BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitKu do ulen 13 mijë nxënës të shkollave që prishi tërmeti në Durrës?

Ku do ulen 13 mijë nxënës të shkollave që prishi tërmeti në Durrës?

JULIAN HOXHAJ

Tërmeti i 26 nëntorit dëmtoi rëndë thuajse gjysmën e ndërtesave të arsimit parauniversitar në Durrës, sipas të dhënave zyrtare. Mbi 13 mijë nxënës që mësonin në këto shkolla, nuk dinë se ku do sistemohen prej 14 shtatorit, ndërsa  Ministria e Arsimit nuk jep sqarime. Ndërkohë pandemia e Covid-19 kushtëzon zhvillimin e procesit mësimor në masa të rrepta. Sot në Durrës janë në proces rindërtimi/rikonstruksioni vetëm 1/3 e shkollave të planifikuara, të cilat në rastin më të mirë përfundojnë në dhjetor. Gjatë vëzhgimit për “Faktoje”, konstatuam se disa shkolla që presin vendimin e këshillit bashkiak për shembjen, po përgatiten për nisjen e procesit mësimor në mjediset ekzistuese.


Bashkia Durrës, ndër më të prekurat nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, pësoi dëme edhe në institucionet publike, mes të cilave ato arsimore. Territori i bashkisë së Durrësit përfshin 56 kopshte, 46 shkolla 9-vjeçare, 14 shkolla të mesme dhe 2 shkolla profesionale. Faktoje pyeti Bashkinë Durrës nëpërmjet një kërkese zyrtare, për numrin e objekteve të dëmtuara të arsimit parauniversitar dhe ecurinë e procesit të rindërtimit.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës

Bashkia Durrës dha informacion vetëm për disa nga pyetjet e dërguara.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 Bashkia ka në Procesin e Rindërtimit gjithsej 27 institucione arsimore nga të cilat 19 për Rindërtim dhe 8 për Rikonstruksion. Nga 19 objektet për rindërtim, 13 objekte janë demoluar (shembur) dhe për 6 objektet e tjera vazhdon procedura ligjore për marrjen e vendimeve dhe prishjen e tyre.”- shprehet Bashkia Durrës.

Nga objektet arsimore që janë për rindërtim ka filluar puna për rindërtimin e 10 objekteve nga të cilat 5 në qytet, 4 shkolla dhe 1 kopësht dhe 5 shkolla në Njësitë Administrative Ishëm dhe Sukth. Gjithashtu ju informojmë se, nga 8 institucionet arsimore që ka për rikonstruksion ka filluar puna në 4 objekte për të cilat janë lidhur marrëveshje me UNDP në kuadër të projektit BE për shkollat.”-tha bashkia.

Për objektet e tjera, bashkia shprehet se vazhdon intensivisht puna me FSHZH dhe UNDP dhe KFW gjermane, si dhe firmat e përzgjedhura nga procedurat.

Përgjigjja e Bashkisë Durrës

A do të respektohen afatet?

Sipas Bashkisë, përfitues nga procesi i rindërtimit të objekteve arsimore në bashkinë e Durrësit janë 13118 nxënës, çka do të thotë se ky komunitet nuk do mësojë në shkollat përkatëse, derisa të përfundojë procesi i rindërtimit apo rikonstruksionit.

Por cilat janë afatet e përcaktuara për këtë proces dhe kur do kenë mundësinë këta mijëra nxënës të hyjnë në shkollat e reja? Ne pyetëm Ministrinë e Rindërtimit. Në një informacion të dhënë nëpërmjet mesazhit telefonik, zyra për shtyp e kësaj ministrie bëri me dije:

Bashkia Durrës ka 32 shkolla për rindërtim, nga të cilat 11 po ndërtohen nga FSHZH (Fondi Shqiptar i Zhvillimit) me financim të buxhetit të shtetit. Punimet në këto shkolla janë planifikuar të mbyllen në nëntor, fillim dhjetori në ndonjë rast specifik. Pjesa tjetër do të ndërtohet nga donatorët, të cilat po marrin pak më shumë kohë për shkak të procedurave të ndryshme që shtetet donatore ndjekin”-tha zyra për mediat e Ministrit për Rindërtim, Arben Ahmetaj.

Kjo përgjigje rrëzon premtimin e kryeministrit Edi Rama i cili më 30 dhjetor të vitit të kaluar, në një mesazh për qytetarët, përmes rrjetit social Facebook, garantonte:

“Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksionit, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm (të vitit 2020). Në sezonin e ri shkollor 2020-2021, fëmijët e shkollave të rrënuara duhet ta nisin shkollën në shkolla të reja e kushte shumë më të mira se sa ato që kishin përpara tërmetit”.

Foto nga komunikimi publik i Kryeministrit Edi Rama me qytetarët në prag të Vitit të Ri (30 dhjetor 2019).

