BallinaPertejLajmet e rreme dhe vaksinimi që ka "ngecur" në nivel global

Lajmet e rreme dhe vaksinimi që ka “ngecur” në nivel global

Bota vazhdon të përballet me rrezikun që sjell pandemia, edhe pse vaksinat kanë filluar të përdoren që në dhjetor të vitit 2020. Po ndërsa vaksinat janë të disponueshme, problemi kryesor është refuzimi i njerëzve për t’u vaksinuar, çka në vende të ndryshme ka shkaktuar dhe protesta. Në thuajse të gjithë globin, vaksinimi ka ngecur nën masën e 60% të popullsisë për shkak të mosbesimit edhe në radhën e punonjësve të shëndetësisë. Faktoje zgjodhi mori disa nga të pavërtetat që kanë qarkulluar në vend rreth vaksinës, të certifikuara si mite nga kompania amerikane Newsguard, e cila në partneritet me OBSH, kontrollon vërtetësinë e informacionit që qarkullon rreth Covid-19 dhe vaksinave.

Para 3 javësh, NY Times kishte raportuar se vaksinimi i përgjithshëm në vend kishte ngecur në më pak se 60%. Ndërsa më shumë se 96% e doktorëve janë vaksinuar plotësisht, sipas Shoqatës Mjekësore Amerikane, punonjësit e shëndetësisë, kryesisht në zonat rurale, kanë bërë rezistencë më të madhe ndaj vaksinimit, edhe pse mijëra punonjës shëndetësie kanë vdekur nga koronavirusi dhe shumë të tjerë janë sëmurur.

Raportimi i një dite më parë nga Our World in Data, tregon se vaksinimi i përgjithshëm në Shtetet e Bashkuara është sërish në nivele të tilla, me vetëm 50.5% të popullisë të vaksinuar plotësisht. Me përjashtim të Spanjës (60.2%), asnjë nga vendet e publikuara në tabelën kryesore të të dhënave nuk e kalon masën 60% të vaksinimit të popullsisë së vaksinueshme.

Të dhënat nga Our World in Data, publikuar më 7 gusht 2021

Një nga situatat më problematike shfaqet në Rusi, ku përpara pak javësh raportoheshin mbi 25 mijë raste të reja infektimi ditor, dhe rreth 800 vdekje në 24 orë. Sot, vetëm 18.7% e popullisë së vaksinueshme në Rusi janë vaksinuar plotësisht kundër Covid-19. Pavarësisht se ky vend ka prodhuar vaksinën Sputnik V, të cilën e ka bërë të disponueshme në mënyrë të gjerë për publikun që në dhjetor, shumica e personave e kanë refuzuar.

Kjo shkon në linjë me sondazhin e zhvilluar nga kompania IPSOS në muajin prill 2021, e cila rendit Rusinë dhe Amerikën si dy vendet me përqindjen më të lartë të personave që do ta refuzonin vaksinën në rast se do t’u ofrohej, me përkatësisht 59% dhe 54%.

Sondazhi i IPSOS, publikuar në prill 2021

Ashtu siç kemi shkruar më parë, hezitimi ndaj vaksinimit është i lidhur ngushtëssht me dezinformimin. Vendet me përqindjen më të lartë të refuzimit të vaksinës rezultuan gjithashtu dhe vendet me numrin më të lartë të faqeve që përhapin lajmeve dezinformuese rreth vaksinimit.

Protestë kundër vaksinimit në Amerikë

Pikërisht rezistenca ndaj vaksinimit është një fenomen që po përhapet gjerësisht, në paralel me numrat e rinj të infektimeve. Jo vetëm në Amerikë, pasi në vende të ndryshme të botës po refuzohet vaksina, me vende si Franca, Italia dhe Greqia në të cilat kanë zhvilluar dhe protesta kundër vaksinës.

Protestë kundër vaksinimit në Francë

DW shkruan se ndërsa ekspertët paralajmërojnë rrezikun e “pandemisë së të pavaksinuarve”, po merr hov dhe debati moral dhe ligjor i të drejtave të njeriut, i cili duket se do të vijojë.

Protestë kundër vaksinimit në Itali

Dezinformimi dhe refuzimi për t’u vaksinuar, prezente dhe në Shqipëri

Më 7 gusht, ne publikuam një artikull ku vinim në pah se vaksinimi është ulur drastikisht në krahasim me disa muaj më parë. Ndër arsyet e listuara nga qytetarët, spikat edhe mungesa e besimit ndaj vaksinës.

Lajmet dezinformuese ndaj vaksinës kanë qarkulluar gjerësisht në vendin tonë, me zotin Alfred Cako si një nga personat më simbolikë në përhapjen e teorive “alternative” ndaj Covid-19 dhe vaksinës.

