BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookWizz Air ulje të detyruar për emergjencën shëndetësore dhe jo prej defektit

Wizz Air ulje të detyruar për emergjencën shëndetësore dhe jo prej defektit

“Wizz Air” bëri ulje të detyruar në Romë për shkak të një emergjence shëndetësore dhe jo prej problemeve teknike, siç thuhet në portale. Kompania ajrore sqaron për “Faktoje” se çfarë ndodhi në bordin e avionit Tiranë-Lyon më 14 qershor.

Më 14 qershor, portalet publikuan një artikull ku theksonin se kompania ‘Wizz Air’ ka bërë ulje të detyruar në Romë, duke e lidhur këtë me ndonjë problem të mundshëm teknik nga ana e kompanisë së fluturimit.

Panik në ajër, rrëngalla e Wizz Air bën ulje të detyrueshme në Romë”-shkruan portali “Gazeta jonë”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Në artikull nuk jepen detaje të mëtejshme mbi arsyet e këtij incidenti, por thjesht theksohet se “ka shpallur gjendje emergjence gjatë tranzitit mbi Itali”.

Mirëpo, në një postim të bërë në Facebook nga mjeku Erion Dasho bëhet e ditur se gjatë fluturimit me Wizz Air, doktor Petrit Vargu kishte shpëtuar jetën e një pasagjereje.

Në bordin e Wizz Air, Dr. Petrit Vargu shpëton një jetë në mijëra metra lartësi duke bërë që udhëtarja nga sot, të gëzojë një jetë të dytë! Krenar për ty, miku im, dhe për të gjithë bluzat e bardha që shpëtojnë jetë”, shkruan Dasho në Facebook.  

Në komentin e tij në këtë postim, mjeku Vargu sqaron: “Ishin minuta të vështira, në kushtet në të cilat ndodhesha. Më dukej vetja sikur isha në film. Gjithçka shkoi mirë.  Vajza (më saktë një grua rreth të 40-ve) është në Romë jashtë rrezikut për jetën”.

Postimi i Dashos në Facebook dhe përgjigjia e doktor Vargut

Duke marrë shkas nga ky postim, “Faktoje” iu drejtua me një email kompanisë ajrore “Wizz Air”, ku e pyetëm se cilat ishin arsyet e uljes emergjente në Romë. Zyrtarisht kompania bën të ditur se fluturimi Tiranë-Lyon u devijua në Romë për shkak të një emergjence shëndetësore.

“Fluturimi i Wizz Air W4 3889, më 14 qershor 2023 nga Tirana në Lyon u devijua në Romë pasi një pasagjer pësoi një urgjencë mjekësore. Për shkak të privatësisë, nuk ka asnjë informacion në lidhje me pasagjerin apo gjendjen shëndetësore. Ekuipazhi ynë ofroi kujdes urgjent për pasagjerin dhe organizoi ndihmën mjekësore pas mbërritjes në Romë.

Pasi pasagjeri u dërgua në spital, fluturimi vazhdoi për në Lyon pa probleme të mëtejshme. I dërgojmë urimet tona pasagjerit përkatës dhe falënderojmë ekuipazhin tonë për veprimet e shpejta për të ofruar ndihmë.

Edhe pse ngjarja ishte jashtë kontrollit të linjës ajrore, ne u kërkojmë ndjesë të gjithë pasagjerëve për vonesën”, bën të ditur kompania ajrore.

Përgjigjia e Wizz Air për Faktoje

Ndryshe nga çfarë pretendon portali, se “rrëngalla Wizz Air krijoi panik në ajër”, në fakt e gjithë situata erdhi për shkak të një situate shëndetësore dhe jo nga defektet teknike të avionit.

Në përgjigjen e saj, kompania ajrore lë pa përmendur ndihmën e doktor Vargut, duke falenderuar vetëm ekuipazhin e saj për ndërhyrjen. Ne kontaktuam edhe mjekun e njohur për të marrë një version të tij për ngjarjen, por deri në publikimin e lajmit nuk kemi një reagim prej tij.

Shënim:

Data 19 qershor 2023 website Gazeta Jonë e ka korrigjuar tekstin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img