BallinaPertejPikëpyetjet mbi depozitimin e mbetjeve inerte pa pagesë në Landfillin e Sharrës

Pikëpyetjet mbi depozitimin e mbetjeve inerte pa pagesë në Landfillin e Sharrës

Një verifikim i Faktoje për depozitimin e mbetjeve inerte të Bashkisë Durrës, por edhe Tiranë, tregoi se ky proces po kryhet në formën e ‘bamirësisë’ nga landfilli i Sharrës. Mbi këtë çështje janë ngritur shumë pikëpyetje, që nga përgjigjet kontradiktore të bashkisë Durrës për venddepozitimin e inerteve e deri tek kapacitetet dhe pranimi nga ky landfill pa pagesë i tonelatave me mbetje inerte, që u shumëfishuan pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.


Gjatë verifikimeve për situatën e menaxhimit të plehrave në bashkinë Durrës, sidomos pas mbylljes së vendgrumbullimit të Porto Romanos, në janar 2020, Faktoje u interesua se si po menaxhoheshin mbetjet inerte në këtë bashki.

Dihet që Durrësi ishte një nga zonat me dëmtimet më të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pastrimi i interteve u zvarrit përtej premtimeve të zyrtarëve.

Faktoje, në vijim të interesimit për zgjidhjen e krizës së mbetjeve kërkoi të dinte nga Bashkia Durrës se ku po depozitoheshin mbetjet inerte. Sipas përgjigjes zyrtare të këtij institucioni më 8 Shtator, depozitimi i mbetjeve inerte do të paguhej nga prodhuesi që i gjeneron dhe kjo tipologji mbetjesh nuk klasifikohet në llojin e mbetjeve për të cilat do të nënshkruhej kontrata me Landfillin e Sharrës.

Përgjigja e Bashkisë Durrës, datë 8 Shtator 2021

Faktoje dërgoi një tjetër kërkesë për informacion në Bashkisë Durrës se ku janë depozituar mbetjet inerte dhe çfarë sasie ishte gjeneruar këto vitet e fundit. Sipas  përgjigjes së këtij institucioni, përgjatë viteve 2015-2020 janë prodhuar rreth 23.300 tonë mbetje inerte, mesatarisht rreth 3880 ton/vit.

Pas tërmetit të vitit 2019, sasia e mbetjve inerte të krijuara ishte jashtë parashikimeve, ndërkohë që ka ende ndërtesa të shpallura të pabanueshme dhe që priten të shemben.

Kërkesa drejtuar Bashkisë Durrës, Tetor 2021

Bazuar në përgjigjen zyrtare të radhës, Bashkia Durrës pranon se ka nënshkruar një kontratë me një subjekt privat (4-AM) për heqjen dhe evadimin e inerteve të gjeneruara nga prishjet e pallateve, shkollave dhe qendrave shëndetësore nga tërmeti i 26-nëntorit.

Përgjigja e Bashkisë Durrës, 15 Tetor 2021.

Faktoje e zotëron kontratën e firmosur mes Bashkisë Durrës dhe shoqërisë 4-AM sh.p.k, e cila shkon në vlerën e 74.107.360 (shtatëdhjetë e katër milion e njëqind shtatë dhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë lekë). Bazuar në këtë kontratë tregohet se mbetjet inerte depozitohen në Landfillin e Sharrës pa pagesë, ndryshe nga çfarë thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Durrës me datë 8 Shtator 2021.

Screenshot nga kontrata e nënshkruar mes Bashkisë Durrës dhe Shoqërisë 4- AM sh.p.k

Duke u mbështetur tek dy përgjigjet zyrtare të këtij institucioni, Bashkia Durrës rezulton me dy qëndrime kontradiktore. Përgjigjja e datës 8 Shtator tregon se inertet nuk depozitohen në Sharrë, ndërsa përgjigjja tjetër, konfirmon depozitimin e tyre në landfillin e Sharrës dhe pa pagesë.

Për transparencë, ne pyetëm Landfillin e Sharrës nëse e ka kapacitetin për depozitimin e mbetjeve inerte dhe nëse ato i nënshtrohn ndonjë procesi përpunimi. Deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi një përgjigje.

Kërkesa dërguar Landfillit të Sharrës në 25 tetor 2021

Më herët, në një komunikim zyrtar të datës 4 Shtator, Landfilli i Sharrës na komunikoi se kompania e tyre është shoqëri tregtare, e cila kryen aktivitet privat dhe nuk përfaqëson një institucion publik e për këtë arsye nuk kanë asnjë detyrim ligjor të na përgjigjet.

“Formati në të cilin keni dërguar pyetjet është i përshtatshëm për Institucionet Shtetërore. Shoqëria jonë është shoqëri tregtare, e cila kryen aktivitet privat dhe nuk përfaqëson një institucion publik.”- thuhej në përgjigjen e datës 4 Shtator.

Mungesa e përgjigjeve për kërkesat zyratare ka lënë të pasqaruar dhe pa transparencë procesin e depozitimit dhe përpunimit të mbetjeve inerte, që prej mbylljes së vendgrumbullimit të Portoromanos. Nga ana tjetër, thuajse në çdo bashki të prekur nga dëmet e tërmetit të 26 nëntorit, ka ende objekte të pashembura, inertet e të cilave nuk dihet se ku dhe nën ç’kritere do të depozitohen.

Ndërkohë nga një komunikim që Faktoje pati me Bashkinë e Tiranës rezulton që mbetjet inerte të këtij qarku depozitohen në Landfillin e Sharrës, venddepozitim ky i përcaktuar me kontratën e konçesionit të lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe Shoqërisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k.

Sipas përgjigjes zyrtare të Bashkisë Tiranë, institucioni mbulon kostot e mbetjeve inerte të grumbulluara nga pastrimi i qytetit si dhe nga investimet e kryera prej saj. Mbetjet inerte të prodhuara nga procesi i rindërtimit mbulohen në kuadër të ndihmës për përballimin e pasojave të tërmetit nga Shoqëria “Integrated Energy BV SPV.

Përgjigja e Bashkisë Tiranë, datë 19 Tetor 2021.

Mbetet e paqartë se sa janë kapacitetet e Landfillit të Sharrës për të pranuar  mbetjet organike dhe inerte, për të cilat Faktoje i ka dërguar një kërkesë për informacion edhe  Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë e Mbrojtjes.

Ndërkohë, eksperti i ekonomisë Azmi Stringa jep këtë opinion mbi çështjen:

“Pra depozitimi bëhet në Sharrë. Jo në Porto-Romano siç thotë VKM. Ky depozitim bëhet pa pagesë, si bamirësi e Inceneratorit. Kjo duhet të dalë sipas ligjit tek lista e donatorëve, siç kemi rastin e turqve që janë në listën e donatorëve.”

Vendim i datës 16 dhjetor 2019 që tregon se mbetjet inerte të tërmetit të 26 nëntorit duhet të depozitohen në Porto-Romano

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img