Një video që po qarkullon në rrjete sociale ku presidenti amerikan Biden nxit qytetarët amerikanë të tërheqin paratë nga bankat rezulton e rreme. Verifikimi i “Faktoje” tregon se Biden, përkundrazi, ka siguruar amerikanët se depozitat e tyre bankare janë të sigurta.

——————————————————-

Falimentimi i bankës amerikane Silicon Valley Bank ka frymëzuar një valë dezinformimi me shënjestër ekonominë amerikane dhe vlerën e dollarit. Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse duket se tregon presidentin amerikan Joe Biden në një deklaratë për shtyp. Ajo shoqërohet me përshkrimin “Nxirrini parate tuaja nga bankat tani, përndryshe ato jane zhdukur. Kjo eshte serioze.”

Video tregon Biden duke thënë:

“Mirëdita! Zonja dhe zotërinj, ekonomia jonë është, epo, është, ne kemi shkuar komplet për lesh. Kush është akoma në rregull nga trutë, urra! Nxirrini paratë nga bankat që tani! Që tani! Që tani! Përndryshe ju ikën, përgjithmonë! Paratë e mira, dua të them Biti-Bitcoin, Crypto, nuk do t’ju shpëtojnë. Kjo është serioze. Ja futëm kot. Ata fituan. Po shkoj të shtrihem.”

Nga mënyra se si është shprehur ‘Biden’, dhe nga fakti që ai përdor fjalë banale në këtë fjalim, është e qartë se kjo video është e montuar.

Ajo është postuar për herë të parë në TikTok, në 25 mars, dhe komentuesit në këtë platformë kanë dalluar menjëherë se kjo video është e stisur. 

Në fakt, Biden foli më 13 mars për këtë çështje, duke u shprehur se “amerikanët mund të kenë besim që sistemi bankar është i sigurtë.” Ai siguroi publikun se “depozitat tuaja do të jenë aty kur ju të keni nevojë për to.” Biden deklaroi gjithashtu se asetet e Silicon Valley Bank tashmë kontrollohen nga rregullatori shtetëror Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave (FDIC) dhe klientët e kësaj banke do të mund të kishin akses në depozitat e tyre. Ai shpjegoi se paratë do të vinin nga pagesat që bankat bëjnë në Fondin e Sigurimit të Depozitave.