BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashAsnjë konfirmim për urdhërin e Putin për hapjen e luftës në Kosovë

Asnjë konfirmim për urdhërin e Putin për hapjen e luftës në Kosovë

Lajmi për një urdhër të Putin ndaj Vuçiç për hapjen e një fronti të ri lufte në Kosovë, i publikuar nga portalet në shqip, është një aludim apo opinion personal dhe nuk ka asnjë element që të vërtetojë këtë pretendim.

———————————————-

Siguria në veri të Kosovës mbetet e brishtë për shkak të incidenteve të krijuara nga grupe të caktuara të minoritetit serb në Jarinjë dhe Bërnjakë, por portali Janina Televizion ka shkuar edhe më tej duke publikuar më 12 dhjetor një lajm që pretendon se vetë Vladimit Putin ka kërkuar që të hapet një front lufte.

“Presidenti i Federatës Ruse V. Putin i kërkoi Presidentit Serb A. Vuçiç të hapë një front lufte në Kosovë që Perëndimi të merret me konflikte brenda territorit të saj dhe të heqin vëmëndjen nga Ukraina, por Aleksander Vuçiç si pragmatist që është e di që Europa do ta djegë Serbinë dhe nuk e fal më.” Me këtë fjali hapet lajmi i fundit i portalit, që nuk citon asnjë burim të mëtejshëm për këtë alarm që lëshon.

Screenshot nga profili i Janina Televizion në Facebook

Për ta bërë sa më të besueshme retorikën e një luftë të mundshme në Kosovë, portali e shoqëron lajmin me një fotografi të dy presidentëve në një takim kokë më kokë.

Sipas verifikimit të Faktoje, imazhi i përdorur është riciklim nga takimi i 20 qershorit të 2020 mes Vuçiç dhe Putin në Moskë, pak para takimit që Kosova dhe Serbia zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e Richard Grenell.

Ky është rasti tipik i dizinformimit të publikut dhe përhapjes së panikut përmes opinioneve të sjella në formë “lajmi të fundit”, në përpjekje për të marrë sa më shumë klikime, duke përfituar nga interesi i lartë i lexuesve për situatën e brishtë në veri të Kosovës.

Vetëm një ditë pas publikimit, lajmi është shpërndarë 18 herë dhe ka disa komente. Mes tyre bie në sy reagimi i një qytetari nga Prishtina që nuk ka rënë pre e lajmit të rremë dhe komenton ndër të tjera: “S’ju beso kush, na krypt rrena”.

Raportimet e fundit nga Kosova tregojnë se situata në veri vijon të mbetet e tensionuar dhe është duke u vëzhguar me kujdes nga partnerët ndërkombëtarë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img