BallinaFaktometerPa kategoriKushi: Kemi vendosur 144 oficerë sigurie në shkolla

Kushi: Kemi vendosur 144 oficerë sigurie në shkolla

Në 150 institucione të arsimit parauniversitar është vendosur nga një oficer sigurie, që shërben si këshillues për të rinjtë në mënyrë që t’i shmangen rrugës së krimit apo dhunës. Më 13 tetor Ministrja e Arsimit, Evis Kushi dekaroi se oficerët do të referojnë rastet e nxënësve problematikë, një mënyrë kjo për të garantuar sigurinë në gjimnaze. Nga një verifikim që bëri në terren, Faktoje mësoi se oficerët e sigurisë janë persona civilë, të cilët qëndrojnë në shkolla 30 orë në javë, duke monitoruar perimetrin brenda dhe jashtë mjedisit të institucionit arsimor ku janë caktuar. Por, sociologia Entela Binjaku thotë se deri më tani nuk kemi parë raporte që flasin për rendimentin e kësaj strukture, teksa shton se problemet nisin që në 9-vjeçare.

………………………

“Kemi 144 oficerë sigurie. Gjithashtu është lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme dhe ka një bashkëpunim të ngushtë më stafin në shkollë. Shpesh rastet që janë problematike i referohen oficerit të sigurisë nga punonjësit psiko-social. pra kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe rastet e nxënësve që mund të jenë problematike i referohen punonjësit psiko-social për të parandaluar më tej ngjarje shqetësuese në shkollë”- tha Kushi në 13 tetor.

Pas kësaj deklarate të ministres, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar për këtë nisme të re të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me atë të Brendshme.

Zyrtarisht na u bë e ditur se në gjimnaze janë vendosur 150 oficerë sigurie dhe qëllimi i tyre është ofrimi i sigurisë në këto institucione.

“Me Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 600, datë 9.10.2018 Për miratimin e shërbimit të sigurisë publike në 150 institucione të arsimit parauniversitar dhe të kritereve për oficerët e sigurisë, Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë Për Oficerët e Sigurisë në Shkollat Publike, si dhe urdhrit nr. 531, datë 14.09.2018 të MASR Për ngritjen e zyrës së koordinimit dhe monitorimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme për oficerët e sigurisë në shkollat publike, janë vendosur 150 oficerë sigurie për të ofruar sigurinë në shkollë”-sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar.

Sipas DPAP, këta oficerë qëndrojnë 30 orë në javë në mjediset e shkollës dhe janë të vendosur në 150 institucione të arsimit parauniversitar përkatësisht në arsimin e mesëm të lartë.

Gjimnazi “Ismail Qemali” në Tiranë, tetor 2021

“Në zbatim te Urdhrit nr.31, date 28.01.2020 Për miratimin e rregullores për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare në Republikën e Shqipërisë, neni 59, edhe oficerët e sigurisë, ashtu si mësuesit paraqiten në shkollë 15 minuta para fillimit të mësimit dhe qëndrojnë 30 orë në javë  në mjediset e shkollës ose të tjera për të kryer veprimtaritë e planifikuara mësimore dhe jo mësimore” – bën të ditur DPAP për Faktoje.

Por, cili është konkretisht roli i oficerëve në shkolla:

Oficeri i sigurisë ka një rol të rëndësishëm për krijimin e një mjedisi të sigurt, përmes ndërtimit të marrëdhënieve të forta e të qëndrueshme me nxënësit, stafin e shkollës, prindërit dhe komunitetin.

Oficeri i sigurisë: Monitoron mjedisin e shkollës në mënyrë të vazhdueshme, rreth situatave të dyshimta, hyrjes së personave të paautorizuar apo cënimit të pronës së shkollës. Ofron një prani të dukshme dhe të aksesueshme brenda shkollave dhe më gjerë në komunitet.

Punon me shkollat për përmirësimin e nivelit të ndërgjegjësimit për problematika si: përdorimi i drogës, bullizmi, siguria në internet, pasoja e dhunës dhe krimit. Parandalon dhe menaxhon rastet emergjente dhe të dhunës në shkollë. Bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese dhe shërben si ndërlidhës mes Policisë së Shtetit dhe komunitetit, me qëllim parandalimin e veprave kriminale.

Evidenton situatat e parregullta të rendit dhe të sigurisë publike, brenda dhe jashtë perimetrit të shkollës, dhe njofton oficerin e policimit në komunitet, etj”.