Teksa nisja e viti të ri shkollor e gjen Durrësin me 0 shkolla të rindërtuara, ndërsa pandemia e Covid-19 kushtëzon marrjen e masave të rrepta për mospërhapjen e virusit, pyetja që shtrohet është se ku do të sistemohen mbi 13 mijë nxënësit “përfitues” të procesit të rindërtimit? Ne pyetëm Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, por deri në ditën e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi një përgjigje.

Kërkesa dërguar Ministrisë së Arsimit lidhur me planin për nxënësit që mësojnë në shkollat e prekura nga tërmeti

Më 17 gusht, ministrja Besa Shahini publikoi një video mesazh drejtuar nxënësve dhe mësuesve ku foli për nisjen e vitit të ri shkollor, situatën e krijuar nga koronavirusi dhe masat që do të merren për nisjen e mësimit në këto kushte. Ajo nuk përmendi se çfarë do bëhet me nxënësit e mbetur pa shkolla nga tërmeti i 26 nëntorit.

Foto nga video mesazhi i ministres Besa Shahini i datës 17 gusht

Këtë shqetësim e ngriti edhe ish-deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma.

“Qeveria nuk ka zgjidhur akoma çështjen e nxënësve dhe mësuesve të shkollave të shembura nga tërmeti i nëntorit të kaluar. Për shkak të mungesës së një plani, qeveria nuk ka përgjigje për programin 6 orësh mësimor. Çfarë do të bëhet me të? i alternuar mes mësimit në klasë dhe online, ngarkesa shkon edhe 12 orë.”- u shpreh Duma.

Çfarë po ndodh me rindërtimin e shkollave, po me ato që s’janë shembur?

Ne udhëtuam në Durrës, për të parë nga afër se në ç’fazë është procesi i rindërtimit/rikontruksionit të atyre shkollave, projektet e të cilave zhvillohen nga FSHZH. Ndalesa e parë ishte në vendin ku më parë ndodhej shkolla “Bedrie Bebeziqi”, pranë qendrës së Durrësit.

Ky objekt ishte ndër të parët që u shemb nga IKMT-ja me vendim të Këshillit Bashkiak, por më shumë se 3 muaj më vonë, puna është ende në fazat fillestare, ashtu siç duket edhe në foto.

Pranë ish-shkollës, takuam një përfaqësues të firmës “Pevlaku” sh.p.k, e cila ka fituar tenderin për ndërtimin.

“Jemi në pritje të daljes së lejes së ndërtimit, e cila po vonon, si dhe të miratimit të projektit të shkollës nga Instituti i Ndërtimit, pasi nëse nuk jep konfirmimin ky institucion, nuk kemi si të nisim nga zbatimi. Ka pasur edhe shumë probleme me shpronësimet, pasi projekti i ri përfshin edhe kopshtin dhe ndaj është marrë nga pjesa tjetër e territorit të shkollës. Nëse këto vazhdojnë kështu, normal që procesi do shtyhet”-tha përfaqësuesi i kompanisë, i pyetur për “Faktoje”, duke kërkuar të mos identifikohet.

Tabela e punimeve në shkollën “Bedrie Bebeziqi” në Durrës

E pyetur për “Faktoje”, Bashkia Durrës mohoi të ketë probleme me lejet e ndërtimit për shkollat në territorin e saj. Edhe kreu i Institutit të Ndërtimit Agron Hysenlliu, konfirmoi për “Faktoje” se ky institucion ka miratuar aktet teknike për to.

“Projektet e të gjitha shkollave janë miratuar. Akt-ekspertizat janë bërë për të gjitha shkollat. Ka qenë prioritet për t`i nxjerrë sa më shpejt, sepse në shtator ose maksimumi në nëntor nxënësit duhet të jenë brenda”- tha Agron Hysenlliu, i cili tregohet optimist kur vjen fjala për përfundimin e procesit brenda afatit.

“Nuk bëhet fjalë fare, ato janë shkolla trekatëshe ose maksimumi katërkatëshe. Ndërtimi i tyre po u përqëndrua siç i ka prokuruar qeveria shqiptare, mbyllet shpejt”-garantoi Hysenlliu.

Kantieri i shkollës “Bedrie Bebeziqi” në Durrës

Për gjimnazin “Gjergj Kastrioti” pritet ende vendimi i Këshillit Bashkiak që t’i hapë rrugë shembjes së objektit, por kur pyetëm sanitaret të cilat ishin rikthyer në punë që në 3 gusht, mësuam se po bëheshin përgatitje për nisjen e procesit mësimor në ndërtesën ekzistuese.

