BallinaFaktometerPa kategoriDekadën e fundit, dhuna në familje u rrit mesatarisht me 500 raste çdo vit

Dekadën e fundit, dhuna në familje u rrit mesatarisht me 500 raste çdo vit

ANXHELA RUÇI

Nga verifikimi i një deklarate të deputetes Rudina Hajdari mbi dhunën në familje, “Faktoje” konstatoi se fenomeni po njeh një trend të frikshëm rritës. Fakti që viti i kaluar shënoi puthuajse 5000 raste të dhunës në familje është një paralajmërim për situatën ku ndodhet shoqëria.

———————————————————————————————————————————————————–

25 nëntori është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si “Dita kundër dhunës ndaj grave”.

Ky fenomen është më i pranishëm në familje ndaj dhe prej vitit 2006 në Shqipëri është miratuar ligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Ndërsa prej 2012-s dhuna në familje konsiderohet vepër penale.

Pavarësisht nismave për ashpërsim të masave apo ligjeve, dhuna në familje shënon një rritje të shifrave nga viti në vit.

Ky problem është artikuluar edhe në Kuvendin e Shqipërisë dhe “Faktoje” vendosi të verifikojë deklaratën e deputetes së Partisë Demokratike Rudina Hajdari e cila tha: “Dhuna dhe krimi në familje është më i lartë se kurrë në këto 20 vite.”

Gjatë shqyrtimit të deklaratës së Hajdarit, hasëm në mungesë të dhënash, pasi Policia e Shtetit nuk ka statistika 20-vjeçare të dhunës në familje. Sipas këtij institucioni të dhënat për dhunën në familje datojnë që nga 2008-a, vit që ka hyrë në fuqi ligji “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Pasi morëm këtë informacion, ne pyetëm deputeten Rudina Hajdari se nga cili burim kishte siguruar të dhënat për fenomenin prej vitit 1999, por prej saj nuk kemi marrë ende një përgjigje.

Pavarësisht kësaj, “Faktoje” bëri një analizë të të dhënave zyrtare që ofron policia gjatë këtyre 11 viteve të fundit.

Nga këto shifra rezulton se viti kur dhuna në familje ka shënuar kulmin, është 2018-a. Gjatë këtij viti, në Shqipëri janë evidentuar 4951 raste dhune në familje, ose një mesatare prej të paktën 13 rastesh çdo ditë. Viti me numrin më të ulët të dhunës në familje është 2008-a me 822 raste.

Dhuna në familje, fenomeni që njeh vetëm rritje

Edhe pse që prej vitit 2012 dhuna në familje dënohet nga 2-5 vite burgim, kjo nuk i ka ndalur dhunuesit që vetëm shtohen vazhdimisht. Prej vitit 2008 deri në 2018-n, statistikat tregojnë se çdo vit numri i rasteve të dhunës në familje është rritur mesatarisht me 500 raste. Përjashtim bën viti 2015, ku krahasuar me vitin paraardhës (2014) ka 255 raste më pak.

Sipas të dhënave të Institutit të statistikave gjatë periudhës 2013-2018 janë regjistruar 118 të vdekur nga dhuna në familje, mesatarisht 20 viktima çdo vit vetëm si rezultat i këtij fenomeni.

Tirana dhe Durrësi janë qarqet që kanë shënuar ndër vite rastet më të larta të dhunës, ndërsa qarku Kukës dhe Dibër numrin më të ulët, gjithnjë duke iu referuar të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img