Faktoje ishte në gjimnazin “Asim Vokshi” në kryeqytet për të verifikuar nëse ishin vendosur oficerët e sigurisë ashtu siç u deklarua nga ministrja. Ne takuam oficerin e sigurisë së këtij institucioni, i cili na tregoi për detyrat që kishte.

Oficeri, i cili nuk pranoi të identifikohej theksoi se roli i tyre është të jenë këshillues për të rinjtë.

Gjimnazi “Asim Vokshi” në Tiranë, tetor 2021

“Jemi në 150 institucione. Nuk ka lidhje me policinë e shtetit. Ne jemi urë ndërlidhëse midis institucionit arsimor me institucionet e jashtme. Ne jemi formë këshillimi, nuk jemi me uniformë, nuk jemi policë. Ne rrimë në shkolla nga ora 7:30 deri në 15 e 30.

Diskutojmë tema nga më të ndryshme me nxënësit, pasi ka një plan pune të përcaktuar. Bëjmë edhe trajtime te qendrat tona, pasi kemi qendra koordinimi që janë nga ZVA dhe mund të bëjë edhe ministria. Ne jemi vetëm për gjimnazet dhe ato shkolla që janë të bashkuara.

Gjimnazi “Asim Vokshi” në Tiranë, tetor 2021

Shkollat me më shumë se 300 nxënës mund të pajisen me oficerë sigurie”- tha oficeri i sigurisë për Faktoje.

Ne pyetëm sociologen, Entela Binjaku sesa i zgjidh problemet e nxënësve në shkolla prania e oficerëve të sigurisë. Ajo sqaroi se deri më tani nuk ka raporte që tregojnë për rendimentin dhe efektshmërinë e kësaj strukture në shkolla.

“Oficerët e sigurisë në dijeninë time janë shtuar në organigramën e shtetit shqiptar vitet e fundit duke nisur si projekt që po pilotohej në disa shkolla të vendit. Që nga nisja e punës e deri sot nuk kemi parë raporte që flasin për rendimentin e kësaj strukture, a ka ndryshuar panorama e mbarëvajtjeve të punëve në shkollën ku janë përfshirë, çfarë ndryshimet cilësore ka pësuar shkolla dhe komuniteti i lidhur me të etj.

Oficerët e Sigurisë shpesh janë përballur me problematika që në gjimnaze vijnë të mbartura nga 9-vjeçarja. Pra për të parandaluar punën në gjimnaze, më nxënësit duhet të nisë që në 9-vjeçare”, u shpreh Binjaku.

Çfarë mendon sociologia e njohur që është e nevojshme në gjimnaze për të frenuar fenomenet negative si droga, dhuna, bullizmi:

“Shpesh mësuesit janë të paaftë të përballen me situatat në shkollë që kanë në qendër dhunën fizike dhe psikologjike të nxënësve me njeri-tjetrin, përbuzjen, shpërfilljen, vënien në lojë, talljen etj. dhe si të tillë puna e oficerëve e plotëson disi këtë aspekt.

Mendoj se masat disiplinore, respektimi i disiplinës, kryerja e secilit e detyrave që kanë e jo t´u bëjnë bisht apo të vetëmjaftohen, trajtimi me seriozitet i roleve nga secila hallkë që lidhet me jetën shkollore: pra bordi i prindërve, komiteti i prindërve, drejtoria, mësuesit e lëndës dhe mësuesit kujdestarë, psikologu e deri tek ai oficeri i rendit që rri tek dyert e shkollës.

Problemet e fëmjëve si nxënës janë të panumërta. Varfëria, dëshirat e shtypura prej varfërisë, familje që kanë humbur funksionet, fëmijë apo të rinj që  vijnë nga emigrimi e kanë vështirësi të integrohen apo që kanë prindërit emigrantë dhe rriten pa ta”.

Një studim i kryer nga Unicef në vitin 2019 tregonte se në Shqipëri, prevalenca e nxënësve që kanë raportuar se janë dhunuar ishte 19.9%, rreth 22.6% tek djemtë dhe 17.3% tek vajzat. Shifrat ishin më të larta te 11-vjecarët, ku sipas raportit rreth 23.8% pranonin se kishin përjetuar bullizmin apo dhunën në shkollë në një nga format e tij, ndërsa te 13-vjeçarët ku raport ishte 20%. Te nxënësit e moshës 15 vjeç, prevalenca e të dhunuarve ishte 16.1%.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img