Ne përzgjodhëm 3 nga teoritë më të përsëritura nga ai, jo vetëm sepse janë publikuar në mënyrë të shpeshtë në nivel global, por për shkak se kanë gjetur edhe aprovimin e shumë qytetarëve në komentet poshtë videove të tij në YouTube.

Komentet poshtë videos së Cakos në YouTube

1. Vaksina do të ndryshojë ADN-në

Në mars të këtij viti, gjatë një emisioni në “Top Channel“, zoti Cako pretendon se vaksina do t’i ndryshonte ADN-në:

“Si mund të pranoj unë, të shkoj të ndryshoj gjakun e gjyshërve të mi?”

Newsguard e ka kategorizuar pretendimin se vaksina ndryshon ADN-në si të pavërtetë. Disa kandidate për vaksina kundër Covid-19 mbështeten në acidin ribonukleik (mRNA), e cila mban informacionin gjenetik të nevojshëm për të bërë protenia, sipas Institutit të Shteteve të Bashkuara për Kancerin. Dr. Dan Culver, një pneumolog në Klinikën e Cleveland tha për Associated Press në shtator të vitit 2020 se vaksinat MRNA nuk mund të bëjnë ndryshime gjenetike.

2. Përmes vaksinës do të injektohet një mikroçip

Gjatë të njëjtit emision në “Top Channel“, zoti Cako pretendoi gjithashtu që ka komunikime me persona tek të cilët është bërë eksperimente nëpërmjet këtyre vaksinave dhe iu kanë futur mikroçipin.

“Dhe me kanë thënë që: Na kanë marrë me dhunë, na kanë futur nëpër spitale. Jashtë, jo në Shqipëri. Na kanë futur mikroçipa nëpërmjet vaksinave me nanoteknologji.” – tha ai.

Newsguard shkruan se nuk ka vaksinë, për Covid-19 ose viruse të tjerë, mikroçip apo tipare të tjera gjurmimi. Në dhjetor të vitit 2019, hulumtuesit e MIT (Institutit të Teknologjisë së Massachussets), të cilët kishin marrë fonde nga fondacioni i Bill dhe Melinda Gates, publikuan një artikull shkencor rreth një teknologjie që kishin zhvilluar për të mbajtur të dhëna mbi vaksinimin në lëkurën e pacientit me një injeksion “boje” që mund të lexohej nga smartphone-ët.

Kevin McHugh, profesor i inxhinierisë biologjike i Universitetit Rice që ka punuar për studimin në MIT i tha FactCheck.org se kjo teknologji nuk ka kapacitetin që të gjurmojë lëvizjet e pacientëve.

Newsguard bën me dije që Gates ka thënë se “certifikatat dixhitale” mund të përdoren si pjesë e një përpjekjeje më të madhe vaksinimi, por nuk ka të dhëna që ai apo fondacioni i tij të kenë krijuar një teknologji për të gjurmuar personat që marrin vaksinën ndaj COVID-19.

3. Personat e vaksinuar do të sterilizohen

Duke folur për “Top Channel” në dhjetor të vitit 2020, zoti Cako thotë se përmes vaksinës synohet sterilizimi i pjesës më të madhe të personave që janë nga 5 deri në 55 vjeç.

‘Synimet janë që për ktë brezin nga 5 deri në 55 vjeç të sterilizohen, pjesa më e madhe e atyre që do bëjnë vaksinën.” – tha ai.

Newsguard tregon se ky pretendim ka ardhur fillimisht nga YouTuber-i britanik Zed Phoenix, i cili thotë se një burim anonim në kompaninë farmaceutike GalxoSmithKline i tha atij se 61 nga 63 gra të testuara me vaksinën e COVID-19 u bënë sterile. Paralelisht, një vaksinë specifike për meshkujt rezultoten në “zvogëlim të përmasave testikulare, rënie të niveleve të testosteronit si dhe shkaktonte atrofinë e prostatës”.

Reuters bën me dije se këto deklarata janë marrë nga një studim i vitit 1989 që nuk ka lidhje me Covid-19, nga Instituti Kombëtar i Imunologjisë në New Dehli të Indisë. Ky hulumtim ekzaminoi përdorimin e vaksinave kundër fertilitetit tek babuinët në një përpjekje për alternativa për të trajtuar pacientët me kancer në të ardhmen. Asnjë nga vaksinat e Covid-19 nuk janë specifike me bazë gjinore ose të lidhura në ndonjë mënyrë tjetër me fertilitetin.

Por edhe pse pretendime të tilla janë trajtuar dhe kategorizuar si të pavërteta nga ekspertët, në rrjetet sociale shfaqen persona të shumtë që iu besojnë këtyre teorive.

Komentet poshtë videos së Cakos në YouTube

Lexo edhe: Përse nuk vaksinohen shqiptarët?

Dezinformimi po rrit hezitimin ndaj vaksinimit kundër COVID-19

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img