BallinaPertejÇfarë e kërcënon vaksinimin e plotë të popullsisë brenda afatit të premtuar nga qeveria?

Çfarë e kërcënon vaksinimin e plotë të popullsisë brenda afatit të premtuar nga qeveria?

Qeveria ka shpallur si objektiv vaksinimin e plotë të popullsisë kundër Covid-19 brenda pranverës së 2022-it. Përmbushja e këtij objektivi, nënkupton që brenda nëntë muajve të ardhshëm të vaksinohet gati treçereku i popullësisë së mbetur, nga e cila një pjesë e ka marrë tashmë dozën e parë. Ky proces, sipas ekspertëve kërcënohet nga disa elementë, si dyshimi ndaj vaksinave të pamiratuara nga EMA dhe FDA, vaksinimi fiktiv, apo dezinformimi që mund të çojë dëm përpjekjet e qeverisë për nxitjen e qytetarëve për t’u vaksinuar.


“Plani ynë ambicioz është 14 muaj dhe i qëndrojmë, sepse ne kemi një element shumë të rëndësishëm që nuk duhet ta harrojmë, që kemi një sistem kapilar në të gjithë Shqipërinë që na ka dhënë neve mundësinë të vaksinojmë në masë, pra në çdo zonë dhe ky është një sistem i trashëguar.” – tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirlu më 11 mars të këtij viti në emisionin Opinion .

Më datë 25 mars, kryeministri Rama rikonfirmoi këtë zotim, gjatë një deklarate të dhënë në mjediset e aeroportit të Rinasit, ndërsa kishin mbërritur 192 mijë doza të vaksinave kineze.

“Objektivi përfundimtar është që brenda pranverës së ardhshme të kemi vaksinimin e të gjithë popullsisë së vaksinueshme”- tha kryeministri Rama.

Kur kanë mbetur 9 muaj nga ky afat, ose pothuajse aq kohë sa kanë kaluar që nga nisja e procesit të vaksinimit, shifrat tregojnë se vetëm çereku i popullsisë është vaksinuar me të dyja dozat. Këtë e konfirmoi Komiteti Teknik i Ekspertëve në konferencën për mediat në 25 gusht.

“Fushata e vaksinimit ka vazhduar me ritme të mira. Aktualisht kemi një mbulesë vaksinale me të dyja dozat, që po i afrohet 27%. Në drejtim të mbulesës me një dozë, ajo po i afrohet 37%.” – tha drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino.

A mund te arrihet vaksinimi i treçerekut të popullsisë në 9 muaj?

Po t’i referohemi të dhënave zyrtare, rezulton se rreth 75 % e popullësisë ‘së mbetur’ të pavaksinuar plotësisht duhet të vaksinohet për të njëjtën periudhë që u desh për vaksinimin e plotë të vetëm 25 % të saj.

Për të përshpejtuar këtë proces, kur edhe numri i vaksinave të mbërritura është më i madh se në fillim, qeveria ka shpallur disa nisma për nxitjen e tij, si përshembull muajt e hapur të vaksinmit. Por a janë të mjaftueshme këto skema për të arritur objektivin?

“Vaksinimi nuk varet nga kryeministri, por nga popullata. Besimi i njerëzve tek vaksina u dëmtua rëndë nga vaksina kineze. Kryeministri duhet të pranojë fillimisht gabimin dhe ta korrigjojë atë duke u ofruar qytetarëve vaksina të sigurta të miratuara nga EMA ose FDA. Nëse çdo shqiptari do t’i jepet mundësia për t’u vaksinuar me Pfizer, Moderna, AstraZeneca apo Johnsson&Johnsson, atëherë edhe personat do të nxiten për t’u vaksinuar”- i tha Faktojes eksperti Erion Dasho.

Ndërsa eksperti Ilir Alihmehmeti mbetet skeptik për afatin e shpallur nga qeveria, sa kohë që në disa shtete kanë miratuar aplikimin e dozave të treta të vaksinës anticovid.

“Kjo varet nga përkufizimi i fjalës përfundim. Pra nëse është përqindje e popullatës, atëhere varet sa është vendosur kjo përqindje. Në Izrael është vërejtur se vaksinimi i 78% të popullatës nuk ka ofruar zhdukje të valës epidemiologjike për shembull, por ka ofruar ulje të rasteve të rënda. Pra, në varësi të përqindjes duhet ta diskutojmë. Kujdes ama një element! Nëse vendoset vaksinimi me detyrim, atëhere shumë persona do të bëjnë vaksinime fiktive. Pra, do të merren vesh me injektuesit e vaksinave dhe do të shënohen si të vaksinuar, por në fakt vaksina është hedhur dhe nuk është injektuar. Ka mjaft raportime që kjo ka ndodhur në verë në Shqipëri, sidomos nga emigrantë dhe nga persona që kanë dashur të udhëtojnë, por nuk dimë sa mund të jetë kjo përqindje. Le të shpresojmë që është e ulët. Por nëse bëhet me detyrim, kjo përqindje do të rritet shumë dhe do të rrezikojmë në periudhë afatmesme shumë situata të pafavorshme.”- theksoi eksperti Alimehmeti për Faktojen.

Nga raportimet që Faktoje ka bërë mbi problematikën e refuzimit të vaksinimit rezulton se ky proces po pengohet edhe nga elementë të tillë, si pasiguria për vaksinat e pamiratuara nga autoritetet shëndetësore europiane apo amerikane, lajmet dezinformuese apo lëvizjet e organizuara ‘no vax’ sidomos në vendet e Europës.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img