështu një të tretën 23,2 për qind të gjithë popullsisë. Nëpërmjet të dhënave të INSTAT, respektivisht ka 333,435 djem të grupmoshës 15-29 vjeç, kundrejt rreth 327.930 vajza të kësaj grupmoshe.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img