Gjimnazi “Gjergj Kastrioti” në Durrës, ende nuk ka vendim për prishjen e tij

“Na thanë të dalim në punë dhe dolëm, jemi 4 pastruese, nga 1 për çdo kat. Madje 2 kanë ardhur nga shkolla ‘Bedrie Bebeziqi’, pasi ndodhi tërmeti kur nxënësit e kësaj shkolle bënin mësim tek gjimnazi jonë”- tregon një prej sanitareve, e cila refuzon te fotografohet dhe identifikohet, pasi rrezikon vendin e punës. Ajo rrëfen se pas tërmetit të 26 nëntorit shkolla ka pasur rikonstruksione të vogla dhe gjendja e saj nuk mund të shihet me sy të lirë.

Një tjetër shkollë që pret vendimin e këshillit bashkiak për shembje, po diskuton nisjen e vitit shkollor në ndërtesën ekzistuese. Ngrehina e shkollës së mesme sportive “Benardina Qeraxhia” pranë stadiumit “Niko Dovana” ndodhet në mes të një blloku pallatesh.

“Kemi dëgjuar një sërë versionesh, jo do prishet, jo do rikonstruktohet, por diçka përfundimtare nuk na kanë komunikuar, ndërkohë që ne po bëhemi gati për sezonin e ri”- thotë roja i shkollës për “Faktoje”.

Shkolla e mesme sportive “Benardina Qeraxhia”

Pak kilometra më larg ndodhet gjimnazi “Naim Frashëri”, me kapacitet 800 nxënës. Përpara shkollës, takojmë drejtoreshën, znj. Alda Fico e cila na sqaron se deri më tani ende nuk është marrë vendim nga këshilli bashkiak.

“Unë kam pak muaj që jam në krye të këtij gjimnazi si drejtuese, por jam edhe anëtare e këshillit bashkiak dhe di që nuk ka kaluar ende në këshill emri i kësaj shkolle për t’iu nënshtruar më pas prishjes. Në momentin që do të merret vendimi për prishje do të shihen edhe mundësitë reale për menaxhimin e nxënësve dhe ku do të pozicionohen” – tha Fico për “Faktoje”.

Edhe pse ende diskutohet për shembjen, në mjediset ekzistuese të shkollës bëhen përgatitje për nisjen e vitit të ri shkollor më 14 shtator, sipas vendimit të fundit të qeverisë.

Në zonën e ish-Kënetës, një tjetër lagje me pasoja të rënda nga tërmeti, në jetë njerëzish dhe dëme, pamë se për shkollën 9-vjeçare “Qemal Mici” ende nuk janë hedhur themelet. Afati i përfundimit të punimeve është parashikuar 147 ditë kalendarike, që do të thotë se shkolla dhe kopshti me të njëjtin emër duhet të përfundojnë në dhjetor të 2020-s.

Kantieri i shkollës “Qemal Mici” në Durrës, në zonën e ish-kënetës

Pranë komisariatit të policisë Durrës ndodhet shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi” për të cilën Bashkia Durrës ende nuk ka marrë vendim nëse do shembet, duke e zvarritur procesin e rindërtimit. Shkollën e gjetëm të kyçur, sikurse duket edhe në fotot e shkrepura për “Faktoje”.

Ndërkohë në shkollën 9 vjeçare “Neim Babameto”, vijon procesi i ndërtimit. Sipas punëtorëve me të cilët biseduam, kjo shkollë pritet të mbarojë në dhjetor 2020, sipas afatit të përcaktuar në projekt.

Vëzhgimin në terren e përfunduam në shkollën 9-vjeçare “Shaqe Mazreku”, e cila ndodhet pranë Sheshit “Pranvera” në Durrës. Ndër të gjitha shkollat që vëzhguam, ishte e vetmja që kishte ecur me ritme optimale për të përfunduar në muajt e fundit të 2020-s.

Shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku”

Sipas raportit të qeverisë të përgatitur në bashkëpunim me Bashkimin Europian për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe të publikuar në mes të shkurtit thuhet:

“Rreth 99% e shkollave të dëmtuara janë në sektorin publik. Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit kanë pjesën më të lartë të institucioneve arsimore të dëmtuara, ku 64% dhe 13% e të gjitha institucioneve të prekura janë të vendosura, përkatësisht në këto zona. Ajo që vlen të theksohet është fakti se tre të katërtat e institucioneve arsimore plotësisht dhe pjesërisht të shkatërruara u ndërtuan para viteve ‘90.

Vlera e dëmeve në sektorin e arsimit, sipas raportit te përgatitur nga BE dhe qeveria shqiptare

Ministria e Arsimit ka përllogaritur se “vlera e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në këtë sektor është 64 milionë euro. Vlera e humbjes së orëve të mësimit dhe trajnimeve të ndryshme, që është dashur të bëhen me psikologë e mësues, transporti i nxënësve drejt shkollave pritëse, llogaritet në 9 milionë euro”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img