BallinaPertejEdhe sa mund të mbajnë urat në Shqipëri, flasin institucionet dhe ekspertët

Edhe sa mund të mbajnë urat në Shqipëri, flasin institucionet dhe ekspertët

MERXHAN DACI & ALESJA MANSAKU

Në 1 dhjetor të vitit 2017, nga vërshimet e lumit Drojë u shemb ura e Drojës që lidh Bashkinë Kurbin me Bashkinë e Krujës. Asokohe u raportua se shembja erdhi edhe nga amortizimi që ura kishte pasur ndër vite. Ky është vetëm një nga shembujt që tregon sesa problematike janë urat në Shqipëri.

Kohët e fundit Autoriteti Rrugor Shqiptar nisi një fushatë me qëllim identifikimin e urave me probleme për të evituar kështu amortizimin e mëtejshëm apo shembjen e tyre.

Faktoje pyeti ARRSH-në për këtë aksion dhe nëse janë monitoruar të gjithë urat në vend dhe ky institucion u përgjigj se ka lidhur kontrata për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor që administron, ku përfshihet edhe mirëmbajtja e urave dhe gjithë veprave të artit. Pra janë kompanitë e kontraktuara ato që i monitorojnë urat.

Sipërmarrësi ka detyrim kontraktual të kontrollojë gjendjen e urave dhe mirëmbajtjen. Çdo 6 muaj bën verifikimin dhe raportimin e gjendjes faktike të urave”, tha ARRSH.

Faktoje u interesua më tej se cilat prej këtyre urave janë më të rrezikuarat, ku ndodhen ato dhe kur pritet të ndërhyhet.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lidhur kontratën me objekt “Studim Projektim” për urat e mëposhtme:

  • Ura e Leklit
  • Ura e Dragotit
  • Ura e Vorës
  • Ura e Tapizës
  • Ura e Zëmblakut
  • Rikonstruksion i Urës së Kaludhit
  • Nyja në disnivel Bushnesh
  • Ura e Dragotit, Tepelenë
  • Ura auto-hekurudhore mbi lumin Shkumbin

Kriteret që ARRSH ka vendosur që një urë të quhet e rrezikshme janë:

  • Çarje të mureve anësore
  • Lëvizje dhe dëmtime të rënda të ballinave
  • Spostime të theksuara te bazamenteve ku jane vendosur themelet
  • Pjesa kaluese me gropëzime të shumta
  • Mungesa e parapeteve mbrojtës anësore
  • Mungesa e trotuarëve
  • Pa sinjalistikë
  • Probleme që lidhen me periudhën e gjatë të shfrytëzimit ( vjetërsia e urës)

Arben Meçe, ekspert i transportit, ish-drejtor i ARRSH thotë për Faktoje se urat në Shqipëri kanë nevojë për një restaurim të plotë.

Janë ura të cilat po bëjnë gjysëm shekulli që janë ndërtuar dhe kanë nevojë për një rikunicion të plotë. Është momenti kur ato kanë mbushur jetën e tyre të projektimit çka do të thotë që duhen futur në një sistem shtetëror kontrolli”, tha ai.

Sipas Meçes, e rëndësishme është që shteti shqiptar të fillojë projektet e veta, të ndërtojë strategji për të futur në kontroll urat që kemi tani dhe për të ndërtuar një program të posacëm buxhetor për rikuperimin, restaurimin, ndoshta dhe rindërtimin e tyre nga fillimi.

Meçe e ka një shpjegim për urat që kanë rënë gjatë përmbytjeve të viteve të fundit.

Janë ura që janë ndërtuar kohët e fundit. Shkaku kryesor i tyre është dëmtimi në themel si rrjedhim i llogaritjeve jo të qarta hidrologjike. Urat që bien janë prodhim i inxhinierëve të cilët faktorin hidrologjik e nxjerrin jashtë skeme. Por tek urat faktori hidrologjik është shumë i rëndësishëm”, tha Meçe.

Siguria e urës për mua ka vetëm një kusht, të shmangen maksimalisht ngarkesat e rënda, makineritë mbi 40 apo 60 ton e sipër derisa të bëhen kontrollet inxhinierike”.

Por a janë njoftuar të gjithë qytetarët se ku ndodhen këto ura të rrezikshme në mënyrë që të shmangen fatalitetet? Për këtë pyetje ARRSH tha për ‘’Faktoje’’ se për urat me rrezikshmëri vendoset sinjalistika e domosdoshme për shmangien e rrezikut dhe bëhet njoftimi në shtyp dhe në rrjetet sociale.

Edhe në vendet afër nesh, rastet kur urat janë shembur dhe kanë shkaktuar viktima nuk kanë qenë të pakta. Mjaft të përmendim rastin e fundit të Italisë fqinje.

Në 14 gusht të vitit 2018 u rrëzua ura Morandi, që lidhte Genovën perëndimore me Ligurian. Si pasojë humbën jetën 43 persona, mes të cilëve 2 shqiptarë. Ura ishte ndërtuar në vitin 1960.

30 Autovetura dhe 3 kamionë u bënë pjesë e aksidentit. Rënia e një pjese të urës Morandi dhe vdekja e personave që po kalonin aty me automjete, çuan në një debat të ashpër në Itali rreth infrastrukturës së vendit.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img