BallinaPertejÇfarë masash morën burgjet pas shpërthimit të pandemisë "Covid-19"?

Çfarë masash morën burgjet pas shpërthimit të pandemisë “Covid-19”?

Shpërthimi i pandemisë “Covid-19”, bëri që Ministria e Shëndetësisë të kërkojë marrjen e masave edhe për sistemin e burgjeve. Shtimi i kapaciteteve mjekësore si dhe rritja e masave higjeno-sanitare ishte ndër kërkesat kryesore. Por, disa organizata për të drejtat e njeriut dhe sindikata e punonjësve të policisë ankohen për kushtet aktuale në burgje.


Marrja e masave në kuadër të mbrojtjes ndaj përhapjes së koronavirusit “Covid-19”, sipas rekomandimeve të OBSH-së, sjell kufizimin e të drejtave të shtetasve të privuar nga liria. Disa nga të drejtat sipas Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat kufizohen në kuadër të këtyre masave janë e drejta e ajrimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve, e garantuar në nenin 32 të ligjit për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve, takimi me familjen si dhe të afërm.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në një reagim të datës 24 mars raportoi mbi kushtet e të dënuarve dhe të burgosurve lidhur me marrjen e shërbimit të nevojshëm shëndetësor.

Në kushte normale, KSHH ka vërejtur se në një pjesë të mirë të IEVP-ve mjekët punojnë me kohë të pjesshme, dhe të dënuarit kanë shfaqur ankesa për mosmarrjen e shërbimit të nevojshëm shëndetësor. Në kushtet e kufizimeve të vendosura ndaj kësaj pandemie, shteti duhet të tregojë një vëmendje të vecantë dhe të shtuar për të ofruar shërbimin shëndetësor ndaj kësaj kategorie shtetasish. Në një situatë kur shumica e mjekëve janë duke zhvilluar luftën në frontin e parë, kjo mund të sjellë kufizime për shtetasit e privuar nga liria që mund ta kenë të domosdoshme të kryejnë vizita shëndetësore por duke i mbrojtur ata nga rreziku i infektimit nga koronavirusi”, thuhet në raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Nga Drejtoria e Përgjithme e Burgjeve, “Faktojes” iu komunikua se shtimi i mjekëve në burgje ka ndodhur në masë të vogël, kjo në raport me nevojat. Sipas drejtorise së Përgjithshme të Burgjeve, aktualisht në institucionet e vuajtjes së dënimit gjenden dy deri në tre mjekë (shifër kjo e njëjtë edhe para pandemisë “Covid-19”).

Nga ana tjetër Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar marrjen e masave shtesë higjeno-sanitare edhe në burgje,  Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë gjithashtu thirrje për garantim të kushteve të nevojshme higjendo-sanitare dhe mjekësore për të burgosurit.

“Faktoje” mundi të kontaktojë të dënuarin në Burgun e Fierit, I.M. 24 vjeç, për veprën penale  “Vjedhje me armë”. Ai i tha “Faktojes” se në Burgun e Fierit ku ndodhen rreth 100 të dënuar, masat vijojnë të jenë të njëjtat si para shpërthimit të pandemisë.

Nuk ka ndryshuar gjë. Vijojmë më të njëjtën rutinë. E kemi marrë vesh për koronavirusin nga të afërmit tanë. Tani na kanë ndërprerë vizitat dhe mund të flasim me të afërmit nëpërmjet telefonit ose Skype. Këshillim nga psikologë apo informacione më tej nuk kemi pasur”, i tha “Faktojes”, 24-vjeçari.

Më 21 janar, Avokati i Popullit ngriti shqetësimin se në institucionet e vuajtjes së dënimit, është neglizhuar ngritja e një Institucioni të Posaçëm Mjekësor e kryesisht për shëndetin mendor.

“Moszbatimi i marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ngritjen e një Institucioni të Posaçëm Mjekësor, të parashikuar në ligjin Nr. 44/2012, datë 08.05.2012 “Për Shëndetin Mendor”, me qëllim strehimin dhe trajtimin e personave që kanë marrë nga gjykata masën “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm” është një problematikë e përseritur disa herë në raportet e inspektimeve të Avokatit të Populli”- thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Nga ana tjetër, më 16 mars, Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërsë ngriti shqetësimin se Policia e burgjeve po përballet me pandeminë “Covid-19” në mungesë të mjeteve logjistike dhe kushte të vështira pune.

Policia e Burgjeve,e cila vazhdon të jetë e diskriminuar në pagë, pamjaftueshmëri në mjete logjistike e kushte pune, me mungesë transporti për në vendin e punes, pa vakt ushqimor gjatë turnit të shërbimit si dhe nën stres e trysni përballë krimit të organizuar, vazhdon të përballojë me sukses dinamiken e punes ne cdo sektor sherbimi”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Por çfarë thotë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për këtë situatë?.

Të 24 institucionet penitenciare janë dezinfektuar dhe në të gjitha ambjentet e brendshme po ndiqet një protokoll i rreptë lidhur me higjienizimin dhe higjenën personale të të dënuarve dhe të paraburgosurve. Të gjithë punonjësit e policisë së burgjeve kontrollohen nga ekipi shëndetësor përpara se të fillojnë detyrën si dhe pajisen me të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse si maska, doreza, higjenizues, etj. Gjithashtu janë evidentuar të gjithë personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike dhe po ushtrohet një vëmendje e shtuar me masa shtesë shëndetësore, duke i monitoruar ata në mënyrë periodike gjatë ditës për cdo shqetësim të paraqitur.Nga ana tjetër, me qëllim vijimin e komunikimit të të dënuarve me të afërmit e tyre, janë instaluar pajisjet e posaçme për të vijuar me një komunikim alternativ kontakti si: Shtimi i sasisë së minutave të komunikimit telefonik dhe tashmë me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë ka përfunduar instalimi dhe lidhja e kompjuterave në 24 institucionet të cilët mundësojnë komunikimin përmes platformës “Skype”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

E pyetur nga “Faktoje”, kjo drejtori konfirmoi se deri më sot, në sistemin e burgjeve nuk janë identifikuar të dënuar apo të paraburgosur të prekur nga “Covid-19”.

MARJO BRAKAJ

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img