BallinaAnkesa dhe KorrigjimeBraktisja e shkollës, problemi me “efekt të ngadaltë” por me pasoja të rënda për vendin

Braktisja e shkollës, problemi me “efekt të ngadaltë” por me pasoja të rënda për vendin

Gati 17 mijë nxënës, vetëm nga arsimi 9-vjeçar kanë braktisur shkollën në dekadën e fundit, sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit. Kushtet e vështira ekonomike, emigrimi, martesa e vajzave në moshë të re dhe mentaliteti patriarkal, janë disa nga arsyet e këtij fenomeni. Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Unicef, raportojnë se numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën gjatë këtij dhjetëvjeçari, është 2-fishi i atyre që pohon Ministria e Arsimit.


M.L., nga Puka, ishte nxënës në klasën e shtatë kur braktisi shkollën pasi bashkë me prindërit për arsye se prindërit e tij u larguan nga vendi drejt Italisë. Kushtet e vështira ekonomike ishin arsyeja kryesore që e shtyu familjen e 13-vjeçarit, të largohej nga vendi.

G.A., ishte 15 vjeç, nxënës në klasën e tetë në shkollën “Mustafa Hoxha” në Fier, i cili braktisi shkollën për t’u larguar drejt Greqisë. Ai, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tij duhej të largohej për t’i siguruar të ardhura familjes siç i ati i tij kishte bërë më parë, se tek e fundit “shkolla nuk të çonte gjëkundi”.

Sipas raportimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, 16,697 nxënës nga arsimi i detyruar në vend kanë braktisur shkollën në 10 vitet e fundit (2010-2019).

Numri i nxënësve që braktisën shkollat 9-vjeçare, burimi: MASR

Pas një kërkese për informacion nga Faktoje, Ministria e Arsimit raportoi se në dy vitet e fundit (2018-2019), rezulton se 1949 nxënës kanë braktisur shkollën. *

Sipas të dhënave nga ky institucion, në arsimin 9-vjeçar gjatë viti 2019 e nisën sezonin e ri shkollor 306 mijë nxënës. Numri i nxënësve në këtë cikël është 13 mijë më pak se në vitin shkollor paraardhës. Ndërsa në krahasim me fillimin e tranzicionit (vitin ’92) janë rreth 200 mijë nxënës më pak.

Shifrat e Ministrisë së Arsimit sa gjysma e atyre që raporton OBSH dhe Unicef:

Shifrat e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Unicef, që mbledhin statistika për arsimin dhe kulturën në mbarë botën, raportojnë të dhëna që janë dy herë më të larta se statistikat e Ministrisë së Arsimit, kur vjen fjala tek fenomeni i braktisjes së shkollës.

OBSH përllogarit që në vitin 2016 e braktisën shkollën 3988 nxënës përkundër 1767 nxënësve të raportuar nga Ministria e Arsimit, Ministria e Arsimit raporton se në vitin shkollor 2017-2018 e braktisën shkollën 1540 nxënës, OBSH raporton se ishin 4085 nxënës që braktisën arsimin e detyruar përgjatë 2018-s.

Edhe në kërkesën për informacion të dërguar nga “Faktoje”, MASR raporton se në dy vitet e fundit janë 1949 nxënës që kanë braktisur shkollën në qaqet, Lezhë, Fier, Korçë dhe Durrës.

Screenshot nga përgjigja e MASR

Braktisja e shkollës nga nxënësit është e dënueshme me masë administrative për prindërit e tyre:

Kur nxënësit e moshës 6 deri 16 vjeç, të cilët i përfshin detyrimi shkollor, mungojnë pa arsye në shkollë ose e braktisin atë, prindërit e tyre ndëshkohen për kundërvajtje administrative me gjobë nga 1000 deri në 10000 lekë”, shkruhet në nenin 59 të ligjit “Për sistemin arsimor parauniveristar”.

UNICEF, në një udhëzues për Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë, rendit një sërë shkaqesh që lidhen me braktisjen e shkollës.

Mund të evidentojmë një sërë shkaqesh e faktorësh që i pengojnë fëmijët të regjistrohen në shkollë. Disa prej tyre janë: gjendja e rëndë ekonomike; probleme shëndetësore dhe aftësia e kufizuar; niveli i ulët arsimor i prindërve; largësia e shkollave nga qendrat e banuara; emigracioni i prindërve; lëvizjet demografike të popullsisë; mentaliteti; gjakmarrja; probleme sociale; shfrytëzimi i fëmijëve për punë brenda e jashtë familjes; papërgjegjshmëria e mësuesve dhe e drejtuesve të shkollave; puna e pakualifikuar dhe e pamjaftueshme me prindërit për të regjistruar fëmijët në shkollë – thuhet në udhëzuesin e UNICEF.

Manuali i UNICEF thekson se braktisja e shkollës nga fëmijët është një “gropë” që shkakton probleme në të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Edhe tkurrja e popullsisë po ndikon drejtpërsëdrejti në sektorin e arsimit në vend, pasi çdo vit që kalon shkollat janë duke u përballur me sfidën e uljes së numrit të nxënësve dhe për rrjedhojë, edhe mbylljen e shumë klasave.


Lexo dhe: Largimet nga Shqipëria e kanë pakësuar popullsinë me 1/3

**Korrigjim: Në artikullin e publikuar në datë 23.07.2020 kemi shkruar: “Në fakt minstria jep shifrën për 4 qarqe të vendit duke lënë të paqartë situatën për qarqet e tjera që nuk mund t’i kenë shpëtuar fenomenit të braktisjes së shkollës“.

Të dhënat e MASR për 4 Drejtorite Arsimore Rajonale japin informacionin e plotë pasi të gjitha qarqet janë të përfshira në këto drejtori rajonale pas ristrukturimit në vitin 2019